Pse vdesin protestat tek ne dhe mënyra sesi përfiton qeveria?!

Pse vdesin protestat tek ne dhe mënyra sesi përfiton qeveria?!

Protestat e organizuara nga Shoqëria jonë Civile, grupet e interesit dhe ato me pjesëmarrje më të madhe nga partitë politike kanë përshfaqur edhe në Shqipëri një fenomen shqetësues. Rezistencat civile edhe pse shihen si përballja më e mirë para regjimeve autokratike dhe ato të padrejta po bëhen gjithnjë e më të paefektshme. Të paktën, për momentin apo projeksionet afatshkurtër.

Shembulli në Shqipëri kulmon me protestën e studentëve, por kurba bie me protestën e minatorëve dhe naftëtarët, më pak akoma me njerëzit e bujqësisë dhe në masivitet ka një shembull “të mirë” tek protestat e partive politike, që në vitet e fundit i ka drejtuar PD-ja, por që nuk kanë arritur të bëjnë dot ndryshime. Nuk ka asnjë dyshim se pandemia e Covid-19 ishte një goditje e madhe dhe një lloj çlirimi për shumë nga qeveritë në botë, përfshirë dhe tonën, teksa dhjetëra lëvizje të vazhdueshme të rezistencës civile në mbarë botën pothuajse u fashitën. Madje, ato ditë, nga teoricienë të ndryshëm u shpallën edhe si: koha e fundit e protestës civile!!!

Por, a është ky vetëm një trend shqiptar?! Për fat të keq, jo. Një studim i Erica Chenoweth, që është përmbledhur në artikullin “The future of nonviolent rezistance” jep të dhëna shqetësuese për tkurrjen e madhe “për sa i përket pjesëmarrjes, teksa fushatat e rezistencës civile janë bërë mesatarisht disi më të vogla se në të kaluarën. Sigurisht që ka pasur demonstrata masive mbresëlënëse në vitet që nga viti 2010. Në 2017 dhe 2019, miliona njerëz dolën për të protestuar kundër presidentit të Venezuelës Nicolás Maduro. Dhe në Kili, kryengritja e tetorit 2019 kundër qeverisë së Presidentit Sebastián Piñera thuhet se tërhoqi një milion njerëz në mbarë vendin. Megjithatë, pavarësisht nga imazhet dramatike të turmave, që mbushin hapësirat publike, lëvizjet e fundit në tërësi, në kulmin e tyre, në fakt kanë qenë më të vogla se lëvizjet e suksesshme të fundit të viteve 1980 dhe 1990. Në vitet 1980, fushata mesatare jo e dhunshme përfshinte rreth 2 për qind të popullsisë në vendin ku ajo ishte duke u zhvilluar. Në vitet 1990, fushata mesatare përfshinte 2.7 përqind të popullsisë. Por që nga viti 2010, pjesëmarrja mesatare maksimale ka qenë vetëm 1.3 për qind, duke vazhduar me një rënie që e filloi trendin e saj qysh në vitet 2000”, shkruan ajo duke shtuar se suksesi arrihet “kur përfshin një pjesë më të madhe dhe një strukturë më të larmishme të popullsisë së një kombi” (Ibid).

Lëvizjet bashkëkohore të protestës duket se nuk krijojnë frymën e duhur dhe ato fashiten menjëherë, pasi qëllimi më shumë duket për të mbajtur dhe konfirmuar një grup njerëzish sesa punohet me strategji të vërteta. Në demonstratën e 7 korrikut, që gjithçka u kuptua se ishte thjesht për të konfirmuar rolin e Berishës si kryetar por edhe për ta bërë të qartë dhe “de jure” se ai është njeriu kryesor i opozitës nuk kishte as qëllim dhe as objektiv të përcaktuar. Justifikimi i njerëzve të tij që disa orë më parë thoshin se do ta ç’instalojmë Ramën u harrua vetëm pak orë më vonë, kur njerëzit merreshin thjesht me masivitetin por jo objektivin.

Për fatin e keq, aksioni i rezistencës civile në Shqipëri bëhet edhe më i vështirë, pasi mungojnë tërësisht sindikatat, kjo pasi organizimet në punë janë aq të dobëta dhe aq vulnerabël apo administrata është aq e ndërvarur saqë çdo protestë e ka të pamundur ta përdorë si duhet kapitalin human. Grevat e përgjithshme por edhe mobilizimet e mëdha nuk realizohen kurse vetëdija publike për mosbindje civile është e pamundur. Paradoksi është se në epokën dixhitale, vërtetë tashmë edhe në sheshet shqiptare ke gjithnjë e më shumë njerëz, por askurrë nuk ke planifikim të detajuar për të ardhmen dhe objektiva të qarta apo grupe organizimi që kanë platforma. Në një farë mënyre ke një gjendje hibride, që mbaron pa u formësuar ende. Ku mbështetja nga partitë tona jo vetëm nuk formon dot frymë, por krijon përkohësisht presion që shpejt relativizohet jo vetëm nga mungesa e objektivave të qarta dhe të detajuara, por nga shumësia kaotike e arsyeve, që në vetvete do shumë për t’i argumentuar. Aman, jo brenda një proteste.

Autokratët përfshirë dhe liderët në Ballkan kanë një vetëdije më të madhe dhe janë shumë më strukturuar se më parë. “Regjimet në Bjellorusi, Iran, Rusi, Siri, Turqi dhe Venezuelë janë treguar veçanërisht elastike përballë sfidave nga poshtë. Nuk ka dyshim se aktivistët që punojnë në mjedise të tilla po përballen me vështirësi të mëdha. Megjithatë, ky shpjegim post hoc për dështimin e lëvizjes ka të metat e veta. Shumë regjime – si qeveria e Bashirit në Sudan – shihen si të pandryshueshme dhe elastike deri në momentin që një lëvizje e rezistencës jo e dhunshme i rrëzon ato, pas së cilës vëzhguesit pretendojnë se regjimet në fund të fundit ishin të dobëta”, shprehet studiuesja e mësipërme. Mbase ky nuk është rasti i Shqipërisë, por dëgjesa e qeverisë është gjithnjë e pamundur.

Duket se qeveritë e kësaj periudhe të demokracisë dinë të bëjnë një përballje më të zgjuar ndaj sfidave jo të dhunshme nga poshtë. Pas ngjarjeve të vitit 1997 pati një ndërprerje të pushtetit të demokratëve prej krizës së shtetit por ndërkohë socialistët do lëshonin për ato akuza që kishin marrë vetë pushtetin. Ndërkohë që protestat e fuqishme i kanë mbyllur gati në favor të tyre dhe shpesh me kauza të papërfunduara nga njerëzit që mëtonin se kishin gjetur rrugët e duhura. Thjesht, njerëzit u bënë më të qartë para kutive të votimit. Ndaj, sot, politikanët pushtet-fortë janë bërë shumë më të mprehtë me stigmat por edhe kultet, që kanë ngritur për veten e tyre.  “Rrjedhimisht, regjimet autokratike kanë zhvilluar një repertor të qasjeve të zgjuara politikisht ndaj represionit. Një strategji e spikatur është infiltrimi i lëvizjeve dhe ndarja e tyre nga brenda. Në këtë mënyrë, autoritetet mund të provokojnë një lëvizje jo të dhunshme për të përdorur taktika më militante, duke përfshirë dhunën, përpara se lëvizja të ketë ndërtuar një bazë mjaft të gjerë për të siguruar mbështetjen e saj popullore dhe fuqinë e qëndrueshme”, referon Chenoweth.

Ndërkohë botës demokratike i mungon modeli i vërtetë demokratik i protestës, kurse me ardhjen e Donald Trump në vitin 2016, Shtetet e Bashkuara kanë përshpejtuar tërheqjen e tyre nga roli i saj global si një superfuqi me një axhendë prodemokracisë, shpjegon literatura. Daniel Ritter ka argumentuar se në botën e pas Luftës së Ftohtë, regjimet autoritare ishin veçanërisht të ndjeshme ndaj sfidave jo të dhunshme nga poshtë, sepse ata duhej të ruanin pamjen e respektit për të drejtat e njeriut për të qetësuar aleatët dhe patronët e tyre demokratikë, citojmë studiuesen.

Po a është ky rasti i Shqipërisë? Me sa duket, demokracia jonë problemin e ka me vetë konceptin e demokracisë dhe identifikimin e saj, ndaj shumë protesta mbeten udhës. Kryeministri Rama një mjeshtër dhe lider tashmë tashmë fuqiplotë që e ka logjikën e turmës dhe pozita e përçarë e opozitës ka treguar se kjo fuqi, e cila kanalizon protestat nga poshtë, nuk mund të bëhet një fuqi për ndryshim. Kapaciteti i ardhshëm i lëvizjeve për të ndërtuar fuqinë e njerëzve nga poshtë, të paktën në Shqipëri do të duket nga sinqeriteti por edhe objektivat e qarta. Kjo është arma që e tremb pushtetin, por që ende nuk po del në terren edhe pse për çdo ditë ka arsye për të.

Ka jo pak arsye për shpresë në këtë drejtim. Së pari, ekonomike, e dyta se aktivistët progresivë, që tashmë vinë nga breza të rinj, nuk e honepsin më këtë statusquo kaq të lodhshme prej këtij establishmenti politik dhe propagandë kaq të madhe qeveritare. Protestat e të ardhmes ka të ngjare që t’i përballin pushtet-mëdhenjtë si Rama me surpriza aspak të këndshme…

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë