Prozë poetike, Ah, gratë që s’bëjmë
dot pa to!

Prozë poetike, Ah, gratë që s’bëjmë<br />dot pa to!
Ah, kjo zemra
 
     Ju dashuri të vjetra, i hapni rrugën dashurisë së re. Ajo po vjen, siç kini ardhur ju dikur, e bukur, magjepsëse, e ndrojtur, e pafajshme. Shkon drejt e në strehën e saj të përjetshme. Te zemra, nga kanë kaluar tërë dashuritë e botës. Ajo ka vend për të gjithë, ashtu siç është bujare dhe djallëzore, besnike dhe e pabesë, trime dhe frikacake. I pranon ngado që të vijnë, i përkëdhel e i dalldis, i gëzon e trishton, i ngre në qiell e i rrëzon në tokë. Ah, kjo zemra, përsërit të njëjtat situata, pa kthyer vështrimin prapa. Duket se çdo gjë harron për të filluar rishtazi nga e para. Sepse ç’ka ndodhur, tanimë është e kapërcyer, i takon të kaluarës dhe këtë të kaluar ajo e shpërblen. E kthen në kujtim!
 
 
Gratë
 
     Askush s’mund ta mohojë se gratë janë të bukurat e dheut. Pa to bota do të ishte një shkretëtirë pa anë e pa fund. Me to një parajsë mbi tokë, ngritur në zemrat fisnike.
     Gratë, e kush veç atyre lind dhe zbukuron jetën, ëmbëlson shpirtrat, nderon bukurinë, bart virtytin, zgjon ëndrrat, forcon zemrat.
     Gratë, si të gjithë njerëzit, të ëmbla dhe të hidhura. Bletë që të pickojnë e të ëmbëlsojnë. Grerëza që të pickojnë dhe për një çast të hidhërojnë.
     Ah, gratë që s’bëjmë dot pa to!
 
 
Rri e mendoj
 
     Rri e shikoj e rri e mendoj kur gjendem në mes natyrës së hapur dhe më pushton dëshira të bëhem një me çdo pjesë të saj:
     Të hyj brenda asaj peme plot gjethe që lodrojnë qetësisht me erën e mbrëmjes.
     Të hyj brenda atij shkëmbi që vështron përjetësisht horizontin.
     Të hyj brenda asaj fushe të gjelbëruar dhe të marr frymë lirisht bashkë me të.
     Të hyj brenda atij mali madhështor dhe të ndjehem aq krenar sa ai.
     Të hyj brenda atij lumi që rrjedh vrullshëm dhe të notojmë së toku.
     Të hyj brenda asaj reje që lëviz gëzueshëm nëpër qiell dhe unë të fluturoj.
     Të hyj brenda asaj rreze dielli dhe të ndriçoj gjithësinë bashkë me të.
Të hyj brenda teje, e dashur, e të bëhem njësh me bukurinë, për t’i dhënë botës fytyrën tënde njerëzore.
 
 
Ti
 
Ti, çasti i pamat i kohës së përjetësisë. Ti, fija e segmentit që bashkon qiellin me tokën.
Ti, kufiri në mes të sotmes dhe të nesërmes. Ti, ndeshja e përhershme midis kujtesës dhe harresës. Ti, fqinjërimi i gëzimit me dhimbjen. Ti, caku midis afrimit dhe largimit. Ti, bashkimi dhe distanca e kohës dhe e hapësirës. Ti, lojë e shpirtit tim të magjepsur.
 
 
PO apo JO
 
Ah, çfarë magjie kanë në dashuri një PO apo një JO. Njëra ngazëllim e triumf, tjetra mynxyrë e rrënim. Njëra shfrim e hapësirë, tjetra kujë e gropë. Njëra muzikë e harmoni, tjetra zhurmë e kakofoni. Dy tinguj marramendës, njëri të bën me krahë e të ngjit në qiell, tjetri të bie në kokë e të rrëzon përtokë. Janë vetëm dy tinguj të muzikës, që i zgjon zemra njerëzore.
 
 
Lulja e mbrëmjes
 
Kjo lule, që as emrin nuk ia di, nuk çel në mëngjes si të gjitha lulet, por në mbrëmje. Pret sapo perëndon dielli dhe kur bien hijet e para të ndajnatës ajo vjen e gjallërohet, sikur shkund vetveten dhe dalëngadalë petalet e mbledhura si krah zogjsh zënë e hapen në fshehtësi. Edhe në dritën e mugët, ato joshin syt’ e mi dhe më bëjnë të dalloj trajtën e kërcellit dhe ngjyrën e kuqe të petaleve. Përkulem dhe e sodis, ndërsa nga brenda diçka më fërgëllon. Ndjej tek kjo lule jetën që shpërthen dhe më bëhet si një qenie e veçantë e natyrës që zgjohet e lulëzon edhe pse dita ka perënduar dhe drita po bëhet firë. Atëherë sepse më shkon mendja te qenia jonë njerëzore, burrë apo grua qoftë, që çel e lulëzon qoftë dhe në mbrëmje të jetës. Hap dyert e zemrës apo flatrat e shpirtit, rrezaton ngjyra e lëshon tinguj, shpërndan bukuri e fisnikëri përqark vetes si lulja mbrëmjes.
 
 
Lozonjarja e pazemër
 
Nuk deshi kurrë asnjeri, veç vetes. Bënte sikur dashuronte, por e mbushte kohën me dashurinë e të tjerëve, ngaherë në pritje të tyre. Fjalë ëmbëlcake, premtime të bukura, ledhatime, komplimente. Kurse brenda saj asgjë, boshësi. Ata që i silleshin përqark qenë si satelitë kozmikë. Vërtiteshin me muaj e me vite deri sa një ditë digjeshin. Digjeshin nën këmbët e saj dhe asaj thuajse nuk i bënte asnjë përshtypje, përveç një lehtësimi sikur t’i qenë larguar grerëzat nga vetja. Por nuk i bëhej vonë. Ajo e dinte se pas tyre prisnin të tjerë në radhë. Varej prej saj se kujt do t’i vinte syrin, syrin e bukur, por të ftohtë dhe indiferent. Ndërsa ata, të dalldisur, prisnin me padurim, pavarësisht se ç’ndodhte me të. Ç’ndodhte me natyrën e saj lozonjare. Ajo tani ishte bërë mjeshtre, si t’i afronte e si t’i largonte ata që i kish dehur bukuria e saj lojcake dhe padashur binin në kurth. Gjithë magjia e saj e fshehtë kish të bënte me taktikën dinake: të merrte dashuri nga të tjerët dhe të bënte sikur u jepte, ishte ky një rit i saj i përhershëm që ajo e arsyetonte me vetëpërmbajtjen e një vajze serioze, por që s’kish asgjë të përbashkët me dashurinë. E megjithatë ajo hiqej e dashuruar dhe joshte djemtë përmes bukurisë së saj, lojës së fjalëve, kurthit të vështrimeve, përkëdheljeve formale, tonaliteteve të zërit, lëvizjeve lojcake të trupit. Të gjitha këto të shoqëruara me ca premtime të mjegullta e shprehje dykuptimshme, me zemërime kalimtare e qejfmbetje, me afrime e largime si loja kukamçefti. Natyra e saj ishte aq e llogaritur, sa e shprehte këtë në veprime, në gjeste, në emocione, në një drejtpeshim të admirueshëm, që u imponohej dhe i bënte të tjerët pa kuptuar për vete.

Kështu do të kalonin vitet e saj dhe vitet e tyre. Ata s’arrinin të kuptonin se ç’bënte koha me ta. Mbi të gjitha me lozonjaren, që natyra i kish dhënë aq bukuri, aq shkathtësi, aq dredhi e veçanërisht aq prirje për të lodruar me të tjerët, në një fushë ku zbriste e pulsonte zemra e sa e sa djemve, por vetëm zemra e saj mungonte. Ajo luante me arsyetime fjalësh deri sa erdhi një ditë që bukuria ju vyshk, gazi iu zbeh dhe zemra ju rrudh, sa nuk ishte në gjendje ta bashkonte jetën me dikë që vetëm e kish ëndërruar vagëllimthi dhe asgjë më tepër.

Redaksia Online
(Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Si do e drejtojë Kuvendin Elisa Spiropali krahasuar me Lindita Nikollën?



×

Lajmi i fundit

Gjirokastër/ Makina përplas këmbësorin teksa kalonte rrugën, 62- vjeçari dërgohet në spital

Gjirokastër/ Makina përplas këmbësorin teksa kalonte rrugën, 62- vjeçari dërgohet në spital