TIRANË- Shkodra ka refuzuar Sali Berishën dhe Ilir Metën, duke bërë që për herë të parë që nga komunizmi, kjo Bashki të drejtohet nga socialistët. Benet Beci ka bërë histori në zgjedhjet e 14 majit duke fituar në një bastion historikisht demorkrat dhe kjo fitore ka qenë me një diferencë të thellë me rreth 11 mijë vota më shumë. Referuar të dhënave zyrtare, Benet Beci ka marrë 34302 vota, e ndërsa Bardh Spahia i koalicionit “Bashkë Fitojmë” mori vetëm 22678 vota.

Ndonëse Berisha dhe Meta bashkuan forcë dhe Partia Demokratike e Enkelejd Alibeajt nuk nxori një kandidat të sajin, kjo nuk mjaftoi që të merrnin Bashkinë e Shkodrës, e cila ishte aq shumë e dëshiruar edhe nga socialistët prej vitesh.

Benet Beci ka shërbyer si drejtor i Fondit Shqiptar të Zhvillimit për më shumë se një dekadë para se të angazhohej në politikë për Partinë Socialiste. Ai është zgjedhur deputet më 2021 në qarkun Shkodër, e ndërsa në këto zgjedhje zgjodhi të linte mandatin për të marrë një detyrë të re atë të drejtimit të qytetit.

Pas humbjes, Bardh Shpahia ka hedhur akuza në drejtim të kundërshtarit.

“Çdo pushtet i dalë nga bota e krimit dhe paratë e pista nuk jeton gjatë, ndërsa shpirti i lirë i Shkodrës i ka rezistuar edhe kohëve më të errëta. Mirënjohje për të gjithë qëndrestarët dhe ata që nuk bëjnë kompromis për lirinë”, shkruan Spahia.

Mbetet për t’u parë se si do të jetë ndarja e mandateve në Këshillin Bashkiak.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 18:51
PS fitore historike në Shkodër, Benet Beci: Mirënjohës demokratëve për besimin, obligim që t’ua kthejmë në punë

 

Pas fitores historike të PS në Shkodër, Benet Beci në një dalje për mediat një falënderim të veçantë e pati për të gjithë demokratët që iu dhanë mundësinë për të drejtuar bastionin historik të PD-së. Benet Beci e sheh këtë besim si një obligim për t’ua kthyer të gjithë demokratëve në punë konkrete.

Jam mirënjohës çdo demokrati që na kanë parë me dyshim dhe më në fund shumë prej tyre kanë arrit të na besojnë, për ne është obligim t’ua kthejmë në punë edhe atyre. Sot jemi para një sfide të jashtëzakonshme për ta bërë atë që kemi premtuar dhe me një mirënjohjeje të veçantë për Ramën që mbështetja dhe planet dhe projektet që ne kemi shpalosur për Shkodrën do bëhen realitet. Ky është obligimi ynë.

 

Ora 18:46
Thyen bastionin historik të së djathtës, Benet Beci: Mirënjohës Shkodrës për besimin, do punoj për të gjithë, pavarësisht ngjyrës politike

 

Për herë të parë PS do të drejtojë Shkodrën, një bastion historikisht i djathtë, por që në këtë zgjedhje socialistët arritën fitore të thellë. Pas fitores, Benet Beci në një dale për mediat falënderoi qytetarët shkodranë për besimin dhe tha se puan e tij nis sapo të marrë detyrën për ta kthyer këtë besim në detyrë. Benet Beci tha se do të punojë për të gjithë qytetarët Shkodranë pavarësisht ngjyrës politike.

“Akoma nuk më kanë dalë emocionet e këtyre dy ditëve, të jashtëzakonshme. Të dy ditëve ku Shkodra foli, qytetarët e Shkodrës folën, Shkodra vendosi të jetë pro zhvillimit, pro ndryshimit. Është një sensacion i madh mbas një muaji fushate ku ne folëm për projekte, qytetarët e Shkodrës na besuan dhe të të japin një besim të madh është një detyrimi jashtë që unë u jam shumë mirënjohës. Jam shumë mirënjohës Shkodrës për besimin, besimi është një nga gjërat më të shtrenjta që jepet dhe është një punë e madhe për ta kthyer, detyra ime nis këtu, besimin e tyre për ta kthyer në punë. Besimi i tyre është një obligim për të punuar për secilin qytetar të Shkodrës, për ti shërbyer me përulësi çdokujt që na ka votuar edhe nëse s’na ka votuar, pavarësisht ngjyrës e politikës ne do jemi në shërbim të çdo shkodrani, jam i lumtur t’iu them që patëm një fushatë të shkëlqyer në Shkodër, një fushatë të qetë”, tha Benet Beci.

Ora 18:31
PS mori për herë të parë Shkodrën, Elisa Spiropali: Do ta çojmë në një nivel tjetër turistik dhe ekonomik

1684168011_spiropali.jpg

Drejtuesja politike e qarkut Shkodër, Elisa Spiropali ka folur për mediat pas fitores historike të PS në Bashkinë e Shkodrës. Në fjalën e saj Spiropali tha se do ta çojnë Shkodrën në një nivel tjetër turistik dhe ekonomik.

“Është bërë një fushatë e jashtëzakonshme që me ka mbresuar fort  si drejtues e politike e kësaj qarku. Një kryetar i ri bashkie për Shkodrën, Benet Beci, Kristjan Shkerli për Vaun e Dejës, dhe Tonin Marinaj për Malësinë e Madhe. Ne i kemi takuar pothuajse të gjitha komunitete dhe i jemi shumë mirënjohës për të gjithë aktivistet e PS, por edhe ata që na janë bashkuar nga forca të tjera politike për të vazhduar përpara në të gjithë qarkun Shkodër. Në Shkodër është bërë një fushatë që tejkalon çdo mundësi, me përulësi dhe një qasje të re për bashkinë e Shkodrës. Shkodra është ngritur dhe do të ngrihet në një nivel të ri zhvillimi turistik dhe ekonomik dhe falënderojmë çdo votues pavarësisht se për kë ka votuar”, tha Spiropali.

Ora 16:36
Theu bastionin historik të të djathtëve, reagon Benet Beci: Faleminderit nga zemra

Benet Beci ka reaguar pas fitores në bashkinë e Shkodrës, bastioni i së djathtëve i cili u thye për herë të parë në historinë e Shqipërisë pluraliste. Benet Beci ka një falënderim për të gjithë qytetarët që i besuan drejtimin e Shkodrës. 

“Mirënjohës ndaj secilit prej jush, për qytetarinë, seriozitetin dhe përkushtimin! Faleminderit nga zemra”, shkruan Benet Beci.

Ora 14:46
Humbi Shkodrën, Bardh Spahia: Çdo pushtet i dalë nga bota e krimit dhe paratë e pista nuk jeton gjatë

1684154828_34722973161481117986024792369014399990328385n.jpg

Pasi humbi Shkodrën, ka ardhur edhe reagimi i Bardh Spahisë. Me anë të një postimi të shkurtër, ai hedh akuza në drejtim të kundërshtarit të tij.

“Çdo pushtet i dalë nga bota e krimit dhe paratë e pista nuk jeton gjatë, ndërsa shpirti i lirë i Shkodrës i ka rezistuar edhe kohëve më të errëta. Mirënjohje për të gjithë qëndrestarët dhe ata që nuk bëjnë kompromis për lirinë”, shkruan Spahia.