Ditën e sotme mazhoranca socialiste doli me një raport që kundërshtonte kërkesën e SPAK për arrestimin e Belinda Ballukut, e cila akuzohet për shkelje të barazisë në tendera dhe korrupsion.

Në studion e emisionit ‘5 Pyetjet nga Babaramo’ në Report Tv, deputetja socialiste Sara Mila tha se ky qëndrim i PS nuk e kufizon veprimtarinë e Prokurorisë së Posaçme. Kjo pasi sipas saj, SPAK mund të vijojë lirisht hetimet për Ballukun edhe pa e vendosur ish-zv.kryeministren në masën e sigurisë ‘arrest me burg’.

Mila shtoi se duke qenë se Balluku nuk i ka më funksionet ekzekutive, nuk janë kushtet që ajo të hetohet nën masën e sigurisë ‘arrest me burg’. Lidhur me deklaratat e SPAK se Balluku përmes personave me profil kriminal ka intimiduar dëshmitarët dhe ka ndërhyrë në prova, Mila theksoi se kjo gjë nuk është e vërtetë, pasi sipas saj, nuk ka asnjë provë që ta vërtetojë këtë.

“Nuk ka asnjë kufizim të rolit të SPAK, nuk ka asnjë dëshirë për të kufizuar rolin e tij dhe nuk ka një dëshirë të tillë as në qëndrimin që Grupi jonë Parlamentar do të mbajë për Ballukun. Nuk bëhet fjalë për imunitetin, kjo historia e imunitetit ka mbaruar në 2012, që do të thotë çdo përfaqësues i Kuvendit është lehtësisht i hetueshëm. Bëhet fjalë vetëm për të kufizuar apo jo lirinë e deputetit me anë të një autorizimi që kërkohet nga Kuvendi, siç është edhe rasti konkret. Përsa i përket rastit konkret, në asnjë moment ecuria e veprimtarisë së SPAK nuk cënohet. Historia është që në asnjë moment, edhe me çfarë Grupi i PS do të vendosë në datën 12, ecuria dhe veprimtaria e SPAK nuk cënohet. E para nuk kemi fakte apo një akuzë reale ku të kemi të bëjmë me intimidim, presion ndaj SPAK. Duke qenë se sot Balluku nuk e ka më funksionin e saj ekzekutiv, ajo sot nuk ka asnjë mundësi reale dhe as praktike për të bërë presion. Për aq kohë sa ajo nuk e ka funksionin ekzekutiv, bie poshtë edhe akuza se ajo mund të intimidojë apo të ndërhyjë në prova”, tha mes të tjerash Mila.

Ndërkohë analisti Gentian Gaba kishte një qëndrim krejt tjetër nga Mila, pasi sipas tij, mazhoranca socialiste ka marrë në mbrojtje Ballukun, duke mos lejuar Drejtësinë të bëjë punën e vet.

Gabaj shtoi se çështja Balluku po bëhet pengesë për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian. Teksa theksoi se PS po bëhet si gardh për mbrojtjen e Ballukut, Gabaj tha se Shqipëria do të sanksionohet nga BE nëse në Kuvend nuk votohet pro kërkesës së SPAK për heqjen e imunitetit të ish-zv.kryeministres.

Lidhur me planin e Edi Ramës për të ndërhyrë në kodin penal në mënyrë që drejtësia të mos pezullojë ministrat, Gabaj tha se kjo bëhet me qëllim që kryeministri të mbrojë veten dhe njerëzit e korruptuar pranë tij.

“Atë lloj amendimi që kanë çuar të kodit të procedurës penale, ju jeni në dijeni që në çdo vend të botës, kur një politikan merret i pandehur ndryshon politikani. Çfarë ndodh në republikën e Surrelit? Kur një politikane merret e pandehur, këtë ndryshojnë ligjin. Sot ishte një ditë shumë e rëndësishme jo vetëm për vendimin që morën këta, por sepse sot ishte një test kritik për Shqipërinë, përsa i përket raportit tonë me procesin e integrimit europian. Dhe këtë test kritik, zotëria aty përballë e dështoi. Ky shkoi në zgjedhje me premtimin se do na anëtarësonte në BE brenda 2030. Iku BE. Në radhë të parë BE do të thotë standard dhe barazi para ligjit. Rama thoshte burg, burg, burg për ndërtime pa leje dhe drita. Kanë vrarë veten njerëzit në burg. Kur vjen puna për politikanët që të përballen me drejtësinë, këta bëhen si gardh. Kjo është sfida kryesore që ne kemi në raport me BE-në dhe këta e kanë dështuar. Është një shuplakë shumë e rëndë sepse do na vijnë sanksione nga BE, do ngadalësohet procesi i integrimit. Rama ka të njëjtën taktikë me të cilën përdoret sot mbrojtja politike që ndodh në Teheran. Ata thonë ne do destabilizojmë vendin, mos na prekni. Ky thotë kam 83 mandate”, tha Gaba.

Nga ana tjetër, avokati Edmond Petraj deklaroi se SPAK ka problematika të shumta, por shtoi se nuk kishte shenja të qarta se kryeministri Rama dhe mazhorancë po cënonin punën e Drejtësisë.

“Rama preku disa elementë të problematikave që sot Drejtësia ka. Drejtësia ka shumë problematika, të gjitha ato që Rama po prek sot, ne i kemi thënë që nga 2018. Problematika do dalin rrugës, drejtësia do 20 vite që të shtrohet. Rrezikun do ta shikosh në një moment kur ai të ndërhyjë te Kushtetuta. Nëse ndërhyn në Kushtetutë për disa elementë të caktuar te reforma, aty mund të shikosh se po vërtet Rama po ndërhyn në Kushtetutë për të delegjitimuar apo për të ngadalësuar pjesën e dinamikës së betejës së SPAK”, tha Petraj.

Për Ermal Peçin, Edi Rama nuk e ka dashur SPAK-un që në ditët e para të krijimit të tij, por sipas analistit, kryeministri ka qenë i detyruar nga SHBA dhe BE për të votuar Reformën në Drejtësi.

“Edi Rama që në ditën e parë nuk e ka dashur SPAK-un, por i është imponuar vullnetit të SHBA-së dhe BE-së që është votuar me 140 deputetë. Sepse si ta kuptojmë ne që Rama e do drejtësinë. Nëse Rama do e donte drejtësinë nuk merrte pranë vetes Vangjush Dakon, Arben Ahmetajn, Ilir Beqajn dhe të tjerët. Ky ka qenë vullneti politik i Ramës. Sot Rama fliste në emër të ligjit, fliste sikur ishte gjykatës. Rama dhe PS duhet ta lejojnë Ballukun që të përballet me Drejtësinë”, tha Peçi.

Lidhur me pretendimet e SPAK se Balluku ka intimiduar përmes disa personave me profil kriminal dëshmitarët dhe ka ndërhyrë për prishjen e provave, avokati Petraj deklaroi se ato nuk qëndronin, pasi sipas tij, në rast se këto pretendime do të ishin të vërteta, Prokuroria e Posaçme do i kishte arrestuar personat që kanë kryer kërcënimet.

“Ka dy gjëra, e para thonë që nuk marrim dot dokumentacionin, gjë që nuk shkon se ata kanë gjithë tagrin të marrin dokumentat. Dhe pjesa tjetër është se janë intimiduar disa persona, etj. Kjo marrëdhënie do të shkonte përshtat kur ti si strukturë për personat që kanë bërë kërcënimet, do filloje t’i arrestoje ata sipas atij përgjimi”, tha Petraj.

Drejtuesi i emisionit, Ilir Babaramo, ka ndërhyrë në debat duke shprehur habinë për qëndrimin e mazhorancës kundër heqjes së imunitetit të Ballukut.

“Ahmetaj për çështje hidrosanitare u arrestua. Beqaj për 500 mijë euro, për disa fatura te restoranti i tij. Ndërsa këtu kemi për 50 milionë euro. Ata i dorëzoi menjëherë, ndërkohë këtu...”, tha Babaramo.

Për Sara Milën, momenti në të cilin ndodhet sot SPAK është shumë i rëndësishëm, pasi sipas saj, do të vendoset nëse kjo Strukturë e Posaçme do të maturohet, apo do të shkojë drejt shkatërrimit.

“Nuk është për 50 milionë euro, por akuza është për shkelje të barazisë në tendera. Zotëri nëse ti do të mendosh se Balluku ka marrë 50 milionë euro dhe i ka futur në xhep, je i lirë ta bësh këtë. Ahmetaj nuk është burimi i informacionit në këtë situatë. Në ato që SPAK ka sjellë është e palogjikshme për ne si Grup Parlamentar... Ne nuk jemi këtu as për të mbrojtur njërin prej nesh dhe as për t’i thurur lavde ndonjërit prej nesh, edhe pse nëse është e nevojshme mund të bëhet edhe kjo, sepse ne i besojmë kolegëve socialistë. Ky moment përcakton nëse Reforma në Drejtësi do të maturohet apo do të përfundojë duke u shkatërruar. Është një llogjikë e thjeshtë që po tregon të gjitha ngërçet që ajo ka pasur prej fillimit”, tha Mila.

Hetimet e SPAK për Ballukun, Gaba i cilësoi si një ‘futje’ të Prokurorisë së Posaçme në zyrën e kryeministrit Edi Rama, duke thënë se shefi i Ekzekutivit është në rrezik.

“SPAK ka hyrë brenda zyrës së Ramës. Nëse një personi i ikin gjithë personat më të afërt, ose është bashkëpunëtor me ta, ose minimalisht është i paaftë”, tha Gaba.