PS fushatë anëtarësimesh të reja edhe në njësitë rurale, Veliaj: Dera e hapur e PS do na sigurojë fitoren në zgjedhjet e ardhshme; Kur qeverisin socialistët, bëhet shtet

PS fushatë anëtarësimesh të reja edhe në njësitë rurale, Veliaj: Dera e hapur e PS do na sigurojë fitoren në zgjedhjet e ardhshme; Kur qeverisin socialistët, bëhet shtet

Veliaj me anëtarët e rinj të PS-së

Fushata e anëtarësimeve të reja në Tiranë vijoi në Njësitë Dajt, Zall-Bastar, Shëngjergj, Zall-Herr, Bërzhitë, Krrabë dhe Lagjen 12. Nga zona e njohur si “Fresku” në kryeqytet, drejtuesi Politik i PS për Qarkun e Tiranës, Erion Veliaj, bëri thirrje për rritjen e anëtarësimeve dhe mbajtjen e derës së hapur të partisë, për këdo që dëshiron t’i bashkohet familjes socialiste.

“Ne kemi nevojë për të gjithë! Për çunat, për gocat, për ata që punojnë në privat, për ata që vijnë nga emigracioni, për ata që mund të kenë ardhur sot në Tiranë, ose për ata që kanë 5-6 gjenerata në Tiranë. Ne kemi nevojë për të gjithë! Ajo që po më pëlqen nga kjo fushatë është numri i profesionistëve, i të aftëve, i të mirëve, i studentëve me 10-ta, i atyre që janë ekselentë, i atyre që janë të suksesshëm, të cilët po na bashkohen. Ta mbajmë hapur këtë derë dhe ta mbajmë hapur partinë, si e vetmja mënyrë për të siguruar të ardhmen dhe për të pasur një fitore edhe më të madhe vitin që vjen”, theksoi Veliaj.

Ai u shpreh se zonat rurale në kryeqytet kanë njohur rritje të vlerës së pronës falë investimeve dhe përmirësimit të infrastrukturës.

“Urbanizimi që ka ndodhur në Dajt është i pakrahasueshëm me asnjë vend tjetër. Dikur kjo lagje ka qenë komplet fshat, sot është një nga pjesët më të urbanizuara të qytetit. Sot vlera e pronës në Dajt, për shkak të kantiereve të reja të punës, ka kërcyer më shumë se kudo tjetër. Po kjo është gjë e mirë sepse të është dy-fishuar apo tre-fishuar vlera e shtëpisë. Për dikë që nuk i ka mundësitë, bashkia ofron kredi të butë me interes zero. Pra, në vend që të paguash qiranë, ti shkon paguan me ato lekë kredinë e shtëpisë, me interes zero”, tha ai.

Veliaj u shpreh se edhe kundërshtari më i madh i PS, ka fituar gjatë qeverisjes së socialistëve, pasi prona e tij vlen më shumë.

“Fakti që është rritur vlera e pronës, do të thotë se edhe ai që na shan dhe rri tërë ditën në divan duke dhënë mend se si bëhet kjo punë, është bërë më i pasur, edhe duke mos na votuar. Do të thotë se edhe duke ndenjur në shtëpi, duke qenë kundër këtyre zhvillimeve, duke organizuar protesta për çdo aktivitet, - për çdo rrugë, për çdo rrugë, për çdo investim, për unazën, për Astirin, për sheshin, për stadiumin, për pazarin, për bulevardin, për liqenin, për lodrat, - edhe kundërshtari më i madh sot është më i pasur. Kur qeverisin socialistët, bëhet qytet, bëhet shtet dhe përfitojnë të gjithë”, shtoi më tej ai.

Veliaj u ndal gjerësisht edhe te investimet në zonat rurale. Ai deklaroi se rezultatet pozitive në zgjedhje kanë ardhur falë punës së bërë.

“Njerëzit duhen trajtuar kudo njësoj. Është fakt se rruga në Zall-Bastar e ka bërë Zall-Bastarin të ndihet si një lagje e Tiranës, jo fundi i botës. Sot ke qejf të kalosh në by-passin që është bërë me “Rrugën e Arbrit”, dhe fakti që lidhja e “Rrugës së Arbrit” me Zall-Bastarin e kthen distancën në punë minutash, të jep kënaqësi ajo zig-zage mes pishave. Rezultati flet vetë. Njerëzit të japin besim aty ku ke punuar dhe aty ku ke mbajtur fjalën. Jam i bindur se tani që kthehemi me fjalën e mbajtur, me premtim të kryer dhe me një super rrugë të Shën Mërisë, që është dega më kryesore e gjithë asaj zone, do të kemi një rezultat edhe më të mirë”, deklaroi Veliaj.

Drejtuesi Politik i PS për Qarkun e Tiranës, vijoi turin e anëtarësimeve të reja më pas në Njësitë Petrelë, Farkë, Baldushk, ku nënvizoi se këto zona kanë pasur zhvillimin më të madh dhe kanë sjellë po ashtu një fitore të madhe për Partinë Socialiste.

“Kur jemi bashkë, marrim vendime të mëdha. Rruga e Taganit aty ka qenë, po ashtu edhe Rruga e Qehasë, - shumë prej nevojave që kemi pasur në komunitet, si qendra rinore që sapo hapëm në Petrelë, aty ka qenë, - por, kur ti je pjesë e një familjeje të madhe, ti merr vendime që nuk i merr dot vetëm. Ndaj bashkimi me këtë familje është propozim për të qenë pjesë e një shtëpie, e një çatie të madhe, e një grupi të madh ku marrim vendime shpejt, që na e ngrejnë kokën lart kur kthehemi në komunitet me fjalën e mbajtur. Nuk ka asnjë shpjegim tjetër fakti që, në të treja njësitë, kemi fituar me mbi 60% në zgjedhjet e fundit”, tha Veliaj.

Kryebashkiaku i Tiranës shtoi se Partia Socialiste i ka dyert e hapura për këdo që do të bëhet pjesë e forcës më të madhe politike në vend dhe e të vetmes forcë që çon vendin përpara.

“E vlerësoj jashtë mase faktin që tre njësitë tuaja e kanë kapur derën e PS në kohë, me shpresë për të mos e mbyllur më kurrë, për çuna dhe goca, për burra dhe gra, për gjyshër e gjyshe, për këdo që vjen nga emigracioni ose nga rrethe të tjera, apo edhe për ata që janë ‘den baba den’ këtu, sepse një shtëpi e madhe ka vend për të gjithë. Mesazhi është që po shtohet dera jonë, po hapet familja jonë, po bëjmë një krushqi të re, po na shtohet gjak i ri, do ketë të ardhme, do vazhdojë ky emër, kjo derë e madhe. Kur na vijnë çuna dhe goca të rinj, do të thotë se kjo forcë politike ka të ardhme, kjo shtëpi po shtohet dhe fitoret tona vetëm do të pasojnë”, nënvizoi Veliaj.

Në fund të fjalës, Veliaj tha se ndihet i lumtur dhe krenar për njerëzit që po i bashkohen Partisë Socialiste.

“Një nga gjërat që më ka pëlqyer shumë në turin e deritanishëm, është sa njerëz të mirë po bashkohen me PS-në. Kur them njerëz të mirë, flas për çuna dhe goca me 10-ta, me arsim të lartë, njerëz që punojnë në privat dhe nuk kanë asnjë nevojë nga shteti apo që kanë ardhur nga emigracioni. Kur them diçka të tillë, nuk është se them ndonjë hata të madhe, se njerëzit e mirë tek njerëzit e mirë do shkojnë, njerëzit e aftë tek njerëzit e aftë do shkojnë, njerëzit e talentuar do shkojnë te njerëzit e talentuar dhe njerëzit e punës do shkojnë te njerëzit e punës. Ndaj them që kjo është arritja jonë më e madhe, që po tërheqim pjesën më të mirë, pjesën më fituese dhe pjesën më të talentuar të shoqërisë”, përfundoi Veliaj.

Gjatë prezantimit të anëtarëve më të rinj në Njësitë Petrelë, Farkë, Baldushk, Veliaj ironizoi kundërshtarët politikë, kur tha se ata vetëm përjashtojnë njerëz nga partia e tyre dhe tani u ka mbetur vetëm Saliu. Ai tha se PD është bërë si Big Brother.

“Po të shikoni për shembull kush ka themeluar PD-në, nga 300 themeluesit ka mbetur vetëm Saliu, 299 të tjerët kanë ikur nga shtëpia. Është si Big Brotheri, kë do nxjerrim nga shtëpia sot. Ndërsa ne jemi si Big Brother-i por në kuptimin tjetër, kush do hyjë në shtëpi sot, për të mos dalë më kurrë dhe për të qenë pjesë e kësaj familjeje të madhe tonën. Ndaj, është shumë e rëndësishme të mikpresim njerëz, por unë besoj se jo vetëm numrat janë të rëndësishëm. Numrat kanë rëndësinë e tyre, kjo është arsyeja përse iu referova fitoreve tona, sidomos kësaj të fundit që ishte spektakolare në një zonë që s’ka qenë tradicionalisht e majtë, por edhe cilësia, edhe bindjet tona janë të rëndësishme”, vijoi ai.

G.K/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Kamberi: Nëse protestat 'shuhen', Vuçiç do e çojë Serbinë në diktaturë

Kamberi: Nëse protestat 'shuhen', Vuçiç do e çojë Serbinë në diktaturë