Vala e dhunës që ka përfshirë kryeqytetin 72 orët e fundit ka lënë të plagosur 71 plagosur. Në konferencën për shtyp në ditën e tretë të protestës në Tiranë që ka sjellë shkatërrime institucionesh publike e biznesesh private, drejtori I përgjithshëm I policisë së shtetit Skënder Hita deklaroi se ata që po i shkaktojnë nuk kanë lidhje me studentët.

“Pas maskave që udhëheqin protestën me shembullin e dhunës, nuk janë studente, por janë individë te rekrutuar për qëllimet e errta të organizatoreve te vërtetë te kësaj proteste, brenda  e jashtë vendit. Fakti është se nga te gjithe te ndaluarit  natën e parë të protestës së dhunshme asnjë nga personat  nuk rezultoi student. Ndërsa nga të ndaluarit e natës së dytë pas djegies e plaçkitjes masive, një numër shumë i vogël ishin studentë.”, tha Hita.  

Kreu i bluve theksoi se gjatë këtyre orëve dhune policia e shtetit ka vepruar në mënyrë proporcionale dhe sipas një plani të hartuar operacional.

“Nuk ka pasur qasje të ndryshme nga policia e shtetit. Jemi të vendosur për të përballuar çdo akt dhune ndaj institucioneve. Veprimi jonë në mënyrë proporcionale. Ju nuk e keni parë lumin e gurëve ndaj policisë dhe duhet të shikoni numrin e lartë të punonjëse të policisë të dëmtuar. Të gjithë drejtuesit e policisë veprojnë sipas planit të masave të hartuar. Gazi i hedhur ka qenë i domosdoshëm, në pamundësi për të ndërhyrë në forma të tjera”, tha Hita.

Një mesazh të qartë kreu i policisë së shtetit ua drejtoi grupeve të maskuara që shkaktojnë akte vandalizmi ndaj institucioneve e bizneseve.

“Mesazhi i qartë: mos e ngatërroni vetëpërmbajtjen me dobësi, ligji do zbatohet me vendosmëri”, vijoi Hita.

Hita tha se policia ka identifikuar të gjithë personat e maskuar që kanë shkatërruar institucione bankare e biznese private dhe se ka dokumentuar me pamje filmike provat për t’i çuar para drejtësisë.

Shefi i bluve garantoi strukturat e policisë se kanë mbështetjen e tij dhe të qeverisë dhe u kërkoi të mos bien pre e provokimeve por të veprojnë me profesionalizëm.

Deklarata e plotë e Skënder Hitës

Të nderuar qytetarë!

Prej gati 72 orësh, kryeqyteti po përballet me një valë dhune, sulmesh, zjarrvëniesh dhe shkatërrimesh ndaj institucioneve shtetërore, pronës publike dhe private, duke vënë në rrezik jetën dhe sigurinë e qytetarëve.

Në këto ngjarje deri në këto momente gjatë përmbushjes së detyrës për mbrojtjen e rendit dhe sigurisë publike janë plagosur 71 punonjës të Policisë së Shtetit, disa prej tyre me dëmtime të rënda. 

Dua të jem shumë i qartë: Policia e Shtetit garanton të drejtën kushtetuese të çdo qytetari, studenti apo force politike për të protestuar paqësisht. Por protesta nuk mund të jetë mburojë për dhunën, zjarrvënien, grabitjen dhe shkatërrimin e pronës publike e private.

Policia e Shtetit nuk është pronë e asnjë partie politike. Ajo është institucion i Republikës, në shërbim të ligjit dhe qytetarëve. Misioni ynë është të mbrojmë jetën, pronën, institucionet dhe rendin publik, pa dallim.

U bëj thirrje prindërve, mësuesve dhe pedagogëve të mos lejojnë që nxënësit e gjimnazeve dhe studentët të përdoren apo të përfshihen në akte dhune të organizuar. 

Të rinjtë kanë të drejtë të protestojnë, të kërkojnë dhe të kundërshtojnë, por askush nuk duhet t’i përdorë si mburojë për të sulmuar institucionet, për të djegur dhe shkatërruar pronën e qytetarëve. 

Siguria dhe e ardhmja e tyre janë përgjegjësi e përbashkët e familjes, shkollës dhe e shtetit.

Pas maskave qe udhëheqin protestën me shembullin e dhunës, nuk janë studente, por janë individë te rekrutuar për qëllimet e errta të organizatoreve te vërtetë te kësaj proteste, brenda  e jashtë vendit. 

Fakti eshte se nga te gjithe te ndaluarit  natën e parë të protestës së dhunshme asnjë nga personat  nuk rezultoi student. Ndërsa nga të ndaluarit e natës së dytë pas djegies e plaçkitjes masive, një numër shumë i vogël ishin studentë.

Të dashur punonjës të Punonjës të Policisë së Shtetit, sot  dua t’u jap një garanci të qartë:

Në këtë përballje me dhunën, keni mbështetjen time të plotë si Drejtor i Përgjithshëm dhe mbështetjen institucionale të  Ministrit të Punëve të Brendshme dhe Qeverisë Shqiptare për çdo veprim të ligjshëm në përmbushje të detyrës.

Çdo sulm ndaj uniformës blu është sulm ndaj autoritetit të ligjit dhe shtetit. Kushdo që ka ushtruar dhunë ndaj punonjësve të policisë, ka dëmtuar institucionet, pronën publike dhe private, do të identifikohet dhe do të përballet me ligjin.

Çdo orë shtesë shërbimi do tju njihet dhe  do kompensohet sipas ligjit. Sakrifica juaj meriton respektin dhe mbështetjen e plotë të institucioneve.

Ju kërkoj profesionalizëm, vetëpërmbajtje dhe vendosmëri. Mos u provokoni, por mos u tërhiqni nga përmbushja e detyrës! Forca jonë është ligji dhe autoriteti ynë buron prej tij.

Ndërkohë u bëj thirrje pjesëmarrësve në tubime të distancohen menjëherë nga personat e maskuar dhe të dhunshëm dhe të mos bëhen pjesë e akteve të dhunës e të shkatërrimit. Përgjegjësia është individuale dhe do përballeni me forcën e ligjit.

Ndaloni dhunën ndaj punonjësve të Policisë, institucioneve, pronës publike dhe private! Çdo akt dhune rrezikon jetën dhe shëndetin e qytetarëve, veçanërisht të fëmijëve dhe të miturve. E drejta për protestë duhet të ushtrohet në mënyrë paqësore dhe nuk mund të përdoret si justifikim për dhunën dhe shkatërrimin.

Dhe për këdo që mendon se mund të imponojnë vullnetin e tij përmes dhunës, mesazhi është i prerë:

Mos e ngatërroni vetëpërmbajtjen e Policisë së Shtetit me dobësinë!

Policia nuk tërhiqet përballë dhunës. Institucionet do të mbrohen. Qytetarët do të mbrohen. Ligji do të zbatohet me vendosmëri dhe pa asnjë përjashtim.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 16:36
Dhunë ndaj protestuesve? Skënder Hita: Policia veproi në mënyrë proporcionale, akte dhune ndaj policëve e institucioneve

1792072822_hita.jpg

Drejtori i Policisë së Shtetit, Skënder Hita ka mbrojtur ndërhyrjen e efektivëve gjatë protestave të dhunshme në Tiranë, duke deklaruar se përdorimi i forcës dhe gazit lotsjellës ka qenë proporcional dhe në përputhje me ligjin. Sipas tij, 71 punonjës policie janë plagosur nga sulmet e protestuesve, ndërsa përdorimi i gazit lotsjellës ishte i domosdoshëm për shkak të sasisë së madhe të gurëve të hedhur ndaj efektivëve.

Skënder Hita: Proporcionaliteti i përdorimit të forcës ka qenë në përputhje me ligjin dhe procedurat standarde. Janë mbi 21 punonjës të plagosur dhe kjo tregon se aty ka pasur dhunë të vazhdueshme ndaj policisë dhe institucioneve publike.

Policia ka vepruar sipas procedurave standarde dhe ka qenë e mirëorganizuar për t'iu përgjigjur veprimeve të shkelësve të ligjit. Duke qenë se protestuesit kanë kryer akte vandale dhe dhune, ne jemi përgjigjur dhe kemi dhënë goditjen e duhur ndaj të gjithë atyre. Edhe pse një pjesë e nxënësve i janë bashkuar protestës, mësimi në shkollat e tjera ka vijuar normalisht.

Pyetje: Zjarrfikësit nuk ndërhynë, ndërsa sot i jeni përgjigjur shpejt situatës. A është vlerësuar nga ana juaj nëse masat e marra parandaluan përshkallëzimin apo nëse pati momente kur ndërhyrja nxiti përshkallëzimin?

Skënder Hita: Nuk ka pasur qasje të ndryshme. Ne jemi të vendosur të përballojmë çdo akt dhune ndaj çdo institucioni shtetëror dhe privat. Siç e thashë edhe më parë, asnjë akt dhune që zhvillohet aty nuk u jep të drejtë protestuesve me maska që të kryejnë akte vandale dhe dhune ndaj institucioneve dhe punonjësve. Ndërhyrja ka qenë proporcionale. Ju vetë e keni parë lumin e gurëve që ka rënë mbi punonjësit e policisë.

Pyetje: Për përdorimin e gazit lotsjellës në zona ku kishte qytetarë?

Skënder Hita: Policia vepron në bazë të planit operacional dhe të gjithë kanë qenë në lartësinë e detyrës. Sa i përket gazit që është hedhur, përdorimi i tij ka qenë i domosdoshëm, pasi sasia e gurëve që hidheshin ishte shumë e madhe.

Ora 16:19
Protestuesit plaçkitën banka e institucione financiare, paralajmëron kryepolici Hita: Nëse sulmet vijojnë, jemi gati të tregojmë forcën e ligjit!

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, është shprehur se nëse protestuesit do të vijojnë sulmet dhe aktet e dhunshme ndaj bankave dhe institucioneve të tjera financiare, atëherë sipas tij Policia do të tregojë forcën e ligjit.

Pyetje e gazetarit: Disa institucione financiare apo edhe biznese kanë ngritur akuza se protestuesit kanë marrë sende me vlerë në këto biznese. A është bërë i mundur identifikimi i tyre dhe si do të veprohet?

Kryepolici Hita: Deri në këto momente janë arrestuar persona për kryerjen e këtyre veprimeve dhe janë ngritur akuza për vjedhjen e bankave dhe institucioneve të kursimit. Edhe sot në drekë u dëmtua një institucion financiar dhe policia ndërhyri dhe ka arritur të identifikojë disa prej tyre. Nëse protesta do të vijojë në këtë ritëm, ne jemi të gatshëm të tregojmë forcën e ligji.

Ora 16:12
Të arrestuarit për aktet e dhunës gjatë protestave, Hita: Kemi të gjitha pamjet filmike, është bërë dokumentimi real i veprës penale

Kryepolici Skënder Hita është shprehur se forcat e rendit po bashkëpunojnë me Prokurorinë e Tiranës për të dokumentuar të gjitha skenat e dhunës gjatë protestave të fundit.

Gazetarja e Report Tv, Keti Banushi: Zoti Hita keni arrestuar shumë persona, por të paktën nga protestat e mëparshme, ju i arrestoni dhe ata lirohen, sepse nuk ka prova të mjaftueshme. Këtë radhë a keni prova të mjaftueshme dhe a keni bashkëpunuar ngushtë me Prokurorinë e Tiranës?

Kryepolici Skënder Hita: Që në momentet e para është bashkëpunuar ngushtë me Prokurorinë e Tiranës. Janë përfituar të gjitha pamjet filmike të personave që kanë kryer këto akte dhune. Janë identifikuar dhe kapur në flagrancë edhe personat e tjerë që kanë dëmtuar bizneset. Është bërë një dokumentim real i gjithë veprës penale, pavarësisht vendimit që ka gjykata kryesisht për protestat që zhvillohen në Shqipëri.

Ora 16:06
Protestat e dhunshme, Hita: Distancohuni nga të maskuarit! Mos e ngatërroni vetëpërmbajtjen me dobësinë, Policia nuk tërhiqet, do përballeni me ligjin

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita thotë se të gjithë personat që kanë ushtruar dhunë ndaj efektivëve, institucioneve dhe pronës publike e private do të identifikohen dhe do të përballen me ligjin. Hita u bëri thirrje protestuesve të distancohen nga personat e maskuar dhe të dhunshëm, ndërsa efektivëve u kërkoi profesionalizëm dhe vetëpërmbajtje, por pa u tërhequr përballë dhunës. 

"Çdo sulm ndaj uniformës së Policisë është sulm ndaj shtetit ligjor dhe shtetit. Kush ka ushtruar dhunë ndaj Policisë, ka dëmtuar institucionet, pronën publike dhe private, do të identifikohet dhe do të përballet me ligjin. Ju kërkoj që të tregoni profesionalizëm, vetëpërmbajtje dhe të mos provokoheni, por mos u tërhiqni.

Pjesëmarrësve u bëj thirrje të distancohen nga personat e maskuar dhe të dhunshëm. Përgjegjësia është individuale. Do të përballeni me ligjin. Ndaloni dhunën ndaj Policisë! Çdo akt dhune rrezikon jetën dhe shëndetin e qytetarëve. Mesazhi është i qartë dhe i prerë: Mos e ngatërroni vetëpërmbajtjen me dobësinë. Policia nuk tërhiqet përballë dhunës. Institucionet dhe qytetarët do të mbrohen", thotë Hita. 

Ora 16:04
Protestat e dhunshme, Hita: Individë të rekrutuar për qëllime të errëta të organizatorëve, brenda dhe jashtë vendit! Policia s'është pronë e asnjë partie

Kryepolici Skënder Hita u bëri thirrje protestuesve gjatë një konference për mediat që të ndalin sulmet ndaj institucioneve, bizneseve private dhe uniformave blu.

Hita tha se misioni i Policisë është të mbrojnë jetët dhe pronën, teksa tha se protestuesit e dhunshëm nuk janë studentë. Ai shtoi gjithashtu se nuk janë studentët ata që udhëheqin protestën me shembullin e dhunës, por sipas tij, janë 'individë te rekrutuar për qëllimet e errta të organizatoreve te vërtetë te kësaj proteste, brenda  e jashtë vendit.'

"Policia e Shtetit nuk është pronë e asnjë partie politike. Ajo është institucion i Republikës, në shërbim të ligjit dhe qytetarëve. Misioni ynë është të mbrojmë jetën, pronën, institucionet dhe rendin publik, pa dallim. U bëj thirrje prindërve, mësuesve dhe pedagogëve të mos lejojnë që nxënësit e gjimnazeve dhe studentët të përdoren apo të përfshihen në akte dhune të organizuar. Të rinjtë kanë të drejtë të protestojnë, të kërkojnë dhe të kundërshtojnë, por askush nuk duhet t’i përdorë si mburojë për të sulmuar institucionet, për të djegur dhe shkatërruar pronën e qytetarëve. Siguria dhe e ardhmja e tyre janë përgjegjësi e përbashkët e familjes, shkollës dhe e shtetit.

Pas maskave qe udhëheqin protestën me shembullin e dhunës, nuk janë studente, por janë individë te rekrutuar për qëllimet e errta të organizatoreve te vërtetë te kësaj proteste, brenda  e jashtë vendit. Fakti eshte se nga te gjithe te ndaluarit natën e parë të protestës së dhunshme asnjë nga personat  nuk rezultoi student. Ndërsa nga të ndaluarit e natës së dytë pas djegies e plaçkitjes masive, një numër shumë i vogël ishin studentë", tha mes të tjerash Hita.