TIRANE- Hapja e zyrave të punës në disa qytete të vendit u shoqërua me një numër të madh kërkesash për punë, kryesisht nga të rinjtë. Specialistët e punësimit, shpjegojnë se çdo ditë në zyrat e punës, paraqiten persona të kategorive të ndryshme në kërkim të një pune. Një numër i konsiderueshëm kërkesash për punë kanë ardhur edhe nga personat me aftësi të kufizuara apo edhe invalidët, të cilët falë arsimit që kanë, kërkojnë të punësohen në profesione të ndryshme si juristë, ekonomistë, por edhe në punët artizanale.

“Ditën e sotme kemi punësuar një vajzë me pamundësi në të folur dhe në të dëgjuar, në një prej rrobaqepsive që kishte shfaqur interes për punonjës të tillë”, shprehet për “Shqiptarja.com” Julinda Gjonja, specialiste punësimi në Zyrën e Punësimit. Sipas saj ka një trajtim më të veçantë për këtë kategori sociale, e cila është e grupuar në një listë dhe trajtohet me prioritet. Specialistja e punësimit sqaron se këta persona janë shumë të predispozuar të jenë më të përkushtuar në punët që bëjnë, fakt i cili është konfirmuar edhe nga punëmarrësit e këtyre individëve.

Në lista edhe të huaj
Por në këto zyra pune, kërkesat për punë nuk vijnë vetëm nga shtetasit shqiptar. Në listat e Zyrës së Punës figurojnë edhe emrat e shtetasve të huaj me kombësi të ndryshme, të cilët kërkojnë të punësohen në vend. Sipas specialistëve të punësimit, shtetasit e huaj që janë në kërkim të një pune në vendin tonë, janë student të rinj që kryejnë studimet në kryeqytet. Punët e kërkuara nga këta të rinj lidhen kryesisht me fushën e komunikimit dhe call-center.

Brenda kategorisë së veçantë të kërkesave që bëhen në zyrat e punës, janë edhe pensionistët. Sipas specialistes Gjonja, numri i të moshuarve nuk është shumë i madh, por mundësia për punësimin e tyre është shumë e vogël për shkak se në pjesën më të madhe të rasteve, pensionistët kërkojnë punë me kohë të pjesshme(part-time). Gjithashtu këto zyra kanë një bashkëpunim me OJF-të, për punësimin e të rinjve jetim, si një mënyrë efikase për integrimin e tyre në shoqëri.

Shkrimi u publikua sot (19.03.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)