Në pritje të një qëndrimi nga mazhoranca për “çështjen Balluku” kryeministri Edi Rama do të mbledhë nesër në Pallatin e Brigadave ministrat e deputetët. Mbledhja vjen 3 ditë pasi prokurorët e SPAK me argumente shtesë i kërkuan kuvendit autorizim për arrestimin e zv/kryeministres Balluku.

I ftuar në emisionin “Repolitix” me gazetarin Denis Minga në Report Tv, analisti Ilir Demalia se rasti i zëvendëskryeministres Belinda Balluku është kthyer në një “gjyle” në këmbët e Ramës. Gjithashtu, Demalia thotë se uniteti i Partisë Socialiste tashmë është në provë.

“Unë them që nesër grupi parlamentar i PS, i cili ka një shumicë absolute, nuk do ta lejojë heqjen e mandatit. Rama do ta largojë nga qeveria ose do të dorëhiqet Balluku, ose do të rikrijojë një qeveri të re me emra të rinj. Tashmë çështja Balluku është bërë një gjyle në këmbët e Ramës që ka bllokuar shtetin dhe administratën për të shkarkuar gjithë presionin që ka qeveria. Këtu kemi një problem të madh të drejtësisë për të bërë drejtësi apo për të ndryshuar politikën duke përdorur drejtësinë. Shumë kohë është folur për përçarjen në PS, nesër do të shihet nëse ka pasur apo grup kundër Ramës, sepse mund të votojnë pro heqjes së imunitetit dhe PS shkon në krizë”,- tha Demalia.

Avokati Arbër Hoxha thotë se nëse mazhoranca refuzon të lejojë Prokurorinë e Posaçme që të arrestojë Ballukun, Rama do të jetë i detyruar që ta largojë totalisht nga qeveria.

“Nesër do të vendoset mbi fatin e heqjes apo jo të imunitetit. Nëse do të rrëzohet kërkesa e SPAK për heqjen e imunitetit, Balluku nuk mund të jetë më as zv.kryeministre as ministre për të thënë ne e hoqëm kërkesën e imunitetit sepse nuk ka mundësi të prishë provat, të intimidojë dëshmitarët etj. SPAK-ut i lind e drejta të kërkojë një masë tjetër më të butë. Gjuha e trupit tregon shumë dhe zonja Balluku u habit kur Rama tha se ajo ka dhënë 3 herë dorëheqjen”,- tha Rama.

Arian Galdini është i bindur se kryeministri Rama do ta “lëshojë” Ballukun, si e vetmja mënyrë që qeverisja e tij të vazhdojë në mënyrë demokratike.

“Ai në këtë pikë po tenton që ta bëjë çështjen Balluku si prag, dilema në të cilën është Rama nëse do të qëndrojë si qeverisje demokratike apo fortesë. Nesër Edi do të përpiqet të kthejë mendimin e tij të përbashkët, mendim personal, në mendim kolegjial. Edi Rama nesër do të përcjellë Ballukun: Erdhi koha për t’u ndarë, ka kohë që po ia këndon atë këngë ai”,- tha Galdini.

Avokati Rezart Kthupi thotë se Partia Socialiste nuk do t'i heqë imunitetin e deputetit Belinda Ballukut me arsyetimin se provat e paraqitura nga SPAK në Kuvend nuk janë të mjaftueshme për të pranuar kërkesën e prokurorëve të posaçëm.

"Imuniteti nuk hiqet sepse objektivisht që provat që ka çuar SPAK-u në Këshillin e Mandateve nuk janë të mjaftueshme për të hequr imunitetin e Ballukut, dhe kryeministri mund ta largojë nga qeveria me një arsyetim shumë të thjeshtë, për sa kohë Gjykata Kushtetuese ka qenë në fuqi pezullimin, pengohet funksioni",- tha Kthupi.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 23:03
‘Shpërthen’ Galdini: Drejtuesit e PD janë impotentë, të tredhur dhe eunukë! S’kanë objektiv të vijnë në pushtet

Politikani Arjan Galdini është shprehur se opozita në Shqipëri dhe konkretisht PD si partia më e madhe opozitare, nuk kanë asnjë objektiv për të ardhur në pushtet.

Komentet Galdini i bëri në emisionin ‘Repolitix’ me gazetarin Denis Minga në Report TV, ku i cilësoi përfaqësuesit e opozitës si impotentë.

“Për opozitën unë di të them vetëm kaq. Opozita shqiptare ka kohë që nuk ka asnjë objektiv pushteti. Dhe një opozitë që nuk ka asnjë objektiv pushteti, mos dëgjo retorikën, veprimet e tyre flasin që ata nuk kanë qëllim të vijnë në pushtet. Dhe ata e dinë që nuk vijnë në pushtet. Dhe ata janë të qartë që janë impotentë, të tredhur, eunukë. Mos më nxirr Gaz Bardhin që mos të duket sikur e kam me të. Më nxirr Mulin”, tha mes të tjerash Galdini.

Galdini vijoi më tej duke thënë se e gjithë loja e PD-së dhe Sali Berishës është që të mbajnë kryeministrin Edi Rama në pushtet.

Lidhur me protestat e fundit të Berishës, Galdini tha se kryedemokrati po përpiqet që përmes molotovit dhe fishekzjarreve të japë idenë sikur në Shqipëri po bëhet luftë, kur në fakt sipas tij nuk po ndodh asgjë.

“Opozita e di që nuk do të vijë në pushtet dhe ka vetëm një lojë në këtë mes, që të mbajë yllin polar në pushtet, të mbajë Edi Ramën në pushtet. Po lëvizi Edi Rama nga pushteti, rënia e Ramës si kryeministër, bie një konjukturë e tërë marrëveshjesh të pista që la bërë klasa politike në 36 vite. Edi Rama është i vetmi shpëtim. Po të shikoni ata kanë ndarë edhe zonat e influencës. Sali Berisha ndihmon në promovimin e Ramës si i vetmi faktor stabiliteti dhe si i vetmi lojtar politik që mund të hyjë në sallonet ndërkombëtare. Dhe për t’i dhënë pak esencë pikante lëvizjeve të Ramës në korridoret ndërkombëtare, Berisha fut pak zjarr, pak fishekzjarre. Berisha dikur hidhte molotov, tani hedh fishekzjarre. Ai bën skenografi për idenë e luftës, të bëjë show”, shtoi Galdini.