Juristi Kreshnik Spahiu është shprehur se ka shumë pikëpyetje lidhur me objektivin që synojnë të arrijnë protestat e organizuara në Tiranë, që kundërshtojnë investimin në Zvërnec të Vlorës.

Komentet Spahiu i bëri në një lidhje live për emisionin ‘Frontline’ me gazetaren Marsela Karapanço në Report Tv, ku iu drejtua një pyetje të drejtëpërdrejtë protestuesve që kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.

‘Kush i fiton zgjedhjet pas 45 ditësh nëse kryeministri Edi Rama jep dorëheqjen?’, ishte pyetja e Spahiut drejtuar protestuesve.

“Ka dyshime për pronarët e vërtetë dhe paqartësi për thelbin e pronës. Por është mirë që ata që mbrojnë këtë kauzë, të mundohen të dëgjojnë edhe një pjesë të rezervave që ka një pjesë e opinionit publik. Kërkesa kryesore e protestuesve është dorëheqja e Edi Ramës. Atëherë sot në mbrëmje, nëse Rama jep dorëheqjen dhe qeveria bie, atëherë pas 45 ditësh kemi zgjedhje të parakohshme. Unë kam pyetjen mbi të cilën ngre analizën për të gjithë protestuesit, ‘kjo kauzë e Zvërnecit shërbeu për ta dobësuar Ramën dhe Berishën, apo duke shkuar në zgjedhje të parakohshme forcohet edhe Rama e Berisha?’”, tha mes të tjerash Spahiu.

Më tej juristi Spahiu tha se disa nga pretendimet e protestuesve për një proces jotransparent dhe për dyshime mbi pronësinë, qëndrojnë, por sipas tij, nuk kishte pse këto protesta të ndodhnin në një moment që Ivanka Trump dhe dhëndri i Presidentit Donald Trump, Jared Kushner, zgjodhën të investonin në Vlorë.

“Tani unë jam plotësisht dakord që është një proces jotransparent, ka dyshime për pronën, nuk ka qartësi për projektin dhe financimin. Por a është hera e parë që kjo ndodh në Shqipëri, apo hera e 100 mijë? Pse pikërisht kur u interesua Ivanka Trump ndodh ky proces?”, vijoi më tej Spahiu.