Pogradeci ofron për turistet një atraksion të përhershëm turistik me natyrën kulturën, pastërtinë dhe historinë që i shtojnë madhështinë qytetit liqenor. Ne plazhin e Pogradecit kanë mbërritur pushuesit e parë për këtë sezon turistik veror, të cilët pas muajsh në izolim kanë zgjedhur të kalojnë disa dite pushimi në një nga destinacionet më të bukura në juglindje të vendit.

Këtë fundjavë qytetarë nga Durrësi, Elbasani, Tirana dhe Berati kanë qenë vizitorët e parë pas çeljes së sezonit turistik.

Në hapësirat publike buzë liqenit duke respektuar distancimin social ata shprehen se në këtë qytet kanë gjetur si gjithmonë mikpritjen pogradecare, gatimet tradicionale, çmimet e arsyeshme, por jo gjallërinë dhe fluksin e lartë të vizitorëve në këtë fillim vere.

"Vij nga Tirana. Pogradeci është qytet i bukur. Kemi fat që kemi Pogradecin. Është një mrekulli", tha një pushuese.

"Ne sot bëjmë 15-vjetorin e martesës dhe vendosëm që këtë mirësi ta bëjmë në Pogradec", u shpreh një pushuese.

Ne qytetin e Pogradecit, grupi i xhirimit të Report Tv takoi edhe aktorin e mirënjohur të skenës shqiptare Sejfulla Myftarin.

"Kam një javë që kam ardhur, kam shtëpi këtu. Ndihem shumë mirë, është vend shumë i qetë. Më pëlqen klima e mrekullueshm, shëtitja e mbrëmjes që nuk ka të paguar, mëngjesi herët shpejt. Njerëz të sjellshëm" u shpreh aktori.

Pogradeci, ose siç njihet ndryshe "Qyteti i Liqenit" vizitohet në 4 stinët e vitit.