Sali Berisha ka zbuluar më shumë armiq sesa Enver Hoxha dhe Stalini bashkë, tha Kreshnik Spahiu në “Sot Live në Shqipëri” në Report Tv. Analisti u shpreh se nuk ka asnjë parti në histori që të ketë krijuar kaq shumë fraksione.
“Me statistika, Sali Berisha ka shpikur dhe ka zbuluar më shumë grupe armiqësore brenda partisë sesa Enver Hoxha dhe Stalini së bashku. Realisht të dy partitë, qoftë partia komuniste e Stalinit, qoftë partia komuniste e Enver Hoxhës nuk kanë pasur kaq shumë përjashtime brenda tyre sa PD. PD e Berishës është e vetmja që nuk ka asnjë themelues të 8 dhjetorit në gjirin e saj, nuk ka të burgosurit politikë, asnjë nga ish-pronarët dhe disidentët politikë, është e vetmja që ka krijuar 17 partiza brenda saj në 36 vite. Nuk ekziston në gjithë historinë politike botërore një parti, qoftë komuniste, qoftë demokratike, që të ketë pjellë kaq shumë fraksione. Për hir të së vërtetës, këta nuk janë të gjithë tradhtarë. Nëse do të shikosh dobësinë e një partie, shikoje në armiqtë që ajo zbulon brenda saj”, tha Spahiu.
Ai shtoi se problemi qëndron te lideri i cili ka përzgjedhur anëtarët.
“Fakti që demokratët shiten, po e marrim opsionin, akuzën me të cilën Berisha anatemon kundërshtarët e tij brenda partisë, edhe në këtë rast tregon dobësinë e partisë, të lidershipit sepse ka qenë ai që i ka zgjedhur”, u shpreh Spahiu.
Lajmi kryesor:
Spahiu: Ndërkombëtarët po investojnë në largimin e Berishës dhe zgjedhjen e një lideri të ri në PD












