Pse socialistët do të (ri) fitojnë
në Komunën Rrethina

Pse socialistët do të (ri) fitojnë<br />në Komunën Rrethina
Partia Socialiste është e favorizuar për disa arsye në betejën e fillim Shtatorit për kryetar të komunës rrethina në Shkodër. Ka një teori që forca që ka pushtetin ndjehet më e avantazhuar për shkak të strukturave më të konsoliduara dhe njerëzve që ndodhen në kupolat drejtuese në rang rrethi. Në këtë pikë do të thoja se asnjë nga palet nuk mund të ndjehej në favor nëse era politike në kampin blu do të ishte normale, kjo për shkak se do ishim në një situatë tranzicioni pushtetesh.

Partia Demokratike vërtetë ka ende njerëzit e saj nëpër zyra, vërtetë ka ende shefat dhe kamikazët e saj në krye të drejtorisë së policisë së Shkodrës çka do ta inkurajonin maksimalisht kandidatin e saj për kryetar komune. Por për fatin e keq të tij kjo forcë ndodhet në një situatë për t’i qarë hallin me disa njerëz që një pjesë kanë nisur ti dërgojnë “shenja besnikërie” deputetëve të majtë Doshi e Sterkaj dhe nga ana tjetër militantët 24 karatësh të Berishës që për momentin janë të hutuar me çfarë po ndodh me partinë e tyre në qëndër me një Lul Bashë të “zgjedhur” pas një proçesi të sakatuar.

Kjo forcë politike e cila në Shkodër ka patur tubin e frymëmarrjes tek tashmë “ish” kryetarja e parlamentit, po përjeton situatën e saj më të vështirë në të gjithë ekzistencën e saj duke mos menduar hë për hë sesi të organizohet për betejat politike me kundërshtarët politikë, por duke u përpëlitur me oksigjenin e pakët të mbetur për të kapur trenin drejt lidershipit të ri të PD i cili ende nuk ka vendosur se kush nga ata do jetë më servil për ta mbajtur pranë. Në anën tjetër kemi një Parti Socialiste më të konsoliduar se asnjëherë në Shkodër.

Me euforinë e natyrshme të një fitoreje historike dhe dukshëm më aktive duke operuar në terren me deputetin e kthyer në një simbol për militantët, Tom Doshi. Vitaliteti i kësaj force u dëshmua më së miri gjatë fushatës për zgjedhjet e përgjithshme ndërsa “motorët” për zgjedhjet vendore të komunave janë ende të ngrohtë. Një tjetër favor jo më pak i rëndësishëm, është fitorja plebishitare e zgjedhjeve të përgjithshme nga PS, që solli rrëzimin e një force politike kryesisht për shkak të korrupsionit dhe babëzisë së familjes Berisha dhe njerëzve afër tij. Nisur nga ky rezultat dhe mënyra sesi ra nga pushteti qeveria Berisha, Tezat e kandidatit të majtë Luan Harusha, janë më të besueshme, më reale dhe shumë herë më të moralshme sesa ato të kundërshtarit të tij.

Kandidati i majtë përfaqëson në betejën e tij elektorale një parti që e votuan rreth 1 milionë shqiptarë e gjithashtu ka mbështetjen e një deputeti që shkatërroi mitin e Jozefina Topallit në Shkodër duke e kthyer atë politikisht në një kufomë të pakallur. Ndërsa unë ende nuk di se kush do ketë kurajon nga drejtuesit e lartë të PD-së të dalë në fushatë këto ditë të mbetura me kandidatin që i përfaqëson, veçse nëse del edhe njëherë zonja Topalli në një sfidë direkte me kundërshtarin e saj tashmë historik Doshi.

Programi i Partisë Socialiste është ndoshta më i miri në këto 23 vite që një forcë politike ka bërë për fshatin dhe ky do të jetë një tjetër avantazh për kandidatin Harusha si përfaqësues i kësaj force. Dhe së fundi, Partia Socialiste ka një projekt pezull për komunën Rrethina të nisur nga një kryetar të cilit iu bë e pamundur për të vazhduar një punë që e kishte nisur duke marrë rezultate. Një fitore e pritshme e zgjedhjeve, do të jetë dhe një mesazh falënderimi për punën e bërë nga ai.
 
Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 30.08.2013
 
Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni funksionimin e Gjykatave dhe Prokurorive në qarqe?



×

Lajmi i fundit

Meta jep porositë e fundit para Konventës: Të gjithë si Tedi Blushi! Ashtu bëhet opozitë

Meta jep porositë e fundit para Konventës: Të gjithë si Tedi Blushi! Ashtu bëhet opozitë