Punimi artizanal në qëndisje dhe grep është tradita e shqiptarëve që i ka rezistuar çdo kohe. Ato përdoren nga çdo vajzë dhe grua në çdo krahinë të Shqipërisë. Këtë traditë të hershme të shqiptarëve e ruan dhe e zhvillon edhe më tej duke mësuar dhe vajzat e reja, Florinda Muça, 44 vjeç nga Kukësi.
Pasioni më i madh i jetës së saj janë punimet me dorë, qëndisja, punimet me grep, me mbushje dhe pikturat e qëndisura. Gjithçka që lidhet me artizanatin, ku baza mbetet ajo tradicionale shqiptare, është dashuria më e madhe e saj.

E megjithatë, përtej pasionit të paepur që e karakterizon këtë grua të fortë, të ardhurat financiare janë një arsye shumë e fortë pse ajo iu kthye artizanatit pas 15 vjetësh punë si mësuese e ciklit të ulët në Kukës. Florinda thotë se tani është shtuar edhe më tepër tradita e qëndisjes me dorë.
“Kjo traditë është shtuar si rezultat edhe të materialeve që tashmë mund t`i gjesh më lehtë në ditët e sotme dhe natyrisht pëlhura më të bukura”.
Në ditët e sotme kjo traditë jo vetëm që nuk ka humbur por ajo është pasuruar edhe më tepër. Florinda na thotë se “ne kemi bërë dhe kurse trajnimi që të arrijmë së pari cilësnë por edhe afatin e përfundimit të porosisë pasi marrim shumë prej tyre jo vetëm nga shqiptarët por edhe të huajt, sidomos francezët”.

Si një traditë e bukur e cila është vënë tek shqiptarët jo vetëm si pasion por edhe si domosdoshmëri për të patur në shtëpitë tona punime të ndryshme artizanale në qëndisje të pëlhurave, Florinda na thotë se edhe shqiptarët duke mos patur kohë bëjnë porosi tek ajo. “Nga shqiptarët kërkohen porosi për pëlhurat në shtëpi, çarçafët nga çiftet e reja të qëndisura me inicialet e emrave të tyre, por edhe mbulesa tavolinash si dhe çertifikata të fëmijëve.
Florinda punon më tepër për tregun e jashtëm ku të huajt kanë shprehur një interes shumë të madh për materialet e qëndisura. Gratë përdorin material të riciklueshme në një mënyrë edhe sensibilizimi të materialeve të riciklueshme. “Jemi munduar të sjellim materialet e vjetra t`i qëndisim në mënyrë të tillë duke bërë rripa çantash për klientë francezë”.
Paja është një prej traditave më të hershme të shqiptarëve. Kështu paja përgatitet gjithmonë nga vajzat e reja që martohen. Punimet artizanale me dorë duke përdorur grepin dhe qëndisjen.

“Tashmë ka ndryshuar paksa kohët. Vajzat e reja nuk e punojnë të gjithë pajën vet. Ato na porosisin ne ose i bëjnë të gatshme. Po nuk mund të përjashtojmë edhe ato vajzat që kanë mësuar të qëndisin dhe e bëjnë vet të gjithë pajën duke na kërkuar ne grave të vjetra t`i mësojmë diçka më tepër për të përfunduar të gjithë pajën e tyre”.

Edhe në veshje mund të punohet me qëndisje. Veshjet popullore janë ato të cilat përdoret më tepër punimet me dorë. Tani çdo çift i ri përdor kostumet popullore dhe ne ato kostumet e vjetra i qëndisim”.
Artizanalia Florinda Muça ka marrë pjesë edhe në panaire të ndryshme të organizuara për punimet artizanale ku dhe ka marrë çmime të rëndësishme. Ajo shpreson që punimet artizanale në qëndisje dhe grep të kenë të njëjtin interes dhe kjo traditë e vjetër shqiptare t`i rezistojë çdo kohe. Redaksia Online (m.z/shqiptarja.com)
