Protestuesi i PD-së Hajdaraj
10 herë i proceduar penalisht

Arben Hajdaraj, protestuesi në protestën e 8 Dhjetor i arrestuar për shkatërrim të pronës private dhe mosbindje të punonjësit të policisë dhe liruar më pas nga gjykata, është i njohur për policinë e kryeqytetit. 43-vjeçari i liruar dy ditë më parë nga gjykata, rezulton i proceduar penalisht në Policinë e Tiranës në të paktën 10 raste, për vepra të ndryshme penale. Ndër to, kryeson vepra penale e kundërshtimit të punonjësit të policisë, falsifikimi i vulave ose stampave dhe mashtrimi. Ndërkohë, teksa qëndronte i arrestuar tre ditë më parë, ai akuzonte policinë për ushtrim dhune ndaj tij.

Kundërshtimi i policisë 
Nga verifikimet e bëra nga ana e Policisë së Tiranës në lidhje me shtetasin Arben Hajdaraj, ka rezultur se më datë 27. 07. 2014 ky person është shpallur në kërkim pasi ka goditur dy punonjës të Policisë Rrugore. Në bashkëpunim me një shtetas tjetër, 43-vjeçari është akuzuar për veprat penale “Kundërshtim i punonjësit të policisë së rendit publik në bashkëpunim”, “Goditje për shkak të detyrës”, “Mosbindje ndaj urdhrit të punonjësit të Policisë së Rendit Publik”.

Arrestimi i Hajdarajt për këto vepra penale është kryer më datë 31. 07. 2014, ndaj të cilit gjykata ka vendosur masën e sigurisë “Arrest me burg”. Ndërkaq, një tjetër rast i kundërshtimit të punonjësit të policisë është regjistruar në ngarkim të shtetasit Arben Hajdari më datë 15.02.2014, pasi tek sheshi “Rilindja”, duke drejtuar mjetin tip “Furgon Benz”, me targa AA 978 IJ, ka kundërshtuar punonjësit e Policisë Rrugore, duke u larguar me shpejtësi drejt Laprakës.

Në këtë rast ka pësuar dëmtime pasagjerja që ndodhej në furgon. 43-vjeçari u akuzua për “Shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor” dhe “Kundërshtim i punonjësit të policisë së rendit publik”. Po ashtu, një tjetër rast i ngjashëm me rastet e mësipërm në ngarkim të Arben Hajdarajt është regjistruar në Policinë e Tiranës më datë 26.07.2009, i cili ka fyer dhe kundërshtuar gjatë kryerjes së detyrës dy punonjës e policie.

Falsifikim dokumentesh 
Më datë 18.07.2012 shtetasi Arben Hajdaraj është proceduar penalisht pasi dyshohet të ketë falsifikuar një licencë për transport udhëtarësh me taksi duke e përdorur atë në një mjet tjetër. Ndërsa më datë 11.11.2014 nga ana e Seksionit për Krimin Ekonomik e Financiar Tiranë, janë dërguar në Prokurorinë e Rrethit Tiranë materialet hetimore për veprën penale të falsifikimit të vulave, stampave dhe formularëve në ngarkim të shtetasit, Arben Hajdaraj, pasi ky shtetas në bashkëpunim me shtetas të tjerë, dyshohet se kanë falsifikuar leje për transport ndërkombëtar udhëtarësh duke i vënë në përdorim mjetet e tyre autobuz dhe minibuz.

Ndërkohë, më datë 07.01.2011 në ngarkim të shtetasit Arben Hajdaraj ka filluar procedimi penal për veprën penale të “Mashtrimit”, parashikuar nga neni 143 i Kodit Penal, pasi janë konstatuar parregullsi gjatë procedurës për ndërrimin e targave të automjetit të tij, duke i shkaktuar një dëm ekonomik të konsiderueshëm shtetit.


Redaksia Online
(u.s/shqiptarja.com)
 
 

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës: 16 Janar, 08:35

    Dhëndri i Trump investitor strategjik për resort në Sazan, si iu duket?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi/ Nëse votohet sot, PS merr më shumë se 50% të votave, mazhoranca më e pëlqyer në emigracion

Sondazhi/ Nëse votohet sot, PS merr më shumë se 50% të votave, mazhoranca më e pëlqyer në emigracion