Protestat e dhunshme të katër ditëve të fundit në Tiranë dhe në disa qytete të vendit kanë vënë në lëvizje edhe strukturat e Antiterrorit dhe Krimit Kibernetik.

Policia e Shtetit thotë se ka identifikuar gjatë këtyre ditëve se në rrjetet sociale, llogari anonime kanë shpërndarë mesazhe me përmbajtje kriminale dhe thirrje për kryerje të akteve ekstreme dhe terroriste.

Drejtori i Departamentit për Sigurinë Publike, Dhimitraq Ziu, tha se po hetohet në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë për zbulimin e administratorëve të këtyre kanaleve të komunikimit brenda dhe jashtë vendit për veprimtari destabilizuese. 

"Strukturat e specializuara të Hetimit të Krimit Kibernetik dhe Antiterrorit kanë marrë në shqyrtim të menjëhershëm hapësirën virtuale, ku gjatë monitorimeve intensive, janë identifikuar disa kanale dhe grupe komunikimi, nëpërmjet të cilave janë shpërndarë mesazhe me përmbajtje të drejtpërdrejtë kriminale, ndër to, thirrje për kryerje të akteve ekstreme dhe terroriste, si dhe kërcënime direkte kundër jetës së punonjësve të Policisë së Shtetit.

Lidhur me këtë situatë është regjistruar menjëherë procedimi penal përkatës për veprat e lidhura me këto veprime kriminale tejet të rrezikshme, dhe po bashkëpunojmë ngushtësisht me agjencitë partnere ndërkombëtare për zbulimin e adresave IP, identifikimin e administratorëve të këtyre kanaleve dhe të çdo përdoruesi që bën thirrje për dhunë dhe akte terroriste.

Përdorimi i rrjeteve sociale nëpërmjet llogarive  anonime nuk duhet dhe nuk do të lejohet t’i shërbejë rrymave apo shtetasve me prirje terroriste, ekstremiste dhe të dhunshme, brenda dhe jashtë vendit, të cilët janë aktualisht në një proces hetimor tejet të detajuar dhe konfidencial, për të vlerësuar qëllimet dhe veprimet e tyre destabilizuese, si dhe të rrezikshme për shoqërinë dhe të ardhmen e vendit.

Gjithashtu, Policia e Shtetit shpreh keqardhjen për përhapjen e lajmeve të pavërteta dhe dashakeqe që synojnë të shfrytëzojë ndjenjat nacionaliste për të krijuar klimë konfliktuale dhe për të cenuar besimin e qytetarëve te Policia e Shtetit.

Policia e Shtetit gjen sërish rastin, të vijojë apelet e bëra gjatë këtyre ditëve, për qytetarët pjesëmarrës në protesta që të distancohen menjëherë nga personat e maskuar dhe të dhunshëm dhe të mos bëhen pjesë e akteve të dhunës e të shkatërrimit. Përgjegjësia është individuale dhe do përballeni me forcën e ligjit.

E drejta për protestë duhet të ushtrohet në mënyrë paqësore dhe nuk mund të përdoret si justifikim për dhunën dhe shkatërrimin.

Çdo efektiv që sulmoni është aty për të bërë detyrën që i është caktuar, është i betuar për komb dhe flamur dhe bashkëjeton çdo ditë në të njëjtin terren me ju.

Ndërkohë në mënyrë të vazhdueshme drejtuesit e Policisë në terren udhëzojnë punonjësit e policisë jo vetëm gjatë instruktazheve, por dhe në terren në detyrë, që pavarësisht situatave ku përballen me sulme të rrezikshme, apo gjatë ndërhyrjeve për të mbrojtur institucionet, të tregojnë vetëpërmbajtje dhe propocionalitet", deklaroi Dhimitraq Ziu.