Dhjetra persona që kanë varësi nga heroina apo opioda të tjera, kanë protestuar të enjten para Policisë së Durrësit pasi prej më shumë se dy ditësh nuk kanë marrë metadon. Ata kërkojnë që të marrin sasinë e metadonit pranë shoqatës Aksion Plus në Durrës. Sipas tyre metadon ka por mjeku përgjegjës nuk i ka shpërndarë. Ata ankohen se nga mungesa e metadonit i cili është i domosdoshëm për to, rrezikojnë të humbasin edhe vendet e punës.

durres
 
Ekzistencën e metadonit në depo e konfirmon edhe Gazmir Demiri i cili është edhe kryetari i Shoqatës së Terapisë. “Unë mora vetë iniciativën sepse kisha disa ditë që merresha dhe me rajonin e policisë të cilët kanë pasur dhe shume konfrontime me përdoruesit e metadonit. Metadoni nuk është në zhdukje është si sasi por kuptohet që edhe metadoni ka vështërsitë e veta kur tërhiqet nga Qëndra e Aksion Plus-it,” thotë Demiri.

Sipas tij një numër i konsiderueshëm përdoruesish të lëndëve narkotike nga Durrësi, Kavaja dhe Shijaku trajtohen me metadon për të shkëputur varësinë nga drogat por ata kërkojnë gjithmonë më shumë sesa sasia e rekomanduar.

metadon

Edhe drejtori i Aksion Plus, Genci Muçollari konfirmoi për Shqiptarja.com se ka sasi të mjaftueshme te metadonit në depo, çka nuk përbën problem për trajtimin e këtyre personave.

Lidhur me rastin e Durrësit, Muçollari thotë se shkak i incidentit nuk është mungesa e metadonit por kërkesa e përdoruesve për ta marrë atë në sasi më të mëdha sesa norma e lejuar. Madje mjeku shton se personat që protestuan i kanë bërë presion në mënyrë që ai t’u lëshojë rekomandime për të rimbursuar më shumë metadon.

Por teksa kanë hasur në kundërshtinë e mjekut, përfituesit e metadonit kanë thyer xhamat e zyrës e për shkak se është ndierë i kërcënuar mjeku i Durrësit ka njoftuar policinë, gjë që u bë shkak edhe për protestën e së enjtes.

metadon

Metadoni është një lëndë e cila kategorizohet te drogërat depresive si alkoli hashashi apo edhe opiode të tjera, ndaj ajo përdoret për trajtimin e njerëzve me varësi nga heroina dhe opiodet të tjera.

Redaksia Online
(u.s/shqiptarja.com)