Një qytetar nga podiumi i protestës kërkoi dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe largimin e Sali Berishës. Ai ngriti një sërë shqetësimesh nga çmimet e shtrenjta, te emigracioni.

“Ne jemi populli që kemi treguar këto 35 vite durim. Kemi duruar mashtrimet e tyre, gënjeshtrat, braktisjen. Asnjë gjë, asnjë projekt, asnjë sipërmarrje që është marrë nga këta, qoftë nga Berisha apo Rama, asnjë nuk është kryer me sukses deri në fund. Me të gjitha është vjedhur, abuzuar, mashtruar.

Fatkeqësisht, Kushtetuta thotë që Presidenti ushtron vullnetin e popullit. Presidenti ynë është qesharak. U zgjodh që të mos dilte asnjëherë në media e të mos fliste asnjëherë për asnjë gjë. Nuk kemi nevojë për të, se ne flasim vetë.

Rama, ti po kërkon të ndërtosh një narrativë të re. Përdore fenë, s'ka turp më të madh që shqiptarëve t'u kujtosh fenë. Jemi shembull botëror. Kërkove algoritmin, të ka rënë sot. Ti ke frikë nga vota e lirë. Më thoni një deputet që është zgjedhur nga vota e popullit e të dalë këtu e të kërkojë falje. Kush ka kërkuar falje për këtë vend, për emigracionin masiv, për plaçkitjen masive që i bëhet këtij populli?

Çfarë standardi plotëson ti për Evropën? Ti s'ke vendosur minimumin jetik në këtë vend. Çdo gjë është shtrenjtë. Bujqësia është përtokë. Ne prodhojmë gjithçka, si ka mundësi? Ju gjithmonë e keni sabotuar këtë ekonomi, këtë popull. Ne duam konfiskim të pasurive të politikanëve të korruptuar, edhe atyre që kanë qenë para këtyre që janë tani, që kanë marrë rolin e biznesmenëve. Kjo është shqiptaria e re e një gjenerate tjetër.

Ti e di shumë mirë që tani të kanë ikur edhe ata vëllezërit, Erdogan e Vuçiç. Nesër, po të dalësh në zgjedhje, nesër është funerali yt politik. Ne kërkojmë që ti të dorëhiqesh, se po nuk u dorëhoqe, do të të bëjë një Shqipëri e tërë të dorëhiqesh. Shqipëria është kundër teje. Të ikësh sa më parë me atë pak nder që të ka ngelur”, tha qytetari.


Lajmi kryesor:

LIVE TV- Protesta e 29-të te Kryeministria, qytetarët kërkojnë sërish realizimin e 5 kërkesave: Dorëheqja e Ramës, e panegocueshme