Asnjë nuk do të donte të ishte në rolin e ministrit të Financave Cani, para gropës së zezë të lënë në buxhet nga Berisha. Qeveria po prezanton një paketë fiskale, ku edhe bizneseve u duket se po shtrydhen, por edhe njerëzit e thjeshtë kanë dyshimet e tyre se do preken më mënyra të ndryshme nga taksimi ”hiq këtu, e ver atje”. Në këtë mes, rritja e çmimit të karburanteve duket se është pjesa më e debatueshme, dhe jo më kot opozita këtu e ka përqendruar zjarrin e artilerisë së saj propagandistike. Ndërkohë, rritja e çmimit të duhanit apo alkoolit nuk mund të gjejë shumë kundërshtarë. Logjika është e shëndoshë: nuk janë të domosdoshme, konsumohen në masë dhe dëmtojnë shëndetin.

Nga të gjitha mallrat e konsumit, edhe këtë herë kanë shpëtuar nga vëmendja e taksidarëve qeveritarë pijet energjike, të cilat plotësojnë të gjitha parametrat e sipërpërmendura dhe që jo me kot kanë qenë prej kohësh ”domen” i njerëzve të lidhur me Berishën. Sipas Tatimeve, që referojnë statistika zyrtare, në një ditë në Shqipëri konsumohen mësatarisht ... 90 mijë kanoçe pije të tilla. Nga janari deri në nëntor, shqiptarët kanë gëlltitur 9 milionë litra me pije energjike, të ambalazhuar në 27 milionë kanaçe.

Fjala është për lëngje, që përmbajnë sasi kafeine deri në 10 herë më të lartë se një filxhan kafe dhe që konsumohen më së shumti nga të rinjtë. Madje, në shumicë të përziera me alkool, duke krijuar një mishelë shpërthyese, që njëkohësisht stimulon dhe deh!
Do të ishte momenti më i përshtatshëm tani, që paketa fiskale është në diskutim, të merrej parasysh vendosja e akzicës për këto pije. Shteti do të kishte një të ardhur plus, konsumi do të frenohej. Dhe do të kishim më shumë të rinj të shëndetshëm mes nesh.

Shkrimi u publikua sot (20.12.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)