“Nuk janë armët që vrasin njerëzit, janë njerëzit që vrasin njerëzit” - ky është slogani me të cilin Shoqata Amerikane e Armëve (NRA) prej vitesh promovon idenë se armët e zjarrit në vetvete nuk janë të rrezikshme por është elementi njerëzor që i bën ato të rrezikshme.

Teksa debati për kufizimin e shitjes/qarkullimit të armëve të zjarrit në SHBA vazhdon prej vitesh dhe është nxehur së tepërmi pas masakrës së fundit në Sandy Hook, këtej nga anët tona qeveria ndërmerr një nismë legjislative tejet të çuditshme (në përmbajtje apo dhe duke konsideruar momentin kur paraqitet) për të ndryshuar Ligjin për Armët, duke përfshirë në listën e personave që kanë të drejtë të mbajnë armë zjarri edhe zëvendës-ministrat dhe prefektët. Për të analizuar këtë iniciativë të qeverisë fillimisht duhet analizuar nga ana e logjikës politiko-juridike se për cilat arsye ndërmerret ndryshimi ligjor. Në kontekstin e normativizimit juridik të shoqërisë (pra nxjerrjes dhe zbatimittë ligjeve), dispozitat si ato të ligjit për armët e zjarrit lidhen me Parimin e Cënimit, pra janë ligje që krijohen dhe zbatohen për të mbrojtur qytetarët që të mos cënohen nga qytetarë të tjerë.

Duke konsideruar sa më sipër, ashtu si dhe duke marrë të mirëqënë faktin që shoqëria shqiptare ka evoluar (për mirë), që Shqipëria është një vend i cili synon t'i avitet standarteve të BE-së (ku politikanët nuk mbajnë armë në brez), dhe që niveli i sigurisë në vend është rritur (siç pretendon qeveria), duket anakronike dhe e panevojshme që të kalosh një ligj ku i jep të drejtën të mbajnë armë përfaqësuesëve të shtetit. Pushtetarët shqiptarë, edhe pa ngjeshur pisqolla në brez si Isa Boletini, dallojnë kryekëput nga pjesa tjetër e popullatës për shkak të përfitimeve (të ligjshme e të paligjshme) që sjell pozita, me të ardhura stratosferike, me jetë luksoze, me shpenzime të ekzagjeruara, me faktit që s'paguajnë taksa, që s'i ndalon policia, që parkojnë ku të duan, etj. dhe dhënia e të drejtës për të mbajtur armë thjesht sa rrit edhe më tej diferencimin mes shtresave në vend.

Për sa më lart, pyetjet që ngrihen natyrshëm janë: ç'nevojë ka shteti që t'u japë armë përfaqësuesëve ekzekutivë si zëvendës-ministri apo prefekti? Ç'nevojë reale ka për të mbajtur armë, bie fjala, zëvendës-ministri i Kulturës apo i Integrimit? Nga çfarë kanë frikë se cënohen këta përfaqësues, të cilët nuk janë asgjë më tepër sesa nëpunës të ekzekutivit? Cili është mesazhi që merr popullata e gjerë (e cila s'ka të drejtë të mbajë armë) kur dëgjon se përfaqësues të lartë të ekzekutivit po pajisen me armë zjarri? A mos vallë qeveria thërthorazi po tregon se i trembet krimit të organizuar, i cili kërcënon me jetë edhe zyrtarët e lartë, e si rrjedhojë këta të fundit duhet të pajisen me armë për vetëmbrojtje?

Një tjetër faktor për t'u analizuar në lidhje me këtë iniciativë është edhe koha në të cilën ajo ndërmerret. Nuk tingëllon aspak mirë që, një qeveri e cila është në fund të mandatit dhe për gjashtë muaj shkon në zgjedhje të përgjithshme, të pajisë me armë zjarri përfaqësues të saj.

Kjo iniciativë minimalisht mund të interpretohet si një përçartje legjislative për të kënaqur egot e 'rambove' që dëshiron të vringëllijnë në publik armët që i jep shteti për të impresionuar miqtë dhe dashamirët, dhe maksimalisht mund edhe të duket si një përgatitje për të ngjeshur në brez armët teksa afrohet beteja elektorale, me një mesazh tërthorazi intimidues për opozitën.

Në një shtet ligjor, ku predominon rregulli dhe ligji, ku ka garanci për sigurinë e jetës, dhe ku institucionet fuksionojnë si duhet, pajisja me armë zjarri e zyrtarëve të lartë, gjyqtarëve, deputetëve e kështu me rradhë është absurditet logjik tërësisht i panevojshëm dhe njëkohësisht edhe një praktikë primitive që mund t'i shkojë për shtat vetëm shteteve ushtarako-totalitare ku pushteti mbahet me dhunë, apo shteteve ku mbretëron kaosi dhe kriminaliteti dhe mbizotëron parimi i më të fortit.

Qeveria, ose më specifikisht nismëtarët pas kësaj iniciative ligjore, duhet të sqarojnë se për cilat arsye rreken të armatosin funksionarët e ekzekutivit, në mënyrë që të publiku i gjerë të mos lexojë mes rreshtave nevojën për t'u armatosur njësoj si shtetarët për t'u mbrojtur nga pasiguria dhe kriminaliteti që me sa duket shteti e paska të pamundur ta luftojë dhe për këtë arsye detyrohet të armatosë vetveten.

Shkrimi u publikua sot në gazetën Shqiptarja.com(print), 11 janar 2013
(ad.ti/shqiptarja.com)