Ish-ministri Enkelejd Alibeaj ka përshëndetur raportimin para Senatit amerikan të kandidatit të nominuar prej Presidentit Donald Trump për Ambasador të SHBA-së në Shqipëri, Eric Wendt.

Në një lidhje me emisionin ‘Sot Live në Shqipëri’ me gazetarin Nertil Agalliu në Report Tv, Alibeaj është shprehur se politikës shqiptare dhe publikut i ka munguar zëri i Ambasadës së SHBA-së, gjatë këtyre viteve që në vendin tonë nuk ka pasur një ambasador amerikan.

“Në fakt duhet të pranojmë situatën që, po u bënë shumë kohë që nga koha kur nuk ka një ambasador të Shteteve të Bashkuara në Shqipëri prezent. Zëri i ambasadës, se nuk do thosha zëri i Shteteve të Bashkuara, por zëri i Ambasadës i ka munguar edhe publikut, por dhe i politikës shqiptare dhe të gjithë e kemi ndjerë këtë lloj mungese të një zëri influencues në publik, por edhe në politikën shqiptare”, tha mes të tjerash Alibeaj.

Duke iu referuar fjalës së Ëendt në Senat, i cili tha se lufta kundër korrupsionit dhe mbështetja e SPAK do të ishin prioritet i punës së ambasadës së SHBA-së në Shqipëri, Alibeaj deklaroi se e shihte si një ogur të mirë qëndrimin konstant të SHBA-së (për luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar).

Për Alibeajn, SPAK dhe GJKKO janë në një konflikt të fortë me pushtetin, por edhe me të gjithë politikën në tërësi. Prandaj sipas tij, ardhja e një zëri të fuqishëm që do të bëjë reagime në kohë reale ndaj çdo lloj tentative të politikës për të minuar sistemin e drejtësisë, është një lajm i mirë.

“E shoh si një ogur të mirë qëndrimin konstant të SHBA-ve, për një arsye të thjeshtë, sepse institucionet e reja të drejtësisë, SPAK dhe GJKKO janë në një konflikt të fortë me pushtetin dhe politikën. Janë ndodhur shpesh në sulm. Ndaj ardhja e një zëri të fuqishëm që do të jetë prezent në këtë vend dhe besoj do të ketë reagime në kohë reale për çdo lloj tentative të pushtetit dhe politikës në Shqipëri për të minuar sistemin e drejtësisë, është një gjë shumë e mirë”, vijoi më tej Alibeaj.

Ndërkohë Alibeaj foli edhe për ‘zgjedhjet’ e 23 majit për kreun e PD-së ku në garë është vetëm Sali Berisha. Duke e cilësuar 23 majin si një proces të trishtë, Alibeaj shtoi se PD ka humbur edhe konturet e të qenit një parti politike.

Sipas Alibeajt, Partia Demokratike ka humbur synimin për të ardhur në pushtet dhe përdoret vetëm për hallet personale të Sali Berishës.

“Për këdo që ka një fije dinjiteti për kontributin që ka dhënë, kur e sheh veten të keqpërdorur, të tallur, të fyer, është më mirë ta braktisë, minimumi do të duhet të ruajë dinjitetin dhe fytyrën. Edhe ajo që do të ndodhë në PD, ju i thatë zgjedhje, por ato nuk janë zgjedhje. Është një procesion i trishtë që demonstron gjendjen kritike dhe krizën e thellë ku është futur një parti politike, e cila ka humbur edhe konturet e një partie politike. Ajo ka humbur synimin për të ardhur në pushtet. Është futur në një situatë ku duhet mbrojtur halli personal që ka drejtuesi i tyre”, deklaroi Alibeaj.

Duke shprehur bindjen se Berisha humbjen në zgjedhjet e ardhshme e ka të sigurt, Alibeaj shtoi se në PD kanë ‘kapur thikat’ dhe po sulmojnë njëri-tjetrin, referuar përjashtimeve dhe përplasjeve të fundit me Ervin Salianjin, por edhe me figura të tjera të kësaj force politike.

“Ku kanë kapur thikat me njëri-tjetrin. Me thikë në gojë janë duke përjashtuar, plagosur e sulmuar njëri-tjetrin. Ndaj asgjë të përbashkët nuk ka me atë që mund të quhet parti politike. Një gjë është e sigurte, që me kalimin e kohës edhe në zgjedhje, kurdo që të jenë ato vendore apo të përgjithshme, humbjen Berisha e ka të sigurt”, përfundoi Alibeaj.