Kur fitoi Trump, ata festuan se po u vinte radha e tyre.
Pastaj u gëzuan se u zgjodh Fredi Beleri në PE.
Pastaj u gëzuan për protestat në Nepal.
Pastaj u gëzuan për ndryshimet në Bangladesh.
Pastaj u gëzuan për arrestimin e Maduros.
Pastaj u gëzuan për zgjedhjet në Hungari.
Pastaj u gëzuan se do arrestohej Yuri Kim.
Pastaj u gëzuan se do ftohej legjenda në SHBA.
Pastaj u gëzuan që pas 7 ditësh do hiqej Non Grata.
Pastaj kaluan 7 javë, 7 muaj, 7 vjet…
Pastaj iku jeta pa kuptuar që u përdorën që në lindje.
Në fakt, këto janë gëzimet në kilometrin e fundit, sepse unë kam përjetuar shumë gëzime dhe zhgënjime të mijëra injorantëve në oborrin e Partisë Demokratike.
Në vitin 1999 po pinim birra me miqtë në bar-kafe “Jurnal”, afër ku ndodhet sot qendra Toptani. Papritur shpërthyen ulërimat dhe festa. Të habitur dolëm jashtë dhe ishte situatë qesharake kur kuptuam se kishte dalë rezultati i zgjedhjeve në Bullgari dhe kishte fituar e djathta. Demokratët po gëzoheshin se po u afrohej radha në pushtet.
Kurrë në jetë s’kam parë njerëz më naivë, as në Europë, as në SHBA, as në Amerikën Latine dhe as në Afrikë. Kam punuar dhe kam studiuar me shtetas nga gjithë bota, por kurrë nuk kam gjetur një të dytë si demokratët e PD-së.
Ky naivitet nuk u vjen nga mosarsimimi.
Kjo injorancë nuk u vjen nga varfëria.
Ky mentalitet nuk u vjen nga origjina.
Kjo komedi nuk buron nga izolimi.
Thjesht janë të verbuar nga indoktrinimi politik. Janë aq të prapambetur sa e quajnë besnikëri ndaj kryetarit të partisë. Në 36 vjet ka mijëra demokratë që janë divorcuar dhe kanë lënë gratë 2-3 herë, por Sali Berishën jo.
Gruan, familjen dhe kalamajtë mund t’i tradhtojnë, por jo partinë. Besa e tyre është jo vetëm paradoksale, por edhe e dëmshme. Vetëm në Shqipëri nuk e kam kuptuar që politika është kontratë 4-vjeçare, që lidhet dhe zgjidhet ditën që gënjen ose humb zgjedhjet.
Në fakt, fajin nuk e ka Berisha, por thjesht një pjesë e vogël e popullatës, së cilës i pëlqen të gënjehet dhe ta shohë botën me syzet e një iluzioni optik.
Thjesht duan ta besojnë që Berisha e ka mik Trumpin, ndonëse ky i fundit nuk e ka idenë që ekziston një njeri në planet me emrin Sali. Madje ata nuk e kuptojnë as kur Trumpi mund të takojë 10 herë Bleona Qerretin dhe askënd nga PD. Janë aq të trashë sa nuk lexojnë abetaren e politikës.
Nejse, ata janë të lumtur në injorancën e tyre. Së shpejti janë zgjedhjet në Kazakistan dhe duhet t’i lëmë të gëzohen nëse fiton e djathta kazakistaneze. Lum ata që s’e kuptojnë budallallëkun e tyre.
“Shqiptari gëzohet më shumë nga zhurma sesa nga arsyeja”, shkruante dikur Faik Konica.
Komente









