Pas 33 vitesh punë me 17 ministra, në të njëjtën zyrë të katit të parë ku filloi punën si Redaktor i Gazetës Mësuesi, dita e fundit në detyrë e Ilir Kaninit u shoqërua me një surprizë për të, ardhjen e beftë të Kryeministrit Edi Rama.  
 
Doktori i Shkencave Historike, Iliri ka emrin e tij në historikun e Ministrisë së Arsimit dhe të arsimit shqiptar. Edhe pse nuk e njihte personalisht, Kryeministri vendosi t’ia uronte vetë Ilirit, ditëlindjen, në shenjë respekti e vlerësimi të shembullit të nëpunësit profesionist, korrekt e të ndershëm, të cilët administrata shqiptare i ka të shumtë dhe që Ilir Kanini i përfaqëson.
 
 “Unë nuk kam ardhur për të shprehur respektin tim më të thellë për Ilirin dhe për të shfrytëzuar rastin që Iliri si një shembull i shkëlqyer, që nuk është i vetmi natyrisht, provon se administrata është larg së qeni ajo që perceptohet dhe përgojohet përditë, edhe pse është larg së qeni ajo që duhet të jetë për një vend që aspiron të bëhet anëtare e Bashkimit Europian. Si Iliri ka plot njerëz të ndershëm, ka plot familjarë, prindër apo edhe më të rinj, që janë pjesë e administratës, për të bërë me përkushtim detyrën dhe për të fituar me ndershmëri rrogën dhe bukën e përditshme të fëmijëve dhe familjes së tyre,” – u shpreh Kryeministri.
 
Model i nëpunësit të përkushtuar dhe frymëzues e cilësoi edhe Ministria e Arsimit Lindita Nikolli. “Iliri ka një jetë në arsim, por është nga ata që profesionin e ka nisur mision. Ka 33 vite që punon në Ministrinë e Arsimit, i dedikuar arsimit fillor, i dedikuar revistës Mësuesi. Ka 33 vite që s’ka marrë asnjëherë raport. Një model që do të na shërbejë të gjithëve, mua të parës, por edhe të gjithëve për modelin e thjeshtësisë, profesionalizmit, korrektesës, ndershmërisë dhe këtë dua ta vlerësoj fort. Kështu që Ilir, unë të jam mirënjohëse.”
 
Në një ambient gëzimi, por edhe emocionesh, u rrëfyen kujtime e mbresa nga puna e përbashkët, por edhe batuta e dhurata. Një kravatë ishte dhurata e Kryeministrit, e shoqëruar edhe me një batutë.
 
“Kjo është kravata e kryeministrit. Nuk je i detyruar ta mbash, por ndonjëherë nuk i dihet edhe mund ta mbash. Unë jam i gjatë, por kravatat janë normale”, shprehet Rama. Ndërsa ministrja i ka dhuruar një laptop.
 
Ilir Kanini punoi me 17 ministra dhe mbylli karrierën në administratë me respektin e të gjithëve.