Pikërisht në prag të Takimit VI të Këshillit të Stabilizim- Asocimit ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Shqipërisë, që u zhvillua në fillim të kësaj jave, në dokumentin konfidencial prej 24 faqesh të Brukselit, që shprehte qëndrimin e 28 Shteteve Anëtare, veç të tjerash theksohej edhe rëndësia madhore që merr një proces i besueshëm gjyqësor për zhvillimet e 21 Janarit. Realisht nuk është hera e parë që nga Unioni ku aspirojmë të anëtarësohemi jepet një konsideratë e tillë prej këtu e tre vjet të kaluara, kur nisi në Shqipëri zvarritja e proceseve gjyqësore rreth kësaj ngjarjeje dhe, ndonëse nuk mungonin provat e plota, nga një gjykatë e Shkallës së Parë dhe nga ajo e Apelit u dhanë vendime qesharake, që synonin të mos zbardhen shkaqet e vërteta të asaj masakre pa precedent në të gjitha shtetet evropiane pas Luftës II Botërore.

Pra, me arësyetime qesharake u dhanë vendime për të mos ndëshkuar me forcën e ligjit ekzekutorët me cilësinë e të pandehurit, të cilët lëshuan batare plumbash në drejtim të qytetarëve të mbledhur në një protestë paqësore, duke shtrirë në tokë të vdekur dhe të plagosur disa prej tyre në një bulevard qendror të Tiranës, përpara selive të Kryeministrisë dhe të Kuvendit të Shqipërisë. Ndërsa urdhëruesi i vërtetë i asaj tragjedie që nuk mund të harrohet, megjithëse një popull i tërë e tregon edhe sot me gisht, gjyqtarët e Tiranës s’e përmendën kurrë, duke i lënë rrugë të lirë që të vazhdonte në postin e Kryeministrit të kërcënonte opozitën e atëhershme në Parlament dhe nëpër ekrane, se po të ngrihej në protesta të tjera do t’ua tregonte vendin, si më 21 Janar(!). 

     Por, ajo çka e dallon përmendjen përsëri të rëndësisë së një procesi të besueshëm gjyqësor mbi këtë çështje, aktualisht mund të shpjegohet me qenien e Shqipërisë në prag të përftimit  të statusit zyrtar të Shtetit kandidat për në Bashkimin Evropian, kur më shumë se kurrë më parë përfshirja e tij në integrimin evropian përbën “një element kyç për konsensus kombëtar”, që siç nënvizohet në dokumentin e cituar “duhet të qëndrojë mbi axhendën politike”. Kjo kërkesë e Brukselit për Palën shqiptare, ndër rekomandimet e tjera tashmë të njohura, një vend të dukshëm i jep pritjes së rezultateve konkrete të mëtejshme në reforma, përkatësisht edhe në atë për sistemin e Drejtësisë. Pra, edhe kjo e fundit shënohet si një përgjegjësi e të gjithë udhëheqësve politikë shqiptarë, për të punuar në mënyrë konstruktive. Me këtë axhendë të ngjeshur shumëplanëshe, përse atëherë nga Brukseli ngulmohet për zgjidhjen e drejtë ligjore të një çështjeje të vetme, specifike, siç është ajo që njihet me datën e hapjes në Shqipëri të një plage të dhimbshme, që ende nuk është “mjekuar”? Në vend të përgjigjes së kësaj pyetjeje, le të japim tangencialisht ndonjë shpjegim të mundshëm, qoftë edhe duke u kthyer në një kohë të mëparshme.

Menjëherë pas Luftës II Botërore, nga miratimi i Rezolutës 95(I) të Asamblesë së Përgjithshme të OKB, më 11 dhjetor të vitit 1946, ka gjetur shprehje parimi, sipas të cilit, përgjegjësia penale individuale ekziston edhe në të drejtën ndërkombëtare, madje ekziston edhe atje ku e drejta e brendshme e një shteti nuk e dënon një veprim, që sipas së drejtës ndërkombëtare penale përbën krim. Me fjalë të tjera, citoj: “...individët kanë detyra ndërkombëtare, të cilat i kapërcejnë detyrimet dhe bindjet kombëtare të imponuara nga shtetet e individëve”.

Në këtë kuadër ka lindur edhe doktrina e parimit të universalizmit, sipas së cilës, në mënyrë që të mbrohen vlerat e së drejtës ndërkombëtare shtetet me nismën e tyre ose në bazë të konventave vendosin në legjislacionet e veta dispozita që mbrojnë interesat e të gjitha shteteve. Dhe, nuk është fjala vetëm për ndëshkimin e krimeve të luftës, për genocidin, për ato kundër paqes dhe kundër njerëzimit, për ndëshkimin e të cilave funksionon prej kohësh Gjykata Penale Ndërkombëtare, por edhe për krime të tjera të rënda, të cilat cenojnë dhe kufizojnë dukshëm respektimin e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, veçmas sigurimin e jetës së tij, që është një nga normat bazë të demokracisë. Në këtë kuadër, edhe nëse nuk këto nuk konsiderohen vepra penale nga e drejta shtetërore, mund të quhen të tilla nga parimet e përgjithshme të së drejtës së njohur nga komuniteti ndërkombëtar (delicta juris gentium).    

     Me këtë frymë janë hartuar dhe ratifikuar jo vetëm traktatet apo konventat në rrafsh global, por edhe në ato të nivelit rajonal, ndërmjet të cilave vlen të përmendet Konventa Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut, ku kanë aderuar prej kohësh të gjitha Shtetet Anëtare, si edhe Shqipëria para afro 20 vjetësh në radhën e Shteteve aspirante për pjesëmarrje në këtë organizëm mbinacional. Në këtë mënyrë, ato kanë përfshirë në legjislacionin e tyre të brendshëm edhe parashikimet e kësaj Konvente, duke sanksionuar ndëshkimin e kujtdo për kryerjen e veprave që bien ndesh me garantimin e këtyre të drejtave, nga të cilat janë për t’u përmendur: ‘e drejta për jetën’, ‘liria dhe siguria e personit’, ‘liria e mendimit’ dhe ajo ‘e shprehjes’, ‘e drejta për tubime paqësore’ etj.

Në rastin tonë, Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë ka urdhëruar në nenin 21 që “Jeta e personit mbrohet me ligj” dhe  në zbatim të kësaj dispozite, si edhe të nenit 11 të Konventës Evropiane ishte vendosur që një dekadë më parë që të parashikoheshin në ligjin për Gardën e Republikës dhe në ligjin për përdorimin e armëve të zjarrit masa paraprake të domosdoshme për kufizime të ligjshme në interes të sigurimit kombëtar, sigurisë publike, mbrojtjes së rendit dhe parandalimit të krimit.

Ndërsa më 21 Janar, ajo çka tronditi rëndë opinionin publik brenda vendit dhe në tërë hapësirat evropiane lidhet me faktin, se efektivë të Gardës së Republikës nuk ndërmorën asnjë nga masat e parashikuara, por qëlluan direkt në drejtim të qytetarëve të pafajshëm, të cilët gjatë gjithë kohës së protestës së tyre, aq më pak në përfundim të saj, kur u zbrazën breshëritë mbi një grup të mbeturish, në të vërtetë është provuar që nuk synuan dhe as nuk tentuan të hidhnin qoftë edhe një hap të vetëm në territoret anësore të selisë së Këshillit të Ministrave. Kurse, për të penguar hetimet e Prokurorisë, Kryeministri i atëhershëm mbrojti arbitrarisht efektivët e Gardës, duke e rënduar akoma më shumë pozitën e tyre dhe të atij vetë, ndonëse është ditur dhe dihet botërisht që “udhëheqësit, organizuesit, shtytësit dhe bashkëpunëtorët në formulimin apo ekzekutimin e një plani të përbashkët...janë përgjegjës për të gjitha veprimet e kryera nga çdo person në zbatim të një plani të tillë”.

     Një tjetër moment i përmendjes edhe së fundmi nga Brukseli i një çështjeje madhore, siç është rëndësia e një procesi gjyqësor të besueshëm për zbardhjen e përgjegjësive të masakrës së 21 Janarit, ka të bëjë me faktin e shprehur në dokumentin konfidencial të hartuar e shpërndarë në prag të Takimit VI të Këshillit të Stabilizim-Asocimit, se Bashkimi Evropian ka vërejtur që këtu Prokuroria sfidoi para Gjykatës së Lartë dënimet e vendosura nga gjykatat e Tiranës për dy të pandehurit mbi zhvillimet e asaj date, duke theksuar, se “plotësimi i masave për këtë rast, përmes një procesi të besueshëm gjyqësor në përputhje me praktikat më të mira është i një rëndësie madhore për besueshmërinë e të gjitha institucioneve shtetërore dhe për rritjen e besimit publik në sistemin gjyqësor”.

Por që prej disa kohësh, rekursi i organit të akuzës, administruar në Gjykatën e Lartë, nuk po shoqërohet me ndonjë seancë gjyqësore.
Ndodhur përpara presionit për këtë zvarritje tjetër rreth zbardhjes së ngjarjes së më shumë se sa tre vjet përpara, Kryetari i Gjykatës së Lartë deklaroi së fundmi që dosja e 21 Janarit është duke u shqyrtuar nga Kolegji Penal i kësaj Gjykate, duke shtuar se besonte që vendimi rreth saj do të jepet deri në fund të këtij viti. Çfarë mund të përmbajë ky vendim? Pa i dhënë vetes të drejtën e paragjykimit të tij, sidoqoftë është mjaft e mundshme që kjo dosje t’i kthehet për rishqyrtim Gjykatës së Apelit apo asaj të Rrethit Gjyqësor të Tiranës për rivlerësim të provave dhe caktim të masave shumë më të rënda të dënimit ndaj dy të pandehurve, gjatë apo pas shpalljes së të cilave së paku ish komandanti i Gardës do të marrë guximin të tregojë atë apo ata që e urdhëruan të qëllohet mbi qytetarët e pafajshëm dhe të pambrojtur. Mund të ndodhë edhe ndryshe, por bjerrja e shpresave të pothuajse gjithë popullit, që nuk gjen prehje pa dalë e vërteta në shesh dhe pa u ndëshkuar edhe fajtorët e vërtetë, më së shumti duket e pamundur.

Duket e pamundur në situatat aktuale, kur askush nuk mund të ndalë kohën që rrjedh me shpejtësi drejt integrimit evropian të vendit dhe kur po përvijohet reforma në sistemin e Drejtësisë, për të siguruar në një të ardhme të afërt respektimin e sundimit të ligjit. Këtë presin shtetasit tanë, kjo i kërkohet edhe klasës politike shqiptare, në adresë të së cilës, Bashkimi Evropian me anën edhe të dokumentit të fundit nënvizon, se: “pavarësia, paanshmëria, transparenca, eficienca dhe përgjegjshmëria e gjyqësorit janë elemente qendrore në vlerësimin e kriterit politik për anëtarësimin në familjen e civilizuar evropiane”. 

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)