'Pushtuesit', që ajo nuk donte t’i pranonte

'Pushtuesit', që ajo nuk donte t’i pranonte

Dhërmiu

Theodhora, një grua mbi të 70-at, me dy qese të tejmbushura në supermarketin e rrugës kryesore në Dhërmi dhe me një bastun të dyshimtë, për t’i siguruar mbështetje, po tentonte te merrte kalldrëmin e parë që të çon për tek kisha e Shën Mërisë në qendër të fshatit.

E veshur me të zeza, si gjithë plakat e Dhërmiut dhe me nofulla të shtrënguara, herë nga pafuqia dhe herë nga mërmëritjet me veten, po shtyhej përpara nga asfalti për në kalldrëm.

Ju afrova ta ndihmoja për çantat. Zakoni im i vjetër në çdo fshat të panjohur ku shkoj, është miqësia me pleq dhe shoqëria me ta.

Më pa një herë me dyshim, dhe nuk i lëshoi çantat nga dora, duke më thënë thatë “faleminderit”.

-Mi jep, i thashë, nuk i mban dot, mos bëj kot. Kam kohë boll të të shoqëroj unë.

I lëshoi në dorën time, gjysëm e dyzuar.

-Ku e ke shtëpinë, i thashë?

-La, tek Shën Dhimitri.

-Shumë mire, aty do vij dhe unë.

-Çdo aty?

-Kam një shok, ka blerë një shtëpi e dua ta shikoj.

-Aha, po, po. Mirë…

E pashë që ndjeu një lloj bezdie nga objekti i vizitës. Pasi më tregoi se kishte qenë mësuese në Vlorë, kishte tre fëmijë, jetonte në Greqi, fëmijët i kishin ikur nga Greqia në Kanada dhe Angli etj., halle të vogla, u rikthye prapë tek fshati.

-Ja, vij behareve, tha. S’kam as pension nga greku. Këtë pensionin e Shqipërisë kam. Ty nga Tirana të kemi?

-Jo, jo, i thashë. Jam këtej nga Jugu. Një fshat aty mes Përmetit e Tepelenës, në fund të Zagories….

-Po fshati juaj është bërë i bukur, i thashë, në përpjekje për t’ia hequr bezdinë e të qënurit nga Tirana.

Nuk foli. Mu duk sikur nuk dëgjoi, ndërkohë që ndiqja ritmin e saj të ecjes rrugicës që të çon tek Shën Mëria, një shesh që të mahnit në mes të rrugës, nga mënyra se si është rregulluar.

Rugës shikojmë një shtëpi të hapur për turistë. Ishin disa djem të rinj që flisnin anglisht.

-Eshtë rregulluar fshati, i thashë prapë. Ja, keni turistë tani.

-Eh, nuk është yni ky, tha. Eshtë nga ata.

-Kush nuk është juaji?

Nuk foli.

-E kujt është kjo shtëpia, këmbëngula?

-Eh, ja ata që i kanë blerë të gjitha.

Vazhduam në heshtje. Unë me dy torba plastike në dorë që peshonin rreth 6 kg, dhe nënë Theodhora, mbështetur me shkopin e saj të shkatërruar, që nuk di me çfarë guximi ishte nisur me ato dy qese në duar, në atë malore.

-Ç’punë bën ky shoku jot, më tha? Kështu biznesmen është?

-Jo jo, gazetar, i thashë.

-A po, tha. E di e di. E ka më lartë ai.

-E ke pare, i thashë?

-Jo jo, nuk e njoh. Po e di.

Në gjithë bisedën me nënë Theodhorën, kur flisje për “ata” që kishin ardhur të rinj në fshat, kishte  një hije misteri, sikur fliste për dikë që nuk kishte siguri të fliste. U pa qartë tek shtëpia që sa kaluam që priste turistë. Më vonë mora vesh që ishte e një biznesmeni nga Tirana.

Ai kishte blerë dy shtëpi. Njërën e jepte me qira, njërën e përdorte për vete. Një tjetër shok i tij kishte blerë një më të madhe dhe po rregullonte rreth 20 dhoma.

-Ua ka rregulluar fshatin Qeveria, i thashë. Qshtë bërë më i bukur….

Plasa të fliste për këtë gjë.

-E kanë rregulluar për vete, më tha ftohtë dhe prerë. Të gjitha këta që shikon i kanë blerë nga një njeri, jo nga fshati. Fshatit ja morën për dy lekë.

-Po mire, ç’rëndësi ka, po është bërë më i bukur. Shiko sa të huaj ka, i thashë?

Nuk foli prapë.

-Ti ç’punë bën, më tha mua. Se fytyrë e parë më dukesh.

Tani bëra unë sikur nuk dëgjova.

E kuptoi dhe ndryshoi bisedë.

-Ky Edi Rama na e ka rritur pensionin, tha. E kishim 150 mijë lekë, tani e kam 189 mijë lekë.

Nuk e dija a po tallej, a e kishte seriozisht. Me sa duket donte të më thotë në gjë pozitive për Qeverinë, mendova ngaqë po këmbëngulja që ishte rregulluar fshati.

-Dhe fshatin e ka rregulluar, përsërita unë, për ta provokuar.

-Eu fshatin e morën, tha.

Ndërkohë përballë nesh, pra përballë meje dhe nënë Theodhorës shfaqet Edi Rama me disa biznesmenë e gazetarë, që me sa duket ishin duke pirë kafe në fshat.

-Ja ku e ke Edi Ramën, i thashë. Thuaja…

Nënë Theodhora nuk foli. Tundi kokën, e përshëndeti dhe priti sa kaloi.

-Pse si fole, i thashë?

-Ishte me ata, më tha. Po ti rrofsh me djalë, se arrita.

Ata ishin “pushtuesit”, që ajo nuk donte t’i pranonte, edhe pse fshatin ja kishin bërë më të mirë.

Donte me doemos të ndërronte bisedë, por dhe të thoshte diçka. Ishte diçka brenda saj që dukej se nuk e gëzonte dot, edhe pse fshati ishte bërë aq i bukur.

Ktheu dhe një herë kokën pas, poshtë kalldrëmit ku zhdukej silueta e kryeministrit dhe njerëzve që e shoqëronin, që të sigurohej që ikën.

-E kemi djalin tonë atë, tha, nuk jam fare unë, e di kush është. Po fshati duhet parë nga brenda….

Heshti një moment. Donte të më ftonte Brenda, por i thashë faleminderit.

-Rrofsh mo djalë. Ja aty lart e ka ai shoku jot. Dy shtëpi më sipër… dhe uli sytë sikur kishte frikë të shikonte ndonjë cep të shtëpisë që kërkoja.

B.K./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Melton: 17/08/2020 09:05

    Nje nga artikujt me te bukur. Pershkrues artistik i shpirtit te nje komunieti. Plaka kishte femijet ne Amerike pa asnje qellim per tu rikthyer ne Shqiperi. Ishte kail qe ta linte fshatin te rrenohej ama mos ta merrnin dhe shfrytezonin qente nga Tirana. Ksenofobe pa shkak sikurse e gjithe ajo zone. Kete mentalitet e kishte ajo qe kishte qene mesuese,imagjino fshataret e pa shkolle te zones. Imagjino sikur shtepite ti kishte rikostruktuar dhe shfrytezuar ndonje biznesmen nga Tropoja ose Kukesi do kishim degjuar edhe ndonje fjalim per shpellare apo malok ose ku di une. Tani e paskan me Anglezet inatin.

    Përgjigju
  • Vlorë: 16/08/2020 20:51

    Po jan mesuar ne kto fshatet e jugut tone te hane me dy lug nje na shqipria dhe nje na greku sidomos kto 20 vjet e fundit ka plas propaganda greke omonia ka 30 vjet qe po Ben politiken e grekut dhe kta tani kan nje idealizem se jan me shum grek se greket un jam nga dhermiu jetoj 30 vjet ne greqi po ajo qe thuhet dhe behet me jug nga propagandistat te Omonias hesht shum larg na ajo qe di pjesa tjeter e shqipris po risim ujkun ne gjirin tone.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni funksionimin e Gjykatave dhe Prokurorive në qarqe?



×

Lajmi i fundit

Hetimet e SPAK mbi Kadastrën, arrestohen dy persona për ushtrim të ndikimit të paligjshëm (EMRAT)

Hetimet e SPAK mbi Kadastrën, arrestohen dy persona për ushtrim të ndikimit të paligjshëm (EMRAT)