FIER- Fshati “ish-Ofiçina e Vjetër” në Bashkinë e Patosit po përballet me ndërprerje të shpeshta të energjisë elektrike prej muajsh. Pronarët e bizneseve protestuan këtë të enjte, pasi mungesa e energjisë po i pengon në aktivitetin e tyre dhe po u shkaktojnë dëme te mëdha pasi janë djegur pajisjet elektrike.
“Unë çdo ditë e hedh brumin e bukës në lumë, sepse ikin dritat dhe nuk piqet. Po falimentoj se kam marrë 100 mijë euro kredi për të investuar në furrën e bukës”, tha një grua. Ndërsa një tjetër shprehet se “detyrohet të hedhë mishin pasi kalbet. Frigoriferi nuk punon dhe unë çdo ditë dal me humbje jo me fitim”, tha një burrë që ka dyqan mishi.
“Unë kam dy ditë që pres për të bërë vajin e ullirit dhe nuk punon fabrika. Vaji nuk del i mirë kur ullinjtë qëndrojnë në thasë sepse nxihen dhe nuk ma blen njeri”, tha një fermer.
Në zonë janë rreth 30 familje dhe 11 biznese që furnizohen nga linjat e kompanisë shtetërore të naftës “Albpetrol”. Pavarësisht se paguajnë rregullisht faturat e energjisë, ndërprerjet e vazhdueshme kanë futur në krizë dyqanet e mishit, furrat e bukës, markete, lavazhe dhe fabrikat e vajit.
“Nuk dimë ku të ankohemi,” thonë ata, duke shtuar se kanë paguar nga xhepi për riparimin e defekteve, por problemi me ndërprerjen e energjisë vazhdon prej 3 muajsh.
Burime nga kompania “Albpetrol” bëjnë të ditur se kufizimet energjisë kanë ndodhur për shkak të proceseve teknologjike që po kryen kompania por mohojnë se ato janë te shpeshta. Sipas të njëjtave burime, Albpetrol po bën tentativa me OSHEE-në për të gjetur një zgjidhje përfundimtare për banorët e Ofiçinës së Vjetër.
Komente







