Kryetari i Organizatës së Veteranëve të UÇK-së, Hysni Gucati, ka reaguar në rrjetet sociale për përdorimin e simboleve të UÇK-së në protestën kundër investimit në Zvërnec në Tiranë. Gucati thotë se është e papranueshme dhe fyese paraqitja e individëve dhe grupeve që duan të ulin vlerën e luftës.
Ai nënvizon se kauza e UÇK-së s’është e s’mundet të jetë instrument i axhendës politike teksa bën thirrje për garantim të integritetit të protestës.
“Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së shpreh publikisht shqetësimin e saj për përpjekjet e vazhdueshme për manipulim politik dhe instrumentalizim të simboleve të UÇK-së në protestën disaditore në Tiranë.
Është e papranueshme dhe fyese për dinjitetin e luftës sonë që në emër të UÇK-së, të flasin dhe të paraqiten individë apo grupe që për vite me radhë kanë tentuar ta zbehin, ta devijojnë dhe t’ia ulin vlerën luftës sonë çlirimtare.
OVL e UÇK-së rithekson me përgjegjësi të plotë se kauza e UÇK-së nuk është dhe nuk mund të jetë instrument i asnjë agjende politike të ditës apo i interesave të ngushta personale e partiake.
OVL e UÇK-së u bën thirrje organizatorëve të protestës në Tiranë që ta garantojnë integritetin e protestës dhe të mos lejojnë asnjë përpjekje për manipulim, keqpërdorim apo vetëdeklarim të rremë në emër të ish-ushtarëve apo veteranëve të UÇK-së.
UÇK-ja është pjesë e historisë së lirisë dhe sakrificës së popullit tonë dhe duhet trajtuar me respekt, jo për përfitime politike”, shkruan Gucati.
Lajmi kryesor:
Rama nxjerr dokumentin kur Goxhaj refuzoi të luftojë krah UÇK-së për Kosovën: S’më ka marrë koka erë! Kryeministri: Është manipulator gjysmë taleban e gjysmë mitoman











