Pas publikimit të rezultateve të provimeve të vjeshtës për të gjithë ata maturantë të cilët rezultuan mbetës në sesionin e parë, Ministria e Arsimit ka publikuar tashmë udhëzimin për të gjithë kandidatët të cilët dëshirojnë të tërheqin një kopje të provimit të tyre, në rast se nuk pranojnë rezultatin e dhënë. Por pavarësisht se kandidatët do të kërkojnë këtë fotokopje të testit, për ta nuk do të ketë rishikim të provimit. “Bazuar po në rregullore, AKP nuk bën rishikim të testeve, vetëm në rastin e gabimeve teknike si sekretime gabim, hedhje pikesh gabim” thuhet në udhëzim. Kandidatët të cilët do të kërkojnë një fotokopje të testeve gjuhë shqipe e letërsi, matematikë dhe lëndë me zgjedhje duhet të dorëzojnë pranë shkollës ku ai ka aplikuar A1 ose A1Z, brenda datës 10 tetor 2014 kërkesën së bashku me mandatin e faturës së pagesës prej 400 lekësh. Më pas do të jenë drejtoritë e shkollave ato që do të dërgojnë listat pranë Komisionit të Maturës Shtetërore. Pas përpunimit të të dhënave, AKP dërgon në çdo DAR/ZA-, fotokopjet e testeve brenda datës 20 tetor 2014.