Moratoriumi 10-vjeçar i pyjeve është një kërkesë që sot nuk mund të refuzohet më nga ligjvënësit. Kështu u shpreh kryeministri Edi Rama gjatë prezantimit të moratoriumit të pyjeve dhe paketës së krimeve mjedisore.

“Moratoriumi është një kërkesë që nuk vjen sot, nga ministri i Mjedisit dhe nga unë, por është një kërkesë që sot nuk mund të refuzohet më nga ligjvënësit. Është në parlament dhe presim hapjen e sesionit të ri për të miratuar moratoriumin për të cilin na është dashur të diskutojmë pafundësisht nga grupe interesi që preken nga kjo masë drastike por edhe me deputetë që i janë kundërvënë,” tha Rama.

Moratoriumi 10-vjeçar i pyjeve sipas Ramës ndalon kategorikisht çdo aktivitete industrial, tregtar, prodhues, ekonomik në pyje shtetërore apo private për 10 vjet dhe garanton shfrytëzimin e pyjeve me kritere shumë të mirëpërcaktuara dhe përmes një kontrolli rigoroz që do kryehet nga ministria e Mjedisit dhe qeverisja vendore vetëm për qëlllimet e përdorimit familjar duke harmonizuar kështu standartet e shfrytëzimit të pyjeve me nevojat e qytetarëve.

Gjatë fjalë së tij Rama u ndal edhte tek situata e përmbytjeve të ditëve të fundit, të cilën ia atribuoi shfrytëzimit pa kriter të pyjeve dhe ndërtimeve kuturu në shtretërit e lumenjve.

“Ajo çka përjetojmë sot me përmbytjet është fatura e papërballueshme e shumëkujt për të marrë atë që i takon, për të ndërtuar aty ku nuk i takon. Po ashtu edhe të një verbërie dhe injorance të atyre që për vite me radhë kishin detyrën ta mbronin duke e mirëqeverisur këtë sektor kaq jetik dhe kaq delikat,” u shpreh kreu i qeverisë, ndërsa shtoi se qeveria do reagojë pa asnjë tolerancë përballë atyre që janë të përfshirë në aktivitete kriminale, ndërkohë që paguhen me taksat e popullit për të mbrojtur pyjet.

Rama po ashtu solli në vëmendje edhe moratoriumin e gjuetisë duke e cilësuar një shembull suksesi.

“Sot në një kohë kaq të shkurtër, moratoriumi i gjuetisë është histori suksesi që flet vet.  Mjafton të shohim si është sot parku i Divjakës për të kuptuar rëndësinë e moratoriumit,’ tha ai.

Sipas kryeministrit gjatë vitit 2014-2015 ndryshimi pozitiv është ky: 2.5 milionë fidanë pyjor të mbjellë dhe një sipërfqe e pyllëzuar baraz me 80 % të sipërfqes së pyllëzuar nga 1990 në 2013. 

Në fund të fjalës së tij Rama tha se është në përfundim edhe paketa e krimit mjedisor, e cila do të forcojë masat ndëshkuese në kodin penal.

Fjala e plotë e Kryeministrit Rama në prezantimin e Moratoriumit 10-vjeçar të pyjeve

Redaksia online
(u.s/shqiptarja.com)