Inxhinieri i ndërtimit Artur Roshi thotë se dëmtimi i bypassit të ri menjëherë pas shembjes së rrugës Librazhd-Pogradec ishte thuajse i parashikueshëm, pasi po ndërtohej mbi një përrua, I ftuar në emisionin “Repolitix" me gazetarin Denis Minga në Report Tv, Roshi tha se ashtu si aksi i vjetër, edhe bypassi duhej të ndërtohej me urë mbi shtratin e përroit.

“Rrugët që kalojnë në shpatet malore janë më të qëndrueshme; këtu bazamenti i rrugës është inekzistent. Bazamenti i rrugës së re është i paqëndrueshëm; mbi një përrua nuk mund të qëndrojmë. Ura e vjetër do të thotë që vetëm me një urë si ajo duhet të lejosh të kalojnë ujërat poshtë. Dhe rruga e re duhet të ishte bërë me urë”,- tha Roshi.

Haki Çako, drejtues i Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, tha se ndërtimi i rrugës së realternative me gjatësi 1.3 kilometra, me qëllim hapjen dhe lehtësimin e qarkullimit në juglindje të vendit, do të kërkojë një kohë jo të shkurtër, por punimet do të kryhen me intensitet të lartë.

“Sa i përket nevojës apo ekzistencës dhe rëndësisë që ka kjo rrugë, normalisht që konsiderohet shqetësuese. E rëndësishme është që të kuptojmë që në këtë sipërmarrje janë angazhuar dhe kanë filluar të lëvizin të gjitha institucionet dhe strukturat. Besoj që rruga e re do të marrë kohën e nevojshme, por me intensitet maksimal për t’u rikthyer në normalitet.

Në analizën paraprake kemi të bëjmë me një emergjencë që e bën të domosdoshme ndërveprimin ndërinstitucional. Rrëshqitja e dherave është një fenomen natyror”,- tha Çako.

Ekonomisti Ergis Sefa tha nëse kriza e qarkullimit rrugor në juglindje të vendit do të vazhdojë për shumë gjatë, atëherë do të kemi rritje të çmimeve, kryesisht të produkteve që importohen nga jashtë, rritje e cila do të rëndojë te konsumatori.

“Në ato që ne dimë edhe si pjesë e Korridorit 8, që u bë pjesë e korridorit të sigurisë së NATO-s, do të thotë standardi i rrugës duhet të jetë i tillë që të mbajë dhe mjete të tonazhit të rëndë. Vetëm hekurudha parashikohet 450 milionë euro. Rruga pritet të jetë rreth 200 milionë euro sepse duhet të bëhet sipas standardit të NATO-s dhe BE-së”,- tha Sefa.

“Nëse nuk marrim masa do të na krijojë probleme fundore me konsumatorin, do të na ndikojë te buxheti i shtetit në aftësinë tonë për të mbledhur të ardhura dhe investime. Ndikimi në mungesë të të ardhurave është direkt. Për të mos thënë efektin që ka te fermerët e vegjël. Tashmë që kamionët frigoriferë do të vonohen në ngarkesën e tyre, sjell probleme në cilësinë e mallit”,- shtoi ekonomisti.