Për 2023? Më shumë Rita Petro, Mimoza Ahmeti, Helena Kadare në çdo grua e në çdo burrë, sidomos

Për 2023? Më shumë Rita Petro, Mimoza Ahmeti, Helena Kadare në çdo grua e në çdo burrë, sidomos

Rita Petro

Provoni të ulni zërin e televizorit dhe të bëni një kalim me telekomandë nga një kanal televiziv në tjetrin. Sidomos në mbrëmje. Atëherë kur mendimtarë të ndryshëm të vendit intervistohen nga gazetarë të njohur, me eksperiencë të gjatë. Mos dëgjoni se çfarë thonë, qofshin të ftuarit politikanë, gazetarë, sociologë, specialistë të fushave të ndryshme, vetëm vëreni xhestet që bëjnë disa perj tyre. Dhe mimikën.

Eshtë interesante të shohësh format shpërthyese të mimikave dhe lëvizjet e mëdha të duarve, përtej atyre të natyrshmeve. Dikush i ngre ato lart, si deri në qiell, sikur kërkon ta stërzmadhojë imazhin, një tjetër, krijon plastika të shumta në krahasim me fjalët që thotë: çdo muskul i fytyrës është tepër i lëvizshëm, gati-gati të shkojë në drejtim të kundërt me vendin ku ndodhet, duke krijuar, në më të paktat e sekondave, imazhe alla Francis Bacon. Por çka spikat më shumë, është ngurtësimi: në pozicion e në fjalë dhe mbyllja, tkurrja, vetëmbrojtja dhe sulmi ndaj kujt është përballë.

Njerëzit e televizioneve, qofshin ata politikanë, profesionistë, gazetarë, janë më të ekspozuarit. Në një farë mënyre, ata janë fasada jonë. Ata janë si fasadat e pallateve tona të viteve të para pas demokracisë, që nisën të ndryshojnë, të transformohen, të zmadhohen e shtohen. Nisën të shpërthejnë nga trysnia e hapësirës së vogël ku kyçeshin ëndrra çiftesh, të vegjëlish e të moshuarish; familjesh me dy apo më shumë kurora në pak metra katrorë, dhe me një banjo të vetme.

Nëpër televizione, qëndrimet nëpër kolltukë, karrige, tavolina janë të ngërçta, vetullat të ngrysura; veprimet, sikur të jenë shpata, shtiza, topuzë, çekanë që kundërshtarin duan të qëllojnë si në betejat më të ashpra. Të ashpër edhe kur nuk ka kundërshtarë. Edhe pa zë, figurat tona nëpër ekrane janë përherë shumë të zhurmshme. Por ndryshe nga çdo furtunë “e llahtarshe” në çdo oqean, kurrë nuk qetësohen më pas, kurrë nuk arrijnë paqen e ndërthurjes së të ndryshmeve dhe të kundërtave. Në 30 vite mbeten ashtu, si të ishin dallgë të larta, të gdhendura, të ngrira, pa arritur dot të bien, të dorëzohen në breg si çdo dallgë. Apo si një brumë që nuk vjen kurrë, me gjithë tharmin e hedhur nga gatonjësja.

Pastaj shikoni Rita Petron, poeteshën, shkrimtaren tonë. Duart e saj hapen drejt dëgjuesit, trupi qëndron në paqe me veten dhe me të tjerët, përherë e më shumë, nga viti në vit. Ngrijeni zërin e televizorit, apo të celularit tuaj nëse shihni në you tube, për të dëgjuar dhe zërin e saj: është një vibracion i duhur, i qetë, i këndshëm, i buzëqeshur, edhe kur flet për dhimbje, për tension. Pastaj lexoni disa nga krijimet e saj. Niseni me “Vrimën” që “turpëroi” një shoqëri që nuk dinte, që nuk ishte lejuar, që nuk kishte parë, që kishte vetëm pësuar pa bërë fjalë. Të njëjtën gjë dhe me librin e saj të fundit: “Lindur së prapthi”, i thanë, por në të vërtetë, edhe së prapthi mund të gjesh rrugën, të shohësh dritën, të shijosh lirinë, të shkruash poezinë e të ndihmosh çlirimin dhe lëngëzimin e shpirtrave. Të njëjtën ndjenjë do të përjetoni me një tjetër poeteshë tonën, me Mimoza Ahmetin, apo me një tjetër shkrimtare, Helena Kadarenë. Përbërja e tyre është si e një brumi të bardhë, të butë, të ardhur. Pavarësisht temave që trajtojnë, ato mbeten Qëndra.

Gjërat dhe njerëzit vijnë në kohën e duhur, për të bërë të duhurën, ndaj për këtë Vit të Ri 2023, do të ishte e mrekullueshme që te çdo grua, por edhe te çdo burrë sidomos, të kishte shumë nga Rita Petro, Mimoza Ahmeti, apo Helena Kadare. Nga çlirimi, paqja, poezia dhe proza që sjellin ato.  

a.m./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Dyndje për festat! 'Bien' linjat ajrore amerikane, bllokohen mijëra fluturime

Dyndje për festat! 'Bien' linjat ajrore amerikane, bllokohen mijëra fluturime