VIDEO/ Lavdëroi Parkun Divjakë-Karavasta në një intervistë, drejtori pushohet nga puna pse s’kishte marrë leje

Drejtori i Parkut Kombëtar Divjakë-Karavasta, Ardian Koçi u pushua nga puna pas një interviste për Zërin e Amerikës lidhur me turizmin natyror në Shqipëri. Agjencia e Zonave të Mbrojtura, përmend si shkak të pushimit nga puna mos-marrjen e lejes tek eprorët për intervistën.

Duke folur për Zërin e Amerikës, zoti Koçi thotë se shkaku është qesharak, pasi sipas tij, shkelja ishte etike dhe nuk përbën faj administrativ për pushimin nga puna. Pas gati dhjetë vitesh në detyrë, Ardian Koçi, drejtor i Parkut Divjakë-Karavasta, Parku më i madh Kombëtar në Shqipëri, pushohet nga puna.

Më 12 shkurt të këtij viti, zoti Koçi u intervistua nga Zëri i Amerikës, së bashku me disa ekspertë të tjerë, lidhur me turizmin natyror në Shqipëri. 10 ditë pas intervistës, më 22 shkurt, ai njoftohet nga Drejtoresha e Agjencisë së Zonave të Mbrojtura, Daniel Pirushi, se ndaj tij kanë filluar procedurat disiplinore, pasi nuk kishte marrë leje për intervistën. Më 3 mars, vetëm 9 ditë pas fillimit të procedurave, atij i njoftohet zyrtarisht pushimi nga puna.

Më erdhi shkresa që më lajmëronte ndërprerjen e detyrës sime më 8 Mars. Të them që erdhi si rrufe në qiell të pastër nuk e them dot. Mund të them që erdhi si një rrufe në qiell të vrenjtur, sepse më kishin dhënë shenja se kërkonin shkarkimin tim. Kohë më parë, në fund të janarit, unë jam thirrur nga drejtoresha ime e përgjithshme dhe më është kërkuar dorëheqja pa asnjë shkak, ose shkaku që ajo më tha ishte se unë përdorja shpesh Facebook-un dhe shpesh edhe në mënyrë kritike. Por u la një “por” dhe veç dorëheqjes u tha se “shiko se ne kemi edhe prova për abuzimet e tua” dhe unë preferova pas kësaj të ndiqja rrugën e dytë: I thashë unë nuk jap dorëheqjen, por ju vazhdoni dhe evidentoni povat e mija dhe më shkarkoni nëse ato janë të vërteta”, thotë zoti Koçi.

Në rregulloren e brendshme të Agjencisë, u kërkohet zyrtarëve të kërkojnë leje për intervista, por nuk është e qartë nëse mosrespektimi i saj është shkelje, që të çon deri në pushim nga puna. Po ashtu nuk është e paqartë, nëse një standard i tillë dhe masë ekstreme, zbatohet njësoj për të gjithë punonjësit e sektorit publik në Shqipëri. Në njoftimin dërguar zyrtarit në fjalë, agjencia nuk përmend ndonjë masë, apo vërejtje të marrë më parë ndaj tij, për shkelje të ngjashme.

U gjet një shkak, për mua qesharak, një intervistë e imja që doli tek Zëri i Amerikës më datë 12 shkurt dhe që unë flisja për rreth 20-30 sekonda duke promovuar turizmin në park. Duke thënë shifra që ishin publikuar nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, duke thënë një strategji, që në fund të fundit, është një strategji kombëtare e mbajtjes së turistëve në Shqipëri, se si ne turistin nga një ditë që konsumon sot në park ta mbajmë për disa ditë. Dhe kjo ishte gjithë intervista ime. Më thirrën në Komisionin e Disiplinës ku unë parashtrova argumenet e mija dhe akuzohesha se kam shkelur rregulloren e brendshme të Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura që më ndalon dhënien e intervistave pa marrë leje nga eprori. Prisja një vendim tjetër mbase ndonjë vërejtje por më erdhi vendimi për ndërprerjen e marëdhënieve të punës.”

Zëri i Amerikës i kërkoi Ministrisë së Turzmit dhe Mjedisit, institucionit qëndror nga varet Agjencia e Zonave të Mbrojtura një prononcim per rastin dhe nje përgjigje se a parashikonte Kodi i Punës ndërprerje të marëdhënieve të punës për shkak të shkeljes e rregullores së brendshme për dhënien e intervistës pa miratimin e eprorit.

Deri në përgatitjen e kësaj kronike Ministria e Turizmit dhe Mjedisit nuk iu përgjigj interesimit të Zërit të Amerikës.

Për transparencë me shikuesit, Zëri i Amerikës sjell citimin e plotë të zotit Koçi në kronikën për sfidat e turizmit natyror në Shqipëri transmetuar më 12 shkurt të këtij viti.

“Ka qenë një vit i sukseshëm do të thoja me mbi gjysëm milionë turistë që kanë vizituar Parkun Kombëtar Divjakë Karavasta nga të cilët rreth 65 mijë ishin turistë të huaj. “Kërkojmë që turisti që arrin këtu të mos harxhojë disa orë, por disa ditë, duke qëndruar në Park dhe kjo bëhet duke shtuar atraksionet turistike. Po punojmë për të shtuar itineraret. Nga ana tjetër përparësi është mbrojtja e mjedisit të parkut dhe resurseve të tij. Kaluam një vit të vështirë me një verë tejet të thatë dhe me rrezimshmëri për zjarret edhe në stinët që pasuan dhe kjo u përballua mjaft mirë nga stafi i parkut.”

Zoti Koçi thotë se gjatë këtyre viteve që ka drejtuar parkun ka dhënë intervista të shumta për mediat e njohura kombëtre dhe ndërkombëtare për të promovuar parkun, pa marrë leje dhe as nuk i është tërhequr vëretjtja për to.

Kemi përdorur për promvomimin e parkut rrjetin social Facebook, pasi nuk kishim një faqe të dedikuar në internet, si dhe reportazhet në mediat më të mëdha ndërkombëtare. Në argumentet që unë përdora në mbrojten time në ecurinë disiplinore, që më thirrën, përmenda 12 kanale televizive nga më të njohurit në botë përfshi Zërin e Amerikës, BBC, ARTE ZDF që me anën e reportazheve kemi bërë promovimin e zonës sonë.”

I pyetur se cilat kishin qenë disa nga sfidat në drejtimin e Parkut Kombëtar të Dijakë - Karavstasë Zoti Koçi u përgjigj:

“Sfida më e madhe ka qenë të përballosh presionin e zhvillimit ekonomik që ka zona, sepse gjithmonë ky presion vjen nga qeverisja. Sfidat e tjera kane qenë pastaj gjuetia, prerja e drurëve në park por këto ishin sfida më të lehta për t`u përballuar sepse ishin sfida ku kishe të bëje me persona të veçantë. Ndërsa të përballosh sfidën e zhvillimit ekonomik në kurriz të mjedisit kjo ishte diçka shumë e rëndë, por e kemi përballuar”. Sfidë tjetër ka qenë turizmi. Po të krahasojmë turizmin psh në vitin 2014 shifrat e turistëve në vit ishin 230-240 mijë nga të cilët 1500 ishin të huaj ndërsa sot numri kalon gjysëm milioni, nga të cilët 65 mijë janë turistë të huaj.

Zoti Koçi thotë se pas pushimit nga puna bëri një padi në gjykatën civile të Lushnjës për Agjensinë e Zonave të Mbrojtura për zgjidhjen e padrejtë të marëdhënieve të punës dhe tha se do të largohet nga Shqipëria.

“Për fat të keq kam menduar të largohem nga Shqipëria. Kam ardhur në Shqipëri në vitin 2010 dhe mendoja që ishte stacioni i fundit për mua, por do largohem përsëri për në Itali. Do më mungojë shumë natyra shqiptare, parku, por s’do rresht së luftuari për të mbrojtur natyrën. Sigurisht tani e bëj si qytetar i lirë, që nuk ka forcën që të jep ligji prapa për të mbrojtur natyrën por nuk do resht asnjëherë së mbrojturi atë. Cdo gjë të kësaj zone e kam dashur pasi jam rritur këtu. Kam kaluar fëmijërinë time dhe kur u caktova drejtor mu duk sikur u ktheva në vendin tim të lindjes, në familjen time. Ky ka qenë një park nga më problematikët në Shqipëri, një park ku rreth orës 13 – 14 pasdite gjuetarët fillonin të zinin vendet e gjuetisë dhe vijonin gjithë natën dhe tani është kthyer në një park të qetë dhe në një destinacion për turistët, jo vetëm vendas por dhe të huaj.”

Zoti Koçi, thotë se në punën e tij ka patur mbështetjen e njerëzve të thjeshte, atyre që ishin të lidhur me natyrën, po ka patur përplasje me politikanët lokale , që siç thotë ai, i kanë bërë presion.

“Fillimisht kisha edhe mbështetjen e politikës derisa fillova të konsiderohesha si një pengesë për politikanë lokalë edhe më gjerë në drejtim të lënies dorë të lirë për të vepruar në park si ata kërkonin,” thotë ai.

Zona Divjakë Karavasta për herë të parë u shpall park në vitin 1966 dhe në vitin 1994 zona është shpallur zonë natyrore ndërkombëtare Ramsar. Në vitin 2007 është shpallur Park Kombëtar me sipërfaqe të zgjeruar 22.230 ha./VOA

Nisja e procedurave disiplinore për Ardian Koçi

 

Vendimi për pushimin nga puna të Ardian Koçi

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 20:40
VIDEO/ Ja intervista që i kushtoi vendin e punës drejtorit të Parkut Divjakë-Karavasta

Drejtori i Parkut Kombëtar Divjakë-Karavasta, Ardian Koçi u pushua nga puna pas një interviste për Zërin e Amerikës lidhur me turizmin natyror në Shqipëri. Kjo është intervista e plotë që Koçi ka dhënë për Zërin e Amerikës, për të cilën u pushua.

Lajmi i plotë i publikuar nga Zëri i Amerikës

Në Shqipëri turizmi natyror po njeh kohët e fundit një rritje si rezultat i rritjes së vizitorëve, sidomos nga jashtë vendit. Vetëm Parku Kombëtar i Divjakë -Karavastasë u vizitua vitin e shkuar nga rreth 500 mijë turistë. Por organizatat mjedisore dhe studiuesit po shprehin gjithnjë e më shumë shqetësimin se zonat e mbrojtura natyrore janë të kërcënuara nga politika dhe veprimtari të paqëndrueshme ekonomike dhe sidomos nga ndërtimet.

Parku Kombëtar Divjakë- Karavasta është një nga pasuritë më të mëdha natyrore të Shqipërisë që vit pas viti njeh një rritje të vizitorëve, si vendas dhe të huaj.

Sipërfaqet e mëdha pyjore me pishë të butë, me pasurinë e florës dhe faunës, kombinohen me peisazhet e lagunës dhe mundësinë për plazhe në zonën bregdetare.

Drejtori i parkut Ardian Koçi thotë se vitin e shkuar rreth gjysëm milionë vizitorë ishin në Divjakë.

“Ka qenë një vit i sukseshëm, do të thoja, me mbi gjysëm milionë turistë që kanë vizituar Parkun Kombëtar Divjakë-Karavasta nga të cilët rreth 65 mijë ishin turistë të huaj".

Zoti Koçi thotë se synimi është që turistët të qëndrojnë disa ditë në park dhe kjo përmes shtimit të tërheqjeve turistike.

“Kërkojmë që turisti që arrin këtu të mos qëndrojë disa orë, por disa ditë në park. Dhe kjo bëhet duke shtuar objekte turistike. Po punojmë për të shtuar destinacionet. Nga ana tjetër përparësi është mbrojtja e mjedisit të parkut dhe burimeve të tij. Kaluam një vit të vështirë me një verë tejet të thatë dhe me rrezikshmëri për zjarret edhe në stinët që pasuan kjo u përballua mjaft mirë nga punonjësit e parkut .”

Ministria e Turizmit dhe Mjedisit vlerëson se vitin e shkuar në Shqipëri hynë mbi 7,5 milionë të huaj kryeisht për qëllime turistike. Një pjesë e madhe e vizitorëve kanë qenë drejt destinacioneve natyrore të vendit.

Shqipëria nuk e ka pasur më parë këtë mundësi, thotë Mirjan Topi, një studiues i shpendëve dhe mjedisit.

“Shqipëria kurrë nuk e ka pasur një mundësi të tillë, tashmë e ka duke marrë pararsysh zhvillimet që po ndodhin në nivel global dhe rritjen galopante të kërkesës për turizëm natyror. Prandaj biodiversiteti sot në Shqipëri është një pasuri, ndër të gjitha, ekonomik , dhe ka të bëjë me drejtimin që vendi duhet të marrë për sa i përket zhvillimit të turizmit".

Në kushtet ku është sot Shqipëria, thotë më tej zoti Topi, duhet të përkrahet fuqimisht turizmi natyror në vend të turizmit masiv. Por së bashku me rritjen e interesit për turizmin natyror në Shqipëri po rritet shqetësimi për modelet e zhvillimit të tij.

Alkesandër Trajçe që drejton organizatën e Mbrojtjes së Natyrës PPNEA shprehet me tone kritike.

“Shqipëria ndodhet në një udhëkryq. Një nga sloganet më të përdorura nga autoritetet vendase është 'Shqipëria është thesari i fundit i paeksploruar i Europës' dhe me këtë slogan ne duam të tërheqim turistë nga pjesa tjetër e botës. Ky slogan bazohet në një të vërtetë shumë faktike që janë vlerat natyrore të vendit tonë. Dhe pikërisht janë këto vlera natyrore të paprekura ndër shekuj dhe ndër dekada që kanë shpresë të ndryshojnë faqen e vendit në aspektin e një turizmi pozitiv. Por realiteti që ne po shohim është se turizmi po kthehet në një shkatërrimtar të natyrës dhe nuk po nxitet një turizëm i qëndrueshëm mjedisor, që shkon krah për krak me natyrën. Një turizëm që fitimet që gjenerohen i kthehen vetë popullsië lokale, por shohim lindjen e një turizmi që shumë vende të Europës e kanë parë dhe më përpara, një turizëm masiv bazuar me vendpushime gjigande, bazuar në parimin që një apo shumë pak individë fitojnë dhe të gjithë humbasin".

Ndërsa pedagogia e Fakultetit të Shkencave të Natyrës në Universitetin e Tiranës, Ermelinda Mahmutaj, thotë se kontradiktat në vendimarrjen shqiptare e dëmtojnë më shumë mjedisin.

“Mendohet se ne që mbrojmë mjedisin jemi fanatikë të moszhvillimit, por në fakt nuk është e drejtë. Ne mendojmë se duhet të zhvillohemi por thjesht kur të zhvillohemi të hedhim pas sytë dhe nga e gjelbërta. Unë mendoj se në Shqipëri ka modele shumë të mira zhvillimi, ka strategji shumë të mira zhvillimi të turizmit duke mbrojtur mjedisin sikurse ka dhe vendime të menjëhershme që shkojnë në dëm të tij. Pra këto kontradikta, qoftë edhe në vendimarrjen shqiptare e dënojnë më shumë natyrën shqiptare se sa zhvillimi turizmit.”

Vitin e shkuar qeveria shqiptare rishikoi hartën e zonave të mbrojtura natyrore duke hequr sipërfaqe të mëdha në disa parqe kombëtare dhe zona ligatinore ku tani po shfaqen projekte ndërtimore. Disa Organizata mjedisore e kanë paditur në gjykatë këtë vendimarrje duke kërkuar anullimin e kufijve të rinj.

Ndërkohë, 49 organizata kombëtare dhe ndërkombëtare mjedisore përmes një deklarate të përbashkët ditët e fundit shprehën shqetësimin se habitate natyrore në zonat e mbrojtura natyore janë të kërcënuara nga politika dhe veprimtari të paqëndrushme ekonomike.

Organizatat përmendin në reagimin e tyre ndërtimin e aeroportit ndërkombëtar të Vlorës në zonën e Peizazhit të Mbrojtur Vjosë-Nartë , ndërtime rezidenciale në Rezervatin Natyror të Kune-Vain , hidrocentralet në Zall-Gjocaj dhe Valbonë , investimet strategjike në formën e bujqësisë intensive në Divjakë-Karavasta si dhe qendrat e pushimit të planifikuara dhe disa në zhvillim në ish-zonën e mbrojtur të Parkut Kombëtar të Butrintit.

SI.E./B.K./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Piku: 10/03/2023 14:27

    Jemi mesuar me keto gjera. Nder te kane bere, se zoteria e hedh ne gjyq, merr pagat (ashtu do beja edhe une me kete largim idiot nga puna), ministri emeron nje tjeter ne vendin e zoterise, edhe populli paguan haracin. Ky me 10 vjet prevoje, e heqin.

    Përgjigju
  • Tironsi: 10/03/2023 11:49

    PO ESHTE DICKA NORMALE TE HIQESH NGA PUNA Ne MBRETERIN E RIPJELLJES. SEPSE TE ZERI AMERIKES NUK DILET PA URDHER TE EDVIN ROMES. AI VENDOS KUSH DO PROMOCIONOHET TE DALI PER INTERVIST.... NR 1 ASHTE BALLUKU. NR 2 ERJON ZDROMSI NR 3 SPIROPALLI NR 4 KRIFCA. ME PERPARA DILNIN SAJE QORI... NBURG. AAhmetaj gati per burg... beqaj ja hodhi dretesis... .. ... ..

    Përgjigju
  • Emigrant: 10/03/2023 09:57

    Un mendoj qe e hoqen sepse ky ish drejtori eshte ne krahun e braces Por ne lushnje komandon taulandi keshtu te gjith krahu i braces do heqen dhe do vendosen te tjete Kjo eshte e gjitha lufte per karrige brenda PS

    Përgjigju
  • Qamili: 10/03/2023 07:08

    Mos u anko zoti Koçi, se nuk u bëre vet drejtor por të vunë, siçntë vunëntë heqin prap. Mos e fitove me ndonjë garë ti atë vend pune, apo me shkollë ose konkurs dhe dole më i zoti?

    Përgjigju
    • Hajde pleh, hajde: 10/03/2023 15:56

      @Milto. Me njerèz si ti, mund tè mbash nè kèmbè njè mejhane tè pshurrur fshati, ku e folura qesim dhe budallallèku i lindur, nuk kanè fre. Bota juaj, funksionon vetèm me fjalè llomotitèse pa asnjè vlerè. Flet pèr "parime"? Tregona more agronom, si e zgjodhèn ata tè tjerèt kètè Koçin sepse thua qè qènkèsh i paaftè dhe se e zgjodhèn politikisht dhe se tani qè i duhet tè hapè krahun,,,,,,. Parimor qymezesh,,,,fol me fakte ose hesht.

    • Milto: 10/03/2023 08:33

      @alo alo..ska lidhje fare divjaka ktu. Divjaka ishte fshat e tani eshte qytet( me ben te qesh kur e them). Çeshtja komentohet ne parim: si fitohet vendi i punes drejtor? Me servilizëm politik dhe jo vetëm. Kur jan drejtora kujtojne se e meritojne vendin, dhe kur vjen mometi per te hapur krahun ju duket se po i bejne padrejtesi.

    • alo alo: 10/03/2023 08:22

      @Qamili Po me thënë të drejtën i zoti ishte ! Nëse e ke idenë se ku është Divjaka, si ka qënë e si është bërë, atëherë do e kuptoje që ky është lajm i keq për parkun kombëtar. Po se pse kam përshtypjen se Divjakën ju nuk e keni vizituar asnjëherë...

  • Gjergj: 10/03/2023 01:27

    Kèto janè forma bolshevike tè "drejtimit tè dikastereve", asgjè tjetèr. Nèse ka njeri pèr ta larguar nè kètè çèshtje, atèherè duhet tè jenè pikèrisht ata qè morèn vendimin pèr pushimin nga puna tè drejtorit. Èshtè SKANDAL qè nè vitin 2023, Shqipèria lèngon akoma nga njè mendèsi abuzive, qè e sheh karriken e zyrès, si pronè tè babait, me tè cilèn vepron si tè teket. Nga njerèz tè tillè, po zbrazet ky vènd nga shqiptarèt. Nga mediokiriteti dhe provincializmi i tyre, çdo gjè shqiptare, dèshton dhe etika profesionale, mbetet njè èndèrr e pabèrè kurrè realitet. Çlironi Shqipèrinè nga tuxharèt. Nèse kjo nuk ndodh, le ta gèzojnè kètè vènd bangladeshasit dhe indianèt qè kryeministri ynè i pèrmend me aq zell. Jo, nuk mund tè punohet me "drejtoresha" qè kèrkojnè tè kontrollojnè edhe mendimet e vartèsve tè tyre. Ky èshtè talibanizèm shqipfolès.!!!

    Përgjigju
    • Papa: 10/03/2023 08:21

      …hahahaha Sa seriozisht e paske mar ti. Po kur hoqen ate para ktij per te ven Koçin? E njejta skem eshte. Kta politikisht vihen dhe politikisht hiqen. Jane te gjithe parazite kta drejtorat

  • Iris: 09/03/2023 23:47

    Nuk jane shkaqe,por sebepe.Shume i lakmuar posti i drejtorit,dikush ja ka vene syrin e dikush ja ka premtuar ne rastin me te pare qe do t'i jepej!!!

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Assad rrezikon gjykimin për krime ndaj njerëzimit në Gjykatën Penale Ndërkombëtare

Assad rrezikon gjykimin për krime ndaj njerëzimit në Gjykatën Penale Ndërkombëtare