Presidenti amerikan, Donald Trump nuk kërkoi falje, edhe pse në llogarinë e tij në rrjetet sociale u publikua dhe më pas u fshi një video me përmbajtje raciste, në të cilën ish presidenti Barack Obama dhe bashkëshortja e tij Michelle Obama paraqiteshin si majmunë.

Trump deklaroi se kishte kërkuar nga stafi që të publikohej videoja, por nuk kishte parë pjesën e fundit që ishte ofenduese, prandaj refuzoi të kërkojë falje.

Publikimi u konsiderua raciste dhe nxiti kritika të ashpra nga të dyja anët e skenës politike.

Në fillim, Shtëpia e Bardhë mbrojti videon, por më vonë e fshiu dhe bëri të ditur se një anëtar i stafit ishte përgjegjës për postimin.

Në fund të videos, për rreth dy sekonda, u shfaq një montazh ku fytyrat e buzëqeshura të Barack dhe Michelle Obama janë vendosur mbi trupa majmunësh, me sfond një xhungël. Videoja ngjalli reagime dhe kritika për përmbajtjen dhe mesazhin e saj.

Kjo nuk është hera e parë që Trump publikon video të tilla. Vitin e kaluar ai postoi një video të bërë me inteligjencë artificiale ku Barack Obama arrestohej në Zyrën Ovale dhe më pas qëndronte pas hekurave me një kostum portokalli.