Kryeministri Edi Rama ka ndarë të shtunën pamje dhe detaje nga ecuria e punimeve në Urën e Viroit në Gjirokastër. e para nga 30 urat që do të ndërtohen ose përmirësohen në të gjithë Shqipërinë, me mbështetjen e Bankës Botërore dhe investimin e qeverisë shqiptare.

Në një postim në Facebook, Rama bën të ditur se projekti po shkon drejt përfundimit dhe përfshin ndërtimin e një ure të re me dy hapësira drite, si dhe një tombinoje që lidh urën ekzistuese në digën e liqenit me lumin Drino.

Sipas tij, ndërhyrjet synojnë përmirësimin e infrastrukturës dhe lehtësimin e qarkullimit në këtë segment rrugor. Gjithashtu, sipas Ramës janë realizuar struktura në funksion të kategorisë së rrugës C2 dhe është përmirësuar organizimi i hyrjeve dhe daljeve, në një gjurmë të re rrugore që kalon paralel me rrugën ekzistuese.

“Përfundimi dhe hapja e kësaj vepre do të sjellë përmirësimin e gjurmës ekzistuese, rikthimin e kapacitetit mbajtës të strukturës dhe rritjen e sigurisë rrugore, duke shmangur ndërprerjen e qarkullimit për shkak të përmbytjeve”, u shpreh Kryeministri.

Ura, me gjatësi 33 metra dhe gjerësi 7 metra, do të ketë dy korsi dhe trotuare në të dy anët. Ajo ndodhet në aksin SH4, në drejtim të pikës kufitare të Kakavijës, dhe konsiderohet një nyje e rëndësishme për qarkullimin në jug të vendit.

Sipas të dhënave, përfundimi i saj pritet të ndikojë në uljen e kohës së udhëtimit dhe përmirësimin e sigurisë, veçanërisht në rastet e përmbytjeve. Projekti synon gjithashtu të garantojë qarkullim gjatë gjithë vitit, duke përfituar mijëra drejtues mjetesh dhe këmbësorë.

U.D/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës: 27 Mars, 08:12

    Rritja e çmimit të ushqimeve, a duhet të marrë masa qeveria për të mbrojtur konsumatorët?