16 deputetët ministra që do të japin dorëhqjen do të zëvendësohen me deputetët nga listat shumëemërore të dalë nga zgjedhjet e 23 qershorit, procedurë kjo që pritet të përfundojë brenda një muaj.
Për të arritur deri në fund të këtij procesi zvendësuses më parë duhen ndjekur disa hapa ligjor që janë të përcaktuar në Kushtetutën e Shqipërisë, Rregulloren e Parlamentit si dhe Kodin Zgjedhor.
Procedurat nisin që në seancën e parë parlamentare, ku Kuvendi, zgjedh një Komision të Përkohshëm më 9 anëtarë për Verifikimin e Mandateve të anëtarëve të Kuvendit.
Ky komision shqyrton dokumentacionin përkatës të zgjedhjeve dhe brenda 2 ditëve i paraqet Kuvendit në seancë plenare raportin për vlefshmërinë e mandateve të deputetëve të Kuvendit. Në nenin katër të Rregullores së Kuvendit është përcaktuar qartë se veprimi pasues që do të bëhet nga 140 deputetët do të jetë pikërisht betimi i tyre për mandatin e deputetit.
Menjëherë pas betimit në mënyrë individuale, pritet që të 16 ministrat e PS dhe LSI do t’i drejtohen me një kërkesë zyrtare Kuvendit të Shqipërisë për t’u dorëhequr si deputetë dhe më tej Parlamenti do të njoftojë KQZ-në për vakancën e krijuar. Por,organi më i lartë zgjdhor e ka të pamundur të mandatojë 16 deputetët e rinj, kjo për shkak të mungesës së kuorumit prej 5 votash “pro” të anëtarëve të KQZ, duke detyruar sërish mazhorancën të çojë çështjen e mandateve në Kolegjin Zgjedhor.
Pra ashtu si në rastin e certifikimit të rezultatit të zgjedhjeve të 23 qershorit, pritet që të jetë po Kolegji Zgjedhor ai që do të bëjë të mundur mandatimin e deputetëve të rinj,të cilët do të përfitojnë postin e deputetit pas dorëheqjeve. Ndërsa dihet se cilët janë ministrat që do të dorëzojnë mandatet, nuk ka ende një listë të saktë të atyre që do të vijnë në Parlament. Kjo, pasi Kodi Zgjedhor në nenin 164, pika 2 e tij, këtë herë parashikon që nëse mandatin e dorëzon një grua, atëherë vendin e saj duhet ta zërë po një grua.
Dhe kjo bën që në Parlament vendin e një gruaje të mos e zërë automatikisht pasardhësi në listë, por gruaja e radhës, që mund të jetë edhe disa numra më poshtë. Madje, sipas Kodit, në nenin 174 të tij, parashikohet që në qarqet ku partitë nuk kanë respektuar ligjin për 30% gra në lista, edhe nëse ikën një burrë nga Parlamenti, ai duhet zëvendësuar nga një grua, që mund të jetë edhe e fundit në listë.
RAMA NUK LË MANDATIN
Vetë kreu i Partisë Socialiste dhe njëherësh kryeministri i zgjedhur Edi Rama nuk do të lërë mandatin e deputetetit. Edhe kreu i partisë më të madhe aleate në mazhorancë, Ilir Meta është shprehur pak kohë më parë në një intervistë për “A1 Report” që Rama nuk duhet të lërë mandatin e deputetit pasi ai ka shuëm përgjegjësi për mazhorancën e re. “Unë mendoj se nuk është diçka që bën sens, po të kemi parasysh se do të jetë jo vetëm Kryeministër, por normalisht edhe kryetar i mazhorancës parlamentare, që ka njëkohësisht përgjegjësi për vendimet e grupit parlamentar. Në këtë rast, sipas mendimit tim, kjo nuk ka sens”, është shprehur Rama.
HAPAT LIGJORË
NENI 164 I KODIT ZGJEDHOR
Ndërprerja e mandatit dhe zëvendësimi i vakancës
■ Mandati i deputetit, i fituar sipas neneve 162 dhe 163 të këtij Kodi, ndërpritet vetëm për shkaqet e parashikuara në nenin 71 të Kushtetutës. Nuk përbëjnë shkak për ndërprerje të mandatit marrëveshjet apo deklaratat paraprake individuale apo kolektive për heqje dorë nga mandati. Në rastin e shkronjave “a” dhe “b” të pikës 2 të nenit 71 të Kushtetutës, deputeti deklaron në mënyrë publike përpara komisionit përkatës të Kuvendit refuzimin për të bërë betimin ose heqjen dorë nga mandati. Në këtë rast Kuvendi, jo më vonë se 30 ditë, njofton KQZ-në për krijimin e vakancës.
■ Mandati i ndërprerë i kalon kandidatit vijues të listës së të njëjtës parti politike në zonën zgjedhore përkatëse. Në përjashtim nga ky rregull, kur vakanca i përket një mandati të fituar sipas pikës 6 të nenit 67, ajo plotësohet nga kandidati i parë në listë i gjinisë përkatëse, pavarësisht renditjes në listë.
■ KQZ-ja merr vendim për dhënien e mandatit kandidatit të radhës në listën e kandidatëve të regjistruar sipas nenit 67 të këtij Kodi. Vendimi i njoftohet kandidatit dhe botohet në Fletoren Zyrtare. Nëse kandidati i radhës nuk paraqitet në Kuvend brenda 30 ditëve nga njoftimi, pa shkaqe të përligjura, mandati i kalon kandidatit vijues të listës, sipas procedurës së parashikuar në pikën 1 ose 2 të këtij neni.
Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 30.08.2013
Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)