Princi i kurorës së Arabisë Saudite ka rol në vrasjen e gazetarit Jamal Kashogi. Kështu janë shprehur senatorët amerikanë pas një seance private informative nga CIA. Pjesëtarë të Komitetit të Marrëdhënieve të jashtme në Senat nuk u rezervuan aspak pas seancës informuese me drejtoren e CIA-s, Gina Haspel.
Senatori Lindsey Graham u deklarua i bindur se Mohammed bin Salman ishte bashkëfajtor në vrasjen e Khashoggit. Republikani nga Karolina e Jugut e përshkroi princin saudit si një “shkatërrimtar”, “të çmendur” dhe “të rrezikshëm”. Senatori tha se nuk mund ta mbështesë më përfshirjen e Arabisë Saudite në luftën e Jemenit, apo shitjen e armëve te qeveria saudite, për sa kohë që princi i kurorës mbetet në pushtet.
Pikëpamjen e tij e ndau edhe senatori demokrat i Nju Xhersit, Bob Menendez. Sipas tij “Shtetet e Bashkuara duhet të japin një mesazh të qartë dhe të paekuivok se, të tilla veprime janë të papranueshme në arenën botërore”. Ndërsa senatori tjetër Bob Corker tha se “Nuk kam as më të voglin dyshim në mendjen time se princi i kurorës MBS urdhëroi vrasjen, duke e përmendur vetëm me iniciale princin. Nëse ai do të mund të dilte përpara një jurie amerikane, ai do të shpallej fajtor brenda 30 minutash. FAJTOR!” u shprej republikani, nga Tennessee.
Corker sugjeroi madje se presidenti Donald Trump e kishte miratuar vrasjen e gazetarit, me refuzimin e tij për të dënuar princin saudit të kurorës. Në Arabi, ndërkohë, janë akuzuar 11 persona si të dyshuar apo të përfshirë në vrasjen, por mohojnë me këmbëngulje që princi i kurorës të ketë qenë i përfshirë. Ndërkohë edhe Turqia po kërkon arrestimin e dy aleatëve të Princit të Kurorës, Mohammed bin Salman për vrasjen e Jamal Khashoggit. Prokurorët shprehen se ekziston një ‘dyshim i fortë’ se shefi i këshilltarit të gjykatës mbretërore Saud al-Qahtani dhe nënkryetari i inteligjencës Ahmed al-Asiri ishin ndër planifikuesit e vrasjes së 2 tetorit në konsullatën saudite në Stamboll. “Veprimi i prokurorisë për të lëshuar urdhër-arrest për Asirin dhe Qahtanin pasqyron pikëpamjen se autoritetet saudite nuk do të ndërmarrin veprime zyrtare kundër atyre individëve. 59-vjeçari, Khashoggi u vra pas një vizite në konsulatën saudite në Stamboll më 2 tetor.