Pse vendosëm ta lajmë flamurin me të cilin u varros Ismail Qemali

Pse vendosëm ta lajmë flamurin me të cilin u varros Ismail Qemali

Flamuri me të cilin u varros Ismail Qemali

Mendimi i parë që pata kur  identifikuam flamurin me të cilin u mbulua trupi i Ismail Qemalit kur ai vdiq, ishte që të ruhej prekja e fundit e tij mbi flamur. Le te mbetej në përjetësi! Ndjenjë e pavullnetshme e ekzaltimit shpirtëror!

Por kjo ishte ndjenja e parë… Gjatë një viti të tërë u ndeshën në mendimin tim dy përbindësha, ai nostalgjik  dhe ai i detyrës së ruajtjes fizike të vetë objektit. Ja që natyra  e ka ndërtuar lëndën pa shpirt, ajo do t’i nënshtrohet proceseve të detyrueshme të degradimit. Ajo do të shpërbëhet për të kaluar në gjendjen më të qëndrueshme, që është ajo më e thjeshta. Detyra jonë është që ta ndalojmë këtë proces, ose ta ngadalësojmë aq sa na lejon natyra: përtej kësaj do të mbetet vetëm kujtimi…



 

Literaturë, ngjarje historike, analiza, vëzhgime…Pa rreshtur….

Sipas raportit të datës 31 mars 1913 të  konsullit austro-hungarez në Vlorë , Lejhanec, për ministrin e Punëve të Jashtme, kontin Berchold, Duka i Monpensies i a dhuroi flamurin Ismail Qemalit me 29 mars të vitit 1913. Po atë mbasdite, apo me 30 mars, flamuri u ngrit në shtizën e oborrit të ndërtesës së Doganës së Vlorës në Skelë. Ai flamur qëndroi dhe u valavit në shtizë, deri kur Ismail Qemali dha dorëheqjen me 22 janar 1914. Kur do të largohej nga Shqipëria ai kërkoi të merrte diçka si kujtim dhe si kujtim i u dha pikërisht ky flamur. U ul ngadalë nga shtiza me litarin që e ngrinte dhe që u pre, duke mbetur pjesë e përhershme e dhuratës.

Pra flamuri qëndroi i ekspozuar në dritën  natyrale për gati dhjetë muaj. Gjithashtu ai u valavit në bregdet, i rrahur nga erërat detare.

Që në këto momente ka filluar dëmtimi fizik, kimik dhe fotokimik i flamurit.

Flamuri është kompozuar në një pëlhurë të leshtë. Për të parë gjëndjen e fibrave, jo ajo që duket me sy, por me aparatura të zmadhimit të madh, i u drejtova miqve të mi në universitetin e Ljubljanës. U perdor SEM, (Scaning Electron Microscopy), e cila tregoi realen përtej mundësive të syrit dhe dha disa tregues mbi elementët kimikë.

Analizat e lloit të ngjyruesit të kuq të përdorur për ngjyrim nuk janë kryer, sepse nuk mund të bëhen në Shqipëri: ato duan laboratorë të specializuar dhe shumë të kushtueshëm. Edhe të bësh një analizë në ta, kushton, diku tek 180-200 Euro. Por të dish se çfarë ngjyruesi është përdorur, do të thotë që të kuptosh më mirë proceset nëpër të cilat ka kaluar objekti dhe se çfarë masash duhet të marrësh, për ta ruajtur sa më mirë atë. Sidoqoftë mund të gjykojmë deri diku nga teknologjitë e përdorura në ato kohë për ngjyrimin e tekstileve. Natyrisht që gjykimi do të endet në errësirën e hamendësimit dhe kurreësesi nuk mund të përdoret për citim në këtë fazë të dijes.

Mund të jetë e mundur që  të jetë përdorur një ngjyrues natyral me bazë antrakinonin, ndoshta nga bima Rubbia tinctorum, që botanistët tanë e quajn rrëza ngjyruese.  Analizat me anë të SEM treguan praninë e zinkut dhe të kalciumit. Mos vallë kalciumi vjen nga ndotja? Ndërsa zinku është përdorur si mordant, pra si një lidhës midis ngjyruesit dhe fibrës. Jo vetëm që i jep më forcë ngjyrës, por e bën edhe më të qëndrueshme ndaj dritës. Dhe vërtet, flamuri e ruan  mirë ngjyrën e kuqe, por që gjithsesi kjo është relative, sepse ne nuk e dimë pamjen e parë origjinale. Problem është prania e kalciumit. Ai ka ndikim negativ në qëndrueshmëninë e ngjyrës. Do ta analizojmë më poshtë.

Në fotografitë e marra dallohet shumë mirë papastërtia mbi fibra. Vjen nga pluhurat dhe ka mundësi edhe nga dherat, të cilat e kanë shoqëruar flamurin gjatë udhëtimit të  tij historik.

Pluhurat e të gjitha llojeve kanë një ndikim negativ të madh në tekstile. Aspekti estetik është njëra anë dhe më e thjeshta. Pluhurat janë edhe kristalinë dhe me cepat e kristaleve punojnë si tehe, që me kohë i dëmtojnë fibrat deri në këputje. Në vartësi të përbërjes kimike ata thithin lagështinë nga atmosfera dhe i a kalojnë këtë lagështi tekstilit. Bymimi dhe tkurrja në vartësi të lagështisë relative do të punojë për dëmtimin e mëtejshëm të fibrave. Por jo vetëm kaq. Në ujin e lagështisë treten ndotësat atmosferikë, acide, etj dhe kjo masë tashmë kimike, i kalon fibrave, të cilat i nënshtrohen dëmtimit kimik. Gjithashtu lagështia që i transmetohet fibrave, sidomos kur është i pranishëm edhe kalçiumi, bën që elektronet π, (pi), të jenë më të lëvizshën në vargun e konjuguar dhe të shkaktojnë dëmtimin e ngjyrës. Tekstilet e pluhurosura zbehen me shpejt nga drita. Sa për kuriozitet, tekstilet në muzeume nuk lahen me ujë çesmeje, por me ujë të demineralizuar, pa përmbajtje kalçiumi dhe magnezi. Por lagështia e formuar nga pluhurat rrit edhe  mundësinë e veprimit të bakterieve mbi fibrat e tekstilit dhe një veprim të tillë shkatarrues e dallojmë vende-vende në rastin e flamurit për të cilin po shkruajm.

Ndërtesa e Doganës së Vlorës  ndodhej pranë detit. Erërat e forta bregdetare e kanë shqyer në një vend. Po ka edhe një gjë tjetër. Erërat rrëmbejnë nga kreshatat e valëve cikla uji, të cilat kanë në përmbajtjen e tyre kripën e detit. Është parë se këto  cikla shkojnë deri në njëmijë e gjashtëqint metra përtej bregut. Kripa ka një veprim tejet negativ në tekstile, sepse i brishtëzon fibrat, duke i bërë të thyeshme. Dhe flamuri e ka një farë brishtësie të parikthyeshme, e cila do të përparojë nga prania e kripës.

Vura në peshoren e llogjikës ndjenjën, që do të mbetej e çastit dhe jetëgjatësinë, konservimin dhe kjo e dyta e uli pjatën.

Flamuri u la duke përdorur banja të pastrimit të njomë në bazë të recetave që rekomandon British Museum. U gjallërua, por mbi të gjitha u larguan dëmtuesit që ndodheshin në të. Tashmë është i sigurtë, por gjithmonë brenda parametrave të konservimit muzeal.

/b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Dhimiter Xhoga(Guri Naimit D): 16/06/2018 15:55

    Tu befshin Ditet NJEMIJE, i nderuar Fredrerik Stamati.bir i asaj famile te nderuar me baba Vasilin e te miren nene mesuese,( me fal per momentin mua 82 vjecarin bllokuar emri saj i nderuar),per sa keni arritur me punen tuaj te shkelqyer shkencore te pa shoqe do te thoja per kohen qe jeton atdheu yne...MONUMENTi te gjalle te pacim.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë