Kryeministri Edi Rama, në bashkëbisedimin me të rinjtë në Jalë, tha se Shqipëria sot ka bërë përparime që dikur nuk imagjinoheshin se do të arriheshin.
"Shqipëria ka të gjithë interesin që punët në Republikën fqinje të Maqedonisë së Veriut të shkojnë fjollë, sa më mirë. Shqipëria ka të gjithë interesin që marrëdhëniet mes dy popujve shtetformues të jenë marrëdhënie vëllazërore, të një bashkëjetese harmonike. Janë bërë përparime të mëdha. Demokracia nuk është një shëtitje në një rrugë të shtruar, është një rrugë që ka kthesa, momente vështirësish.
Ne duam më të mirën për Republikën e Maqedonisë së Veriut. Unë kam qenë gjithmonë i mendimit që vetot në proces nuk i shërbejnë askujt, janë pengmarrje dhe janë në thelb jo konstruktive dhe jo dobiprurëse për të afruar vendet me BE-në. Të vendosësh veto, të hapen apo jo negociatat, është diçka që nuk është evropiane.
Jam shumë i angazhuar prej kohësh për të nxitur një qasje tjetër të BE-së ndaj vendeve ende jo anëtare. Ka nisur një proces ndryshimesh të rëndësishme me Planin e Ri të Rritjes, me diskutimet që janë në vazhdim. Kemi pasur diskutime edhe në Tivat. Vendet jo anëtare duhet të ulen në tryezën e BE-së. Politikisht Evropa duhet të bashkohet tani, pastaj çdo vend të bëjë rrugën e vet.
Ne nuk jemi një vend që mund të bëjë çfarë të dojë dhe si të dojë kur vjen puna te gjëra që janë të lidhura me harmoninë e brendshme të familjes evropiane. Pasaporta bullgare u bë shumë e fortë. Ne jemi siç nuk kemi qenë asnjëherë dhe kjo duhet pasur parasysh, por kemi kuptuar që me ju të rinjtë nuk para funksionon dhe jeni në të drejtën tuaj.
Sot ju jetoni në një situatë krejt tjetër. Shqiptarët sot janë më mirë se çfarë kanë qenë ndonjëherë si rezultat i përpjekjeve që janë bërë. Këto gjëra duhen ruajtur. Juve nuk jeni të detyruar të mendoni si t’i ruani, se ju jeni në fazën kur mendoni se si t’i hidhni në erë çdo gjë dhe sesi një botë e re të lindë nga gërmadhat.
Ne nuk do ta bëjmë këtë hov. Duhet të jemi të vetëdijshëm se çfarë kemi arritur. Të mos harrojmë nga vijmë, se kush e harron nuk e di më pastaj nga shkon. T’ju thuash juve sot që Tirana, ku ju protestoni, ka qenë një qenef dhe që pemët që ju shikoni sot, 90% e tyre i kam mbjellë unë kur kam qenë kryetar bashkie.
Sot unë besoj që protesta, në dimensionin ku ka përfshirë shumë të rinj, nuk është një shenjë krize, por një shenjë shumë kuptimplotë e pritshmërive. Sot nuk bëjmë fjalë për të ndryshuar nga një situatë qenefi në një situatë normaliteti. Sot po flasim për pritshmëri të tjera. Nuk mjafton më të ndërtosh një shkollë, as ta investosh brenda në shkollë me ato që duhen. Kërkesa është për më shumë: për çfarë cilësie ka mësimi, për nivelin e garancisë që ka niveli arsimor.
Nuk mjafton sot të ndërtosh qendra shëndetësore që nuk ekzistonin fare. Spitali Nënë Tereza ishte gjithçka dhe ti nuk kuptoje a ishte një pazar rrobash, a ishte një merkato ilegale frutash e perimesh, a ishte një parking i madh ilegal në mes të lagjes. Kur hyje nuk merrje vesh kush ishte mjeku e kush ishte pacienti. Shqipëria kishte 50 mijë infeksione. Sot gjërat janë ndryshe, por nuk mjafton. Këtë gjë unë dhe ne duhet ta kemi të qartë.
Duhet të bëjmë kujdes mos ta bëjmë si lopa që i bie me shqelm qumështit që është mbledhur me sakrifica. Nuk jemi ne që të kapim daullet e nacionalizmave. Duhet të jemi mirënjohës për ata që kanë dhënë kontribut dhe duhet të vazhdojmë përpara e të jemi qengji i butë që pi dy nëna e jo dhitë që nuk i do njeri as te kodra mbrapa shtëpisë”, tha Rama.
Lajmi kryesor:
Protestat/ Rama në Jalë: Tani e kanë harruar Zvërnecin, padashje qytetarët po përdoren si vegla nga armiqësorët! Algoritmi nxit gënjeshtrat










