Punonjësit e pastrimit me fshesë të rrugëve dhe trotuareve në Bashkinë Vlorë kanë dalë sot në protestë para godinës së Bashkisë. Njëzet e dy punonjës, të cilët mbulojnë me pastrim të gjithë territorin e Vlorës, kundërshtojnë vendimin e Bashkisë për t’i kaluar nga puna e fshirjes gjatë natës në fshirjen e qytetit gjatë ditës. Ata kundërshtojnë gjithashtu shtimin e orarit të punës nga 6 në 8 orë, si dhe ndryshimin e vlerësimit të pagesës për orët e punës, pasi sipas tyre, kjo përkthehet në ulje page.

Sipas punonjësve, është e pamundur që qyteti të pastrohet gjatë ditës, për shkak të qarkullimit të makinave në rrugë dhe të këmbësorëve në trotuare. Ata thonë se vendimi nuk është konsultuar me ta, por është marrë pa u pyetur. Po ashtu, pretendojnë se kontrata e punës që kanë firmosur me Bashkinë nuk parashikon këto ndryshime.

Ata kanë kërkuar sot të takohen me kryetaren e Bashkisë, Brunilda Mersini, por në mungesë të saj janë takuar me përgjegjësin e burimeve njerëzore. Sipas përfaqësuesit të punonjësve, përgjigjja e Bashkisë ka qenë se “vendimi është marrë”. Nga ana e Bashkisë, ndryshimi nga pastrimi gjatë natës në pastrimin gjatë ditës konsiderohet një vendim që pritet të sjellë më shumë rezultate.

Megjithatë, për punonjësit ky vendim është i papranueshëm. Ata thonë se do të sabotojnë punën, deri në një takim ku edhe fjala e tyre të dëgjohet.