Pas protestës së punonjësve të pastrimit, punonjësit e sektorit të fshesës në Ndërmarrjen e Pastrim-Gjelbërimit në Bashkinë e Vlorës dolën të mërkurën në protestë, duke kërkuar ndryshimin e vlerës së pagës, që sipas tyre është ulur ndjeshëm, si dhe respektimin e orarit zyrtar të punës.

Punonjësit u shprehën se ndihen të dëmtuar dhe të shpërfillur, duke theksuar se prej kohësh po përballen me kushte të vështira pune dhe pasiguri financiare.

“Në protestë këtë të mërkurë kemi dalë edhe ne, punonjësit e sektorit të fshesës, pasi na është ulur pagesa dhe nuk po respektohet orari i punës. Kërkojmë vetëm të drejtat tona” tha njëri prej tyre.

Protesta nisi pranë ambienteve të Ndërmarrjes së Pastrim-Gjelbërimit dhe më pas u zhvendos drejt Bashkisë së Vlorës, ku punonjësit u takuan me Kryetaren e Bashkisë Brunilda Mersini  për t’i paraqitur drejtpërdrejt shqetësimet dhe kërkesat e tyre.

Pas takimit të zhvilluar me punonjësit e pastrimit dhe ata të fshesës, Mersini konfirmoi për mediat se pagat e vonuara do të kalojnë brenda ditës në bankë por sqaroi edhe një marrëveshje për zgjidhjen e situatës nëpërmjet bashkimit të dy ndërmarrjeve në një strukturë të vetme, një veprim që sipas saj, synon uljen e ngarkesës mbi punonjësit dhe përmirësimin e organizimit të punës.

“Sot punonjësit brenda orës 1 do të mund të tërheqin pagat e tyre. Ka qenë një nga vendimet e para të Këshillit Bashkiak që Ndërmarrja e Gjelbërimit dhe Pastrimit duhet shkrirë në një të vetme. Ju e kuptoni që ngarkesa ka rënë në 20 persona  të cilët kanë punuar pa pushim, kjo ka shkaktuar zemëratën e tyre. Në kuadër të shkrirjes së dy ndërmarrjeve, ku ndërmarrja e pastrimit dhe gjerlbërimit do jetë një e vetme, çdo rajon do të ketë një numër të lartë punonjësish  Pra sot që flasim ka 30-35 punonjës në 1 rajon dhe rajoni do të menaxhohet nga mbikqyrësit me 35 punëtorë dhe jo siç ka qenë me 2 punëtorë. Me mbarimin e afatit të ujësjellësit në maj, që menaxhohet nga ndërmarrja e ujësjellës kanalizimeve, e ne do të fillojmë me asfaltimet e rrugëve. Do të ketë kontenitorë të rinj por për shkak të infrastrukturës së dëmtuar, e ka bërë të vështirë vendosjen e tyre. ” tha ajo

Sipas Mersinit, qyteti i Vlorës duhet të pastrohet 24 orë, por pa rritur ngarkesën e tyre apo cenuar të drejtat e punëtorëve. Nga ana tjetër ajo sugjeron edhe ndryshime të tjera në aktivitetet e qytetit. 

“Punonjësit nuk mund të punojnë vetëm në orët e natës. Qyteti duhet pastruar 24 orë nëpërmjet turneve duke u dhënë punonjësve edhe ditë pushimi. Ata nuk kanë pasur ditë pushimi dhe kanë punuar shtesë. Të gjitha këto kanë qenë arsye që ne në Këshillin Bashkiak kemi rënë dakord që Ndërmarrja duhet të funksionojë si një e vetme. Por ajo që unë shoh problem është që orët kur qyteti ka aktivitet. Nuk mund të lejojmë që furnizimi i dyqaneve të kryhet në ccdo orë të ditës.  Në orën 8 të mëngjesit kur fëmijët shkojnë në shkollë, ata nuk duhet të kryejnë furnizim. Ne po përgatisim një rregullore që do ti paraprijë të gjithë aktivitetit të qytetit Lëvizjen e autobuzëve dhe me ndryshimet në kodin penal për parkimin dysh, dhe me ndryshimin e orareve të furnizimit do vendosim rregullat në qytet” tha Mersini.

Protesta e sektorit të fshesës vjen pas protestës së mëparshme të punonjësve të pastrimit, të cilët po ashtu ngritën shqetësime të ngjashme për paga, orare dhe kushte pune.

Punonjësit paralajmëruan se nëse nuk do të ketë zgjidhje konkrete nga institucionet, protestat do të vijojnë edhe në ditët në vijim.

U.D/A.A/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës: 2 Shkurt, 13:24

    A e mbështesni kërkesën e gjyqtarëve për rritje page?