Kreu i “Shqipëria Bëhet”, Adriatik Lapaj dha një intervistë për “Sot Live në Shqipëri” në Report TV, nga kryeministria ku po proteston prej ditës së djeshme. Ai tha se qëllimi i tij është që të mobilizojë qytetarët që t’i bashkohen kundër pushtetin që ka kapur gjithçka. Sipas tij, nuk mundet që një qeveri që është kapur “gafil” në korrupsion, të mund të marrë gjithmonë e më shumë mandate.

Duke bërë një krahasim me dhjetorin e vitit 1990, ku studentët e asaj kohe rrëzuan regjimin komunist, Lapaj thotë se edhe ky dhjetor duhet që të garantojë paprekshmërinë e drejtësisë nga pushteti.

“Qëllimi është mobilizimi i qytetarëve përballë pushtetit që ka marrë nën shënjestër drejtësisë, pushteti duhet ndalur. Sot ka reaguar edhe shoqata e gjyqtarëve që ka konfirmuar se pushteti po ndërhyn dhunshëm në kompetencat e tyre. Kjo është protestë për një moment të dytë të artë që ka Shqipëria për të bërë më në fund demokratizimin e vet. Dhjetori i parë ishte kur studentët rrëzuan diktaturën por s’e sollën dot demokracinë në vetvete. Të gjithë e dimë se nuk kemi demokraci funksionale. Ky është një dhjetor që duhet të garantojë paprekshmërinë e drejtësisë nga pushteti, i cili po synon të cenojë ecurinë e hetimeve dhe luftës ndaj pandëshkueshmërisë. Për sa kohë kryeministri i vendit cenon hapat e rëndësishme të shetet ndërtimit dhe nga ana tjetër gjendja e vendit ku kapen ministrja që abuzojnë me dhjetëra miliona euro. Ka zëvendës kryeministra, i pari me probleme të theksuara me ligjin dhe e dyta, me probleme po ashtu me ligjin, ku dhjetëra milionë euro shkojnë në drejtim të paditur me një sms apo më një të rënë të lapsit, dhe vazhdon e forcohet politikisht, nuk është normale. Nuk mundet në kushte dhe rrethana normale që një qeveri të marrë më shumë mandate kur kapet gafil në korrupsion. Fakti që qëndron i palëkundur domethënë se nuk ka sistem ligjor që garanton ndëshkueshmërinë e atyre që shkelin ligjin dhe sistemin ligjor që garanton garën dhe me lekët e vjedhur dhe blejnë vota dhe me krimin presionojnë qytetarët për vota.”, tha ai.

Lapaj thotë se asnjë parti nuk e ka fuqinë që ta rrëzojë qeverinë përveç qytetarëve. Prandaj, shtoi ai, ka veshur sërish xhupin e aktivistit për të mobilizuar qytetarët. Ai tha se nga dje, që nisi të protestonte i vetëm, deri më tani i janë bashkuar disa qytetarë, duke shpresuar se numri do të rritet. 

“Secili nga ne, ka veten e vet në dorë dhe asnjë tjetër. Unë dje kam nisur protestën jo si një protestë partiake sepse për mënyrën se si është kapur vendi. Asnjë parti se ka fuqinë ta rrëzojë këtë sistem. E vetmja mënyrë janë qytetarët. Për këtë arsye kam, veshur sërish xhupin e  aktivistit për të mobilizuar sa mundem, nëse mundem dhe me shembullin tim, dje kam dalë në 10 të darkës pasi prita që për 8 dhjetorin të kishte revoltë, se s’ka gjë për të festuar. Në atë orë të natës dola dhe po vazhdoj nga 1 që isha jemi bër 20. Avash avash njerëzit po shtohen. Besoj do të shtohen. Në orën 5 çdo ditë ftoj qytetarët që të vijë për veten. Është protestë që çdo qytetar duhet të reagojë për veten. Duhet të bëhemi masiv me kalmin e ditëve, edhe të javëve. Uroj që të masivizohet për t’u përballur me këtë njeri që është i pangopur. Ka thithur çdo energji të këtij vendi. S’mund të kapesh gafil me korrupsion dhe të shtosh numrin e mandateve. S’mund që të kapet zëvendëskryeministrja në shpërdorim të funksioneve të veta dhe shkelje të barazisë në tendera dhe të fitojë në zgjedhjet e parakohshme në 5 bashki me nga 80%, është e pamundur.”, tha ai.