Katër vite pas nisjes së agresionit rus, lufta në Ukrainë jo vetëm që nuk është mbyllur, por po hyn në një fazë ku bota po mësohet me të. Për gjeneralin Dedë Prenga, kjo është një nga luftërat më të përgjakshme që ka parë Europa pas Luftës së Dytë Botërore dhe ndodh sepse Ukraina u pre në besë nga Fuqitë e Mëdha. 

Gjatë një interviste me emisionin 'Bota Report' në Report TV, ish zv-shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, tha se nëse Ukraina do të kishte mbajtur arsenalin bërthamor që trashëgoi pas shpërbërjes së Bashkimi Sovjetik, Rusia do ta kishte menduar shumë më gjatë para se të sulmonte. Sipas tij, Memorandumi i Budapestit i vitit 1994, që detyroi Kievin të dorëzonte armët në këmbim të garancive të sigurisë nga Rusia, SHBA dhe Britania e Madhe, e la Ukrainën të pambrojtur.

“Kam bindjen që me atë nënshkrim që bëri në 1994, Ukraina u pre në besë. Nëse Ukraina nuk do të kishte marrë këto garanci, atëherë edhe Kievi do ta kishte menduar mirë pozitën e vet në raport me Rusinë dhe do të kishte marrë masa reale për t’i bërë ballë agresionit rus” tha ai.

Sa i përket zhvillimeve në terren, Prenga thekson se objektivi real i Moskës ka qenë që në fillim lindja e Ukrainës dhe korridori që e lidh me Krimenë, e aneksuar padrejtësisht në vitin 2014. Donetsk, Mariupol, Kherson, Luhansk dhe Zaporizhzhia, sipas tij, nuk janë thjesht territore lufte, por zona kyçe industriale dhe me pasuri të mëdha nëntokësore.

“Që nga fillimi misioni real i Rusisë ka qenë jo në kufi me Bjellorusinë por vetëm pjesa lindore ku lidhet me Krimenë që Rusia e aneksoi padrejtësisht në vitin 2014. Kjo zonë edhe në kohën e Bashkimit Sovjetik ka qenë zona më e industrializuar, pa llogaritur pasuritë nëntokësore të saj. Këto katër zona janë ekuivalent i të gjithë territorit të Italisë. Jam i bindur që deti Azov është i humbur për Ukrainën” shpjegoi Prenga.

Megjithatë, ai sheh një dritare për ndaljen e luftës. 

"Jam i bindur që bisedimet do të përparojnë me ndërmjetësimin e Amerikës dhe do të kërkohet një fazë armëpushimi e nevojshme që mund të organizohen zgjedhjet në Ukrainë dhe më pas të ulen palët për të arritur një marrëveshje të gjatë dhe paqësore" tha Prenga. 

Lufta në Ukrainë ka hyrë në vitin e katërt dhe deri më tani ka marrë miliona jetë.