Të vonohesh herë pas here është njerëzore. Por për disa njerëz, vonesa duket se është bërë mënyrë jetese. Sipas psikologëve, pas kësaj sjelljeje nuk fshihet domosdoshmërisht dembelizmi apo mungesa e respektit, por një problem i njohur si “verbëri ndaj kohës”.
Psikologia Chivonna Childs nga Cleveland Clinic shpjegon se shumë njerëz nuk nisen në kohë sepse e mbivlerësojnë sasinë e kohës që kanë në dispozicion.
“Shpesh mendojnë: ‘Po bëj edhe një gjë të vogël’, ‘po kontrolloj diçka shpejt’, dhe kështu koha ikën pa u ndjerë,” thotë ajo. “Kjo quhet verbëri ndaj kohës, kur besojmë se kemi më shumë kohë sesa realisht.”
Sipas Childs, ky fenomen mund të lidhet edhe me probleme të shëndetit mendor si ankthi, depresioni apo ADHD, të cilat ndikojnë në aftësinë për të vlerësuar saktë kalimin e kohës.
Një tjetër arsye është ajo që psikologët e quajnë “gabimi i planifikimit”. Profesori Allen Bluedorn nga Universiteti i Missurit në një intervistë për revistën National Geographic, shpjegon se njerëzit kanë tendencën të besojnë se planet e tyre do të ecin gjithmonë në mënyrë perfekte.
Në realitet, shumica e njerëzve e nënvlerësojnë sa kohë u duhet për të përfunduar detyrat. Disa e bëjnë këtë më shumë se të tjerët, dhe për pasojë përfundojnë gjithmonë pak me vonesë.
Edhe pse shpjegimet janë psikologjike, pasojat janë reale. Childs paralajmëron se vonesat e vazhdueshme mund të dëmtojnë marrëdhëniet personale dhe profesionale.
“Kur pranon të jesh diku në një orë të caktuar, në thelb po hyn në një marrëveshje,” thotë psikologia Pauline Wallin për National Geographic. “Nëse një person vonohet vazhdimisht, kjo krijon mungesë besimi dhe me kohë mund të dëmtojë gjithë marrëdhënien.”
Si zgjidhje, psikologët sugjerojnë hapa të thjeshtë, por praktikë: vendosjen e alarmeve për t’u kujtuar kur duhet të nisesh, përgatitjen që një natë më parë dhe planifikimin e gjithmonë pak më shumë kohe sesa mendon se të nevojitet.
Të kuptosh pse vonohesh nuk është justifikim. Është hapi i parë për ta ndryshuar këtë zakon.
Komente











