"50 MILIONË USD NË VIT PËR LËMOSHËN NË KËMBIM TË VOTËS"
"Në Shqipëri harxhohen çdo vit rreth 50 milionë dollarë për atë që quhet ndihma ekonomike. Ata që jetojnë në fshat e dinë mirë se për çfarë bëhet fjalë. Ata që jetojnë në periferi të qyteteve e dinë mirë për çfarë bëhet fjalë. Ata që jetojnë edhe brenda qyteteve, në kushte të rënda papunësie dhe varfërie, e dinë mirë për çfarë bëhet fjalë.
Bëhet fjalë për një lëmoshë, lëmoshë e cila prej vitit kur demokratët erdhën në qeveri, u kthye në taksë e votës. Në taksë e votës do të thotë në lëmoshë në këmbim të votës. Një taksë që nuk paguhet me para, por paguhet me lënien peng të dinjitetit të njeriut të varfër dhe të papunë, tek një pushtet politik që ekziston vetëm sepse vjedh votën dhe ndër të tjera duke shkelur dinjitetin e njerëzve dhe abuzuar me paratë e popullit shqiptar. Këto 50 milionë dollarë janë një fond shumë i konsiderueshëm, një shumë parash që dalin nga xhepat e shqiptarëve dhe që mbas 23 qershorit nuk do të shpërdorohet më për qëllime politike në dëm, në cenim, në abuzim me dinjitetin e shqiptarëve të varfër dhe të papunë.
E dinë shumë mirë familjet e varfra që janë pjesë e kësaj skeme të ndihmës ekonomike dhe janë mbi 100 mijë familje, se çfarë ndodh në katër pesë muajt përpara zgjedhjeve. Sesi kryetarët e njësive vendore të partisë në pushtet fillojnë dhe e mbajnë këtë ndihmën ekonomike pa dhënë, si peng për votën. Ashtu sikundër e përdorin emrin e njerëzve të varfër dhe të papunë në listën e ndihmës ekonomike, për të bërë shantazh me gomën e dhunës së pushtetit që të fshin emrin nëse nuk i jep votën. Çfarë do të bëjmë ne me këto rreth 50 milionë dollarë?
“PARATË E NDIHMËS EKONOMIKE DO T’I PËRDORIMIN PËR PUNËSIMIN”
Ne këto do ti vëmë në dispozicion të programit tonë të punësimit. Ne besojmë që çdo shqiptar i varfër dhe i papunë sot, që i ka aftësitë fizike për të punuar nuk meriton jo vetëm cenimin e dinjitetit me këtë lëmoshë, por as këtë lëmoshë, e cila e lë jashtë çdo mundësie për t’u integruar në shoqëri përmes punës së ndershme, por meriton një shans për të pasur një punë të ndershme, përmes të cilës të mund të përfitojë nga ky fond. Ashtu sikundër ne mendojmë që ky fond mund të shërbejë për të nxitur punësimin e të rinjve. Ky fond mund të shërbejë dhe do të shërbejë për të stimuluar sipërmarrjen private që të punësojë të rinj në bazë të skemës së rilindjes së arsimit profesional.
Ju e dini shumë mirë që ne sot në Shqipëri kemi numrin më të madh të juristëve për kilometër katror. Por sa më shumë juristë kemi, aq më shumë shtohet radha e juristëve që presin të bëhen kamerierë. Ndërkohë që për të gjetur një elektricist, apo për të gjetur një hidraulik duhet të kërkosh në kushedi sa kilometra katror të Shqipërisë dhe prapë nuk është e sigurt që e gjen. Sepse zanati në Shqipëri po zhduket, sepse diplomat pa vlerë po lulëzojnë në një arsim universitar të kthyer në biznes dhe sepse përgjigja ndaj papunësisë nuk është hapja e dyerve të universiteteve nga të katër anët, apo universiteteve private për të blerë qeveria qetësi pesë vjet duke ju thënë të rinjve shkoni në universitetit dhe prindërve investoni për të rinjtë në universitet, por është alternativa e formimit profesional përmes një marrëdhënieje mes shtetit dhe sipërmarrjes. Që do të thotë jo shkolla arsimi profesional duke tentuar të të bëjnë elektricist duke t’a treguar poçin në fotografi, po shkolla të arsimit profesional, ku teoria në shkollë lidhet me praktikën në punë dhe ku nga puna nxënësi përfiton edhe një pagë. Një pagë, që i tregon se me zanatin e tij mund të fitojë lekë, mund të krijojë mirëqenie dhe mund të ndërtojë familje bazuar mbi punën e ndershme. Skema e ndihmës ekonomike do të përmbyset plotësisht dhe do të kthehet në një skemë të riintegrimit shoqëror. Që do të thotë se ne nuk i konsiderojmë njerëzit e varfër, sepse janë të papunë, si njerëz të humbur në betejën e tregut, siç i konsiderojnë ata që vijnë nga e djathta. Për ta çdo i varfër është një person i dobët, që e ka fajin vetë pse është i varfër. Për ne aty ku ka një të varfër ka një problem për të zgjidhur.
PUNA NË KOMUNITET, PROVA JONË NË BASHKINË E TIRANËS, E SUKSESSHME
Në Bashkinë e Tiranës ne tentuam shumë vite më parë që të bënim një provë. Ishte një periudhë kur unë isha shumë i bindur që kjo skemë ishte një humbje parash dhe llogariteni, flasim për vitin 2001 -2002- 2003, flasim për afro 10 vjet me parë. 10 vjet herë 50 milionë dollarë janë 500 milionë dollarë të humbura në lëmosha që as nuk e ndihmojnë ashtu siç duhet familjen që i merr, as nuk i bëjnë nder një shoqërie dhe një shteti në mes të Europës, ku kjo lëmoshë është kthyer praktikisht në një shumë të hollash për të marrë peng çdo individ.
Prova ishte që përmes punës në komunitet, duke e nxjerrë fondin e ndihmës ekonomike mënjanë dhe duke thënë që çdo njeri që është i papunë, por që ka mundësi të punoj nuk do të marrë thjeshtë një lëmoshë por mund të marrë nga ky fond më shumë para, boll që të shfaqë vullnetin për të punuar dhe të jetë i gatshëm që të punojë në shërbim të komunitetit. Që do të thotë punë në komunitet, që lidhet në atë projekt me mjedisin, me pastrimin, me mirëmbajtjen, me gjelbërimin e kështu me radhë. Projekti filloi të funksiononte më së miri dhe pikërisht atëherë u bllokua nga qeveria e këtyre.
Më e bukura është që pasi ne e lançuam këtë ide të re në mënyrë të strukturuar në rrugën e programit tonë, menjëherë u hodh kryeministri në ikje, që është akoma më në ikje sot, i cili tha: Ne tha kemi një zgjidhje të re, do ndryshojmë skemën e ndihmës ekonomike, mbas 8 vjetësh. Por edhe këtu ka një ndryshim shumë të madh, ne e themi dhe do ta bëjmë. Ndërkohë që edhe sikur të ndodhte që këta t’i fitonin zgjedhjet, gjë që nuk ndodh,ata nuk do ta bënin. Për një arsye shumë të thjeshtë, sepse për ta shqiptarët janë zgjedhës, për ne shqiptarët janë njerëz.
SHËNDETËSI, NUK DO LEJOJMË ASNJË ILAÇ TË SHITET MË SHTRENJTË SE KU U BLE
Ne nuk do lejojmë që asnjë ilaç në Shqipëri të shitet më shtrenjtë se në vendin e origjinës. Ajo që ndodh sot është se ilaçet këtu kushtojnë nganjëherë edhe dy dhe tre herë më shtrenjtë. Ne këtë nuk do ta lejojmë. Çdo ilaç në Shqipëri do të shitet minimalisht sa shitet në vendin e origjinës nga vjen.
ARSIMI, NJË SISTEM PIRAMIDAL QË DO NDRYSHOJË NË RRËNJË
Në arsim ne kemi sot sistem krejtësisht piramidë, ku familjet investojnë kursimet e tyre për t’u dhënë fëmijëve një shkollë dhe më pas mbeten me një letër të pavlerë në dorë. Ka edhe institucione që funksionojnë, por ajo që ne do të bëjmë është që gjithë sistemi i arsimit universitar duhet të akreditohet siç ndodh në të gjitha vendet normale. Që do të thotë duhet të përmbushi të gjitha ato kritere dhe standarde për të marrë të drejtën e ushtrimit të aktivitetit, në mënyrë që përmes akreditimit shteti të garantojë falë përfshirjes së një agjencie të pavarur ndërkombëtare çdo investim të të gjitha familjeve për studentët dhe mundin e çdo studenti.
Nga ana tjetër ne besojmë që janë tre institucione që janë shembur në Shqipëri. Tre institucione, pa të cilat është e pamundur të parafytyrohet një shoqëri normale. Institucioni mësuesit, institucioni i mjekut, institucioni i policit. Një shoqëri që jeton në kushtet kur këto 3 institucione janë shembur është një shoqëri që ka një problem të tmerrshëm me të cilin ndeshet çdo ditë. Ndeshet çdo ditë në formën e injorancës që shkon duke u shtrirë. Mjafton të merrni parasysh se sot Shqipëria ka 15% analfabetizëm. Në vitin 2005 kur këta erdhën në qeveri analfabetizmi ishte 5%. Në vitin 2009 shkoi 10%. Sot është 15%. Ne pas 23 qershorit do të fillojmë menjëherë investimin në kapitalin njerëzor duke filluar nga mësuesit, nga policët, nga mjekët dhe infermierët.
Me taksimin e ndershëm mësuesit në Shqipëri, policët në Shqipëri, mjekët dhe infermierët në Shqipëri do të fitojnë menjëherë qysh vitin e parë të mandatit tonë një rrogë më shumë.Nga ana tjetër ne do të ndërtojmë një sistem krejtësisht të ri të rekrutimit të mësuesve. Ashtu sikundër shkolla do të angazhohet që përgjatë gjithë vitit, me shkrim, në një afat periodik që mund të jetë dy apo tre muaj, t’i dërgojë çdo familjeje raportin e ecurisë në mësime të fëmijës, raportin e ecurisë së përgjithshme në shkollë. Në këtë mënyrë do të krijojmë një bosht: qeveri kombëtare dhe vendore, trupë mësimore dhe prindër, për të garantuar që fëmijët dhe nxënësit e këtij vendi të fillojnë të dalin nga kjo kënetë ku po zhyten përditë.
Ashtu sikundër shkolla në këtë gjendje është e kërcënuar vijimësisht nga droga, nga alkooli dhe nga fenomene të tjera, që lidhen me shkakun themelor që është cilësia mizerabël e shkollës, që është cilësia mizerabël e mësimdhënies. Ndërsa mësuesit e aftë, mësuesit e zotë ndjehen nën një presion barbar dhe nuk kanë asnjë motivim për të përballuar procesin e mësimdhënies. Ashtu sikundër mësues të demotivuar krijojnë gjendje demotivuese për gjithë komunitetin e nxënësve.
Ne jemi shumë të vendosur ta ndryshojmë këtë. Dhe sigurisht jo vetëm kaq por jemi të bindur se nuk mjafton të synojmë një shkollë, e cila fokusohet e gjitha tek mësimi, por na duhet të krijojmë një shkollë e cila fokusohet tek krijimi i hapësirës komunitare ku mësimi është elementi themelor, po ku argëtimi, aktiviteti sportiv dhe përfshirja e komunitetit të prindërve në proces janë elementë plotësues të domosdoshëm. Për këtë arsye ne do krijojmë klasa sportive. Do të punësojmë 1200 mësues të edukimit fizik qysh në vitin e parë të mandatit tonë. Do të fusim edukimin fizik dhe sportin në të gjitha nivelet e shkollës.
Do të ndërtojmë një sistem kompeticioni mes shkollave dhe mes universiteteve dhe në këtë mënyrë do të fillojmë punën për të shëruar plagën më të rëndë dhe më të thellë e të vështirë që ka kjo shoqëri që është plaga në sistemin arsimor. Plaga ku me patjetër duhet të ndërhyrë urgjentisht për të frenuar analfabetizmin, për t’ju krijuar akses fëmijëve kudo ku janë që të shkojnë në shkollë. Për t’ju dhënë mësuesve dinjitetin dhe motivimin duke i paguar më mirë, por mbi të gjitha duke i trajtuar si një institucion i paprekshëm nga askush.
RAMA: PËR TË DJATHTËT ÇDO GJË ËSHTË MALL: SHËNDETI, ARSIMI, DREJTËSIA
Le të shohim se çfarë është një vlerë themelore mes atyre që kanë 8 vjet që keqqeverisin Shqipërinë dhe nesh që duam ta qeverisim pas 23 qershorit për ta rilindur. Kjo vlerë themelore është në dallimin se për ta çdo gjë është mall. Për ta drejtësia është mall, mund të kesh të drejtë po s’pate lekë, nuk e blen dot, nuk ke të drejtë. Për ta shëndeti është mall. Mund të jesh i sëmurë, po s’pate lekë nuk e blen dot, dhe nuk kujdeset kush për shëndetin tënd.
Për ta arsimi është mall. Sigurisht, fëmija duhet të shkojë në shkollë po në qoftë se s’ke lekë nuk e çon dot fëmijën në shkollë. E, kështu, me radhë çdo shërbim edhe siguria rrugore është mall për ta. Mund të jesh në rregull, të ndalon polici po s’pate lekë nuk ia del dot, ndërkohë që duhet të japësh lekë për të vazhduar rrugën. Ne besojmë që shërbimet janë një e mirë publike që duhet të ofrohet jo sipas xhepit, po sipas nevojës.
Tani le të vijmë tek kujdesi shëndetësor. Këta thonë po s’pate lekë mos u sëmur. Në qoftë se e bën gabimin sëmuresh zgjidhe, gjej lekët dhe në rrugëtimin e programit kemi parë raste konkrete, shqiptarësh të shkatërruar ekonomikisht për të mbajtur në jetë të afërmit e tyre. Kemi takuar një grua që luftonte me vdekjen në trupin e burrit të saj dhe sapo kishte shitur edhe shtëpinë dhe qante me lot në shkallët e spitalit, sepse nuk dinte çfarë do të ndodhte kur të mbaronin dhe lekët nga shitja e shtëpisë. Kemi takuar dy prindër në një fshat pranë një qendre shëndetësore që kishin shitur gjithçka. Absolutisht, gjithçka! Jetonin tek kushërinjtë për të mbajtur në jetë djalin me leucemi.
“SHËRBIMIN SHËNDETËSOR DO TA BLEJË SHTETI DHE DO AFROJË FALAS”
Sot në Shqipëri brenda një viti harxhohen rreth 800 milionë usd për kujdesin shëndetësor. 800 milion usd që vijnë vetëm 7% nga sigurimet shëndetësore. 33% vijnë nga taksat e përgjithshme dhe 60% vijnë nga xhepi. Nga xhepi i kujt?! 1% e këtij 60% vjen nga xhepi i të pasurve, të cilët shkojnë dhe marrin shërbime të një cilësie të lartë në spitalet private. 99% e këtij 60% vjen nga xhepi i të varfërve. Vjen nga xhepi që s’ka lekë, vjen nga xhepi që mbushet para se i varfri të shkojë në spital me shitjen e bagëtive, me shitjen e shtëpisë, me borxhe. Pyetja jonë është shumë e thjeshtë: Shëndetësia kushton, por kush duhet ta paguajë?! Do ta paguajnë ata që s’kanë lekë? Do ta paguajnë ata që jo për faj të tyre janë të varfër dhe të papunë? Do ta paguajnë ata që zvarriten rrugëve të papunësisë, sepse askush nuk ju jep mundësinë që të jetojnë me punë të ndershme? Apo duhet ta marrë përsipër shoqëria si e tërë për të dëshmuar se nuk është një bashkësi barbarësh, që e lënë njëri tjetrin të vdesë, por është një bashkësi shqiptare që respekton tjetrin dhe respekton të drejtën e tjetrit për të jetuar në mënyrë normale.
Ne mendojmë që është kjo e dyta, prandaj besojmë që shërbimin shëndetësor nuk do ta blejnë vetëm ata që kanë lekë dhe nuk duhet të jetë një shërbim që jepet vetëm përmes lekëve. Por duhet ta blejë shteti dhe pastaj ta ofrojë falas.
KORRUPSIONI, ÇËSHTJE SISTEMI, JO PERSONASH
Për korrupsionin, jo vetëm në shëndetësi, por kudo. Korrupsioni nuk është një çështje personash. Korrupsioni është një çështje sistemi. Në qoftë se merr një mjek shqiptar apo një infermiere shqiptare dhe e çon në një spital në Gjermani të jeni të sigurt që nuk do t’i shkojë ndërmend që të kërkojë lekë. Nëse merrni një mjek gjerman apo një infermiere gjermane dhe e çon në QSUT të jeni të sigurt që mbas ca kohësh do fillojë të thotë ”po sikur të marr edhe unë ndonjë lek”.
Pra, nuk është çështje genesh, nuk është çështje populli, nuk është çështje kulturore, nuk është çështje gjeografike, nuk është çështje historike është çështje sistemi, sepse janë sistemet që korruptojnë njerëzit.
“KOSOVA DHE ABETARJA E PËRBASHKËT”
Ne besojmë që bashkimi kombëtar ka ndodhur, por ne nuk e shohim, nuk e shohim për një fatkeqësi të madhe, se kemi një kryeministër dhe një qeveri komplet të prapambetur në mendësi dhe qorre në vizion. Na takon ne, që duke parë larg, të vëmë re se kufiri mes Shqipërisë dhe Kosovës është fare e mundur që të fillojë të kthehet në vijë që ndan vetëm administrativisht dy shtetet, por që nuk e ndan popullin shqiptar në Shqipëri dhe Kosovë në zhvillimin e asnjë aktiviteti të përditshëm.
Që ne të marrim frytet e këtij bashkimi që ka ndodhur, ne duhet të shohim se çfarë duhet të ndërtojmë me një vizion të përbashkët për të rritur mirëqenien e shqiptarëve këtej dhe andej kufirit, duke filluar nga arsimi. Është e papranueshme dhe është përgjegjësi ekskluzive e Sali Berishës si kryeministër 8 vjet që ne sot nuk kemi këtej dhe andej kufirit një sistem të unifikuar arsimor, ku fëmijët shqiptarë në Prishtinë dhe në Tiranë, në Drenicë dhe në Vlorë dhe me radhë në çdo cep të Kosovës dhe në çdo cep të Shqipërisë të kenë një sistem të njëjtë. Pas 8 vitesh kjo mundësi ka mbetur ende e paprekur, jo e pashfrytëzuar, por e paprekur, për t’ju dhënë fëmijëve këtej dhe andej një të ardhme, duke ju ndërtuar një rrugë të përbashkët referencash në histori, në gjeografi, në gjuhë, në letërsi dhe në gjithçka përmban një sistem arsimor nga klasa e parë deri në doktoraturë.
Përkundrazi edhe kjo është kthyer në një farsë, në farsën e abetares. Ne duam të ndërtojmë një sistem arsimor të unifikuar me Kosovën, por këtë pjesë të projektit tonë do ta sqarojmë në takimet e tjera. Ne kemi një plan për të bashkërenduar me qeverinë e Kosovës në disa drejtime dhe për të krijuar një hapësirë shqiptare ekonomike, arsimore, kulturore, tërësisht të përbashkët".
Redaksia online
(ar.sh/shqiptarja.com)