Partia Socialiste dhe ajo Demokratike në opozitë kanë rënë dakord për një draft të përbashkët për ligjin për financimin e partive politike që pritet të miratohet për herë të parë në vendin tonë. Kërkesa për një ligj të veçantë për financimin jashtë fushatave zgjedhore ka qenë e vazhdueshme nga institucionet ndërkombëtarë përfshirë OSBE-ODIHR, ndërsa tanimë drafti do të shkojë për konsultim publik e më pas të votohet në parlament
***
Punën e parë të përbashkët në dy komisionet e posaçme të reforma PS dhe PD prodhuan projektligjin që rregullon financat e tyre.
Drafti për financimin e Partive Politike, i pari posaçërisht për këtë qëllim, është gati me 25 nene dhe synojnë zëvendësimin e 15 neneve të përcipta në ligjin “Për partitë politike”.
Drafti i dakordësuar mes dy forcave më të mëdha politike parashikon një sërë ndalimesh se kush nuk mund të dhurojë para për partitë, duke përfshirë të gjitha kompanitë që kanë kontrata koncesioni, apo PPP.
Para nuk lejohet që forcat politike të marrin nga institucionet qeveritare ose joqeveritare të huaja, biznese dhe persona fizikë të huaj, dhuruesit anonim; bizneset e lojërave të fatit apo në fushën e kriptomonedhave; organizatat joqeveritare, humanitare, fetare apo sindikale. Edhe të dënuarit për korrupsion, pastrim parash, krim të organizuar apo trafikimit droge e krime zgjedhore nuk lejohet të kontribuojnë para në partitë politike.
Projektligji përcakton qartë që qytetarët e thjeshtë mund të dhurojnë për partinë deri në 200 mijë lekë në një vit, ndërsa personat që kanë një NIPT deri në 500 mijë lekë, dhe kompanitë deri në 1 milionë lekë për një vit.
Në momentin e dhurimit, të gjithë duhet të nënshkruajë një deklaratë, ku konfirmojnë se nuk ndodhet në kushtet e ndaluara nga ligji dhe mban përgjegjësi personale për çdo deklarim të rremë.
Projektligji parashikon që paratë e buxhetit të shtetit për partitë politike të shpërndahen përmes një Fondi Publik Vjetor, i cili nuk mund të jetë më i ulët se ai i vitit paraardhës në vitet jozgjedhore. Shpërndarja bëhet sipas performancës elektorale, 70% sipas numrit të deputetëve, 20% në mënyrë të barabartë për partitë parlamentare dhe ato me mbi 10 mijë vota, dhe 10% sipas përqindjes së votave për partitë mbi 1%. Paratë nga buxheti i shtetit jepen vetëm për partitë që dorëzojnë raport financiar, ndërsa një grant shtesë 5% ndahet për ato që promovojnë barazinë gjinore dhe përfshirjen e të rinjve.
Veç përfitimeve Partitë Politike pritet të përballen me gjoba milionëshe nëse shkelin ligjin dhe nuk dorëzojnë në kohë raportet financiare.
Nëse drafti miratohet forcat politike do të jenë të detyruara që në ëeb-faqet e tyre të publikojnë të gjitha të ardhurat dhe shpenzimet, dhe nëse nuk e bëjnë këtë gjoba shkon deri në 3 milionë lekë të vjetra.
Në rastet kur një parti politike nuk paguan detyrimet, të tilla si gjobat e vendosura nga KQZ-ja, detyrimet tatimore, atëherë shuma përkatëse i zbritet nga buxheti i që i ndahet partisë nga Fondi Publik, dhe në rast se shuma e detyrimeve të partisë politike është më e madhe sesa buxheti të cilin e përfiton nga Fondi Publik, partia politike nuk mund të merr pjesë në zgjedhje pa paguar detyrimin përkatës.
Sipas draftit të ri, KQZ ka të drejtë të bëjë një verifikim të thelluar sa i përket financimit të partive, dhe në rast se partia nuk bashkëpunon me informacion atëherë lind e drejta që ajo të kallëzohet në prokurori.
Në fund drafti projektligji parashikon shfuqizimin e 15 neneve të ligjit “Për Partitë Politike”, ndërsa në fuqi mbeten edhe nenet e Kodit Zgjedhor që normojnë financimet partiake në periudha zgjedhjesh.

Kliko këtu për të lexuar dokumentin e plotë
Komente












