Qasje e re dhe politika cilësore në
parandalimin dhe luftimin e kancerit të gjirit

Qasje e re dhe politika cilësore në<br />parandalimin dhe luftimin e kancerit të gjirit
Fjala e Kryeministrit Edi Rama në aktivitetin kushtuar Ditës Ndërkombëtare të Depistimit të Kancerit të Gjirit: "Kanceri i gjirit mund të luftohet, mjafton ta duash" .

Konferenca e organizuar sot nga A1 Report, e Shqiptarja.com dhe Instituti i Shëndetit Publik në bashkëpunim me Shërbimin e Onkologjisë në Qendren Spitalore Universitare "Nënë Tereza"  në bashkëpunim me Institutin Europian të Onkologjisë në MIlano dhe nën kujdesin e Ministrisë së Shëndetësisë, u moderua nga gazetari Carlo Bollino.

“E vërteta është se të gjithë do vdesim, por disa prej nesh jetojnë më pranë se të tjerët me realitetin dhe afërsinë e vdekjes. Jeta ime kalon në një rrip toke, mes saj dhe vdekjes, por sinqerisht kur e shoh nga afër, teksa kërcej, ajo është një zonë plot jetë që jetohet pa iluzione, me vdekjen, jo më larg se një frymëmarrje”-, shkruan një grua me kancer në gji.

Janë të pafundme përjetimet, dëshmitë, fjalët e thëna dhe të shkruara për kancerin, sëmundjen që e sjell befas vdekjen brenda trupit tënd, të të dashurit tënd, të fëmijës tënd, të një miku a të njohuri të posaçëm që papritmas e bie vdekjen edhe më shumë pranë teje dhe ripërmason krejt botën ku ti je mësuar të jetosh pa u ndalur asnjëherë tek mendimi se të gjithë do vdesim - edhe ti vetë.

Ndër format e panumërta të shfaqjes së vet, kur vjen përmes gjirit të gruas, nënës, vajzës apo mikes tënde, kanceri ta pështjellon botën ku ti jeton në një mënyrë shumë të posaçme, duke mbartur përveç kërcënimit të vdekjes edhe parafytyrimin e gjymtimit të një pjese të trupit që dhemb fort edhe si cënim i një veçorie të mrekullueshme të qënies femërore, e cila s’mund të jetë më e njëjta paskëtaj.

E kam jetuar njëherë dhe unë nga shumë pranë, ngjarjen e beftë, në qënien e një mikeje të shtrenjtë, që në fund e fitoi betejën me kancerin e gjirit; lavdi Zotit; ndryshe nga ato gra dhe vajza të cilave sot në këtë botë, iu ndalet frymëmarrja 1 në çdo 75 sekonda, prej të keqes së futur në gji. Më pas këtë fillimvit, një tjetër rast dhe së fundi, vetëm pak javë më parë një i tretë, e kanë risjellë në jetën time, ekzistencën e këtij kërcënimi të shumëpërhapur, përmes shoqeve të jetës të dy miqve shumë të dashur.

Dhe gjithherë kur ndeshesh nga afër me këtë kërcënim apo kur dëgjon së largu për gra fitimtare apo të mundura në këtë betejë, përgjatë atij rripi të ngushtë të tokës mes jetës dhe vdekjes, dy gjëra janë që vijnë të parat ndër mend; E para, që ky është një prej llojeve të kancerit që munden më shpesh dhe e dyta që ky është një lloj kanceri që po u kap në fazën e vet fillestare është i mundur pa mundime të mëdha.

E pra, gjëja e parë që kanë bërë shumë nëna, të cilat e kanë fituar betejën me kancerin e gjirit, ka qenë që të çojnë vajzat e tyre për kontroll të kancerit të gjirit. Kontroll që vetë nuk e bënë asnjëherë, deri kur u gjendën në befasinë e pranisë së tij kërcënuese në trup. Nuk e bënë ndoshta sepse, siç thotë një nga gratë që e kanë fituar betejën me kancerin, përveç faktit që rëndom s’bëhesh mbarë, për diçka që duket e pamundur, se mund të të ndodhë ty, njësoj siç na duket vetë vdekja, në të përditshmen tonë, është frika nga e panjohura ose vetë frika se mos e ke vërtet në trup, që paralizon hapat drejt kontrollit parandalues.

Por, historitë e panumërta të grave që u gjendën një ditë përballë të panjohurës së kallur në gjirin e tyre, tregojnë se asnjë arsye nuk është e vlefshme për të mos u kontrolluar, duke u angazhuar vetë personalisht në parandalimin e kësaj sëmundjeje për trupin tënd.

Ashtu sikundër, unë besoj se s’ka arsye që ne të gjithë, Qeveria, organizmat e ndryshëm joqeveritare dhe aktorët shoqërorë, të mos angazhohemi në rrugë dhe në mënyra të ndryshme, përtej kësaj date të veçantë botërore; për të rritur nivelin e informimit për kancerin e gjirit dhe për të ngulitur në vetëdijen e grave dhe vajzave të vërtetën, se janë çdo ditë të kërcënuara nga ky rrezik dhe se kontrollet periodike janë në fakt terapia më e sigurtë në suksesin e vet kundër tij.

Ne s’duhet të mbetemi veç në fjalët e kësaj dite që më herët se vonë, të gjitha gratë dhe vajzat do ta mësojnë se kanceri i gjirit, përveçse i parandalueshëm, është plotësisht i shërueshëm nëse kapet përpara se të shtrijë rrënjët e veta në gjirin e gruas.

Dita Ndërkombëtare e Depistimit të Kancerit të Gjirit është një reflektim i një beteje globale, me arsyen kryesore të vdekjes nga kanceri të vajzave dhe grave nga 18 deri në 40 vjeç, në shkallë botërore; i betejës së përbashkët për të kontrolluar sëmundjen pa rënë pastaj në honin, ku daljet mbeten shumë të pakta. Ai hon që padyshim, në Shqipëri, është më i errët dhe i vështirë se zakonisht, siç edhe kontrolli i sëmundjes me anë të atyre që specialistët i quajnë tre blloqet e para të tij; parandalimin, depistimin dhe kapjen e hershme.

Ndryshe e thënë mënyra e jetesës, ekzaminimi periodik dhe kontrolli pa pritur shfaqjen e shenjave të sëmundjes kur mund të jetë shumë vonë, cilësia e ambientit dhe ushqimeve që konsumohen, gjendja e spitaleve dhe e sistemit shëndetësor në tërësi; kapaciteti i deritanishëm i shtetit për të ofruar shërbime sociale që e meritojnë të quhen të tilla; shkalla e derisotme e ndërveprimit me Shoqërinë Civile në projekte efektive parandalimi dhe ndërgjegjësimi dhe mosofrimi i mundësisë për depistim të kancerit të gjirit shumë grave dhe vajzave në gjithë territorin e vendit, pavarësisht të ardhurave, përbëjnë disa nga prej shkaqeve që në fakt, në Shqipëri, e kthejnë parandalimin dhe shërimin e kancerit të gjirit në një betejë posaçërisht të vështirë.

Veçanërisht të vështirë, por ende jo të pamundur!

“SCAR” quhet projekti artistik ndërkombëtar, në kuadër të të cilit u fotografuan gra dhe vajza, nga 18 deri në 35 vjeç, të cilat i ishin nënshtruar ndërhyrjes kirurgjikale për shkak të kancerit të gjirit. Dëshmitë e këtyre grave dhe vajzave që kishin pasur kurajën të tregojnë realitetin e kancerit me trupat e tyre, një realitet që shoqëritë refuzojnë ta shohin në përgjithësi, tregojnë se, tek e fundit, heqja e kancerit të gjirit, është heqja e një pjese të trupit dhe plaga e krijuar nga kanceri i gjirit është sa fizike aq edhe thellësisht shpirtërore. Beteja që fillohet, apo shmanget krejt, me depistim ose kapje të hershme të kancerit të gjirit, nuk është vetëm një betejë për jetën, por edhe për feminilitetin, pa asnjë dyshim.

“Përpjekje përherë e ndryshme e çdo gruaje për trupin e vet, botëkuptimin mbi të cilin duhet ta rindërtojë, pavarësisht plagës, e cila mund të zhduket nga trupi, por lë një vragë të pashlyeshme në shpirt”, shprehej një nga pjesëmarrëset në këtë projekt.

E pra, ne nuk na mbetet veçse ta jetojmë Ditën Botërore të Depistimit të Kancerit të Gjirit, jo vetëm si një mundësi për të ngritur zërin ndërgjegjësues, por edhe për të shprehur gatishmërinë për ta luftuar me më shumë cilësi këtë plagë, dita ditës, duke ndaluar sa më shumë që të lerë shenjë në trupin dhe në shpirtin e shumë grave dhe vajzave që edhe kur i shpëtojnë vdekjes, gjurmët e kancerit e mbartin për pjesën e mbetur të jetës brenda tyre.

Eksperiencat në luftën me kancerin në vendet e zhvilluara tregojnë qartë se parandalimi në fakt nuk është një fjalë goje. Ai kërkon një qasje komplekse që përfshin disiplina dhe fusha të ndryshme dhe që nënkupton një ndërveprim që vendet e pazhvilluara apo shoqëritë në zhvillim, e kanë të vështirë ta vënë në lëvizje, nga biologjia te shkencat sociale, nga komunikimi tek politikat publike, nga ekonomia dhe deri te vet kultura e shoqërisë. Është një aksion që përfshin një spektër shumë të gjerë aktorësh shoqërorë dhe politikë, në nivel kombëtar dhe vendor, në një sërë profilesh, shkencëtarë, juristë, mjekë, aktivistë, gazetarë, politikanë dhe mund të shtojmë të tjera me radhë.

Duhet një qasje që të orientojë politikat për shëndetin e gruas, duke vënë në fokusin e tyre faktorët socialë që kanë influencë të drejtpërdrejtë në shëndetin e vajzave dhe të grave dhe që ndikojnë drejtpërdrejt në sëmundjet, të cilat prekin ekskluzivisht trupin e vajzave dhe grave.

Eksperiencat me kancerin e gjirit që janë reflektuar edhe këto ditë në shtypin tonë; ajo e një infermiereje, së cilës i kanë mbetur pak muaj jetë nga kanceri i gjirit, por nuk e lë punën sepse merr forcë duke shpëtuar jetë të tjera; apo ajo e asaj gruas, që më drejtohej mua publikisht, me kthjelltësinë e një kurajoje mbresëlënëse të betejë me kancerin e gjirit në kushte shumë të rënda; na flasin për një forcë të admirueshme që është brenda vajzave dhe grave dhe që shfaqet me të gjithë  fuqinë e vet përballë kësaj vështirësie që është  tejet dekurajuese për të tjerët rreth e rrotull tyre. Këtë forcë, këtë fuqi të jashtëzakonshme, duhet ta shfrytëzojmë me patjetër si burim energjie për t’iu bërë krah atyre, në betejën me sëmundjen.

Por më shumë sesa atyre që luftojnë drejtpërdrejt me sëmundjen dhe që sipas të gjitha dëshmive dhe sipas të gjithë treguesve qoftë të protagonistëve, qoftë edhe të vete mjekeve dhe të shkencës së mjekësisë, gjenerojnë forca të panjohura më parë për të përballuar sëmundjen, ne na duhet kjo fuqi për të qenë në lartësinë e sfidës, duke mos e harruar, apo duke mos u kujtuar për kancerin e gjirit në nivel politik, institucional, shoqëror, vetëm kur është Dita  Botërore e Depistim të Kancerit të Gjirit, por duke e kthyer parandalimin në një obsesion dhe duke bërë çmos me mënyra dhe rrugë që diktohen edhe nga pafuqia financiare e shtetit tonë, për të ngulitur tek çdo vajzë dhe çdo grua, të vërtetën se është potencialisht në rrezik.

“Kanceri është një fjalë, nuk është një fjali”, thotë një  nga sloganet e fushatave ndërkombëtare për ndërgjegjësimin kundër kancerit të gjirit, duke nënvizuar se ‘fjala’ është kanceri, ‘fjalinë’ secili e bën vetë. Ashtu sikundër çdo individ “fjalinë” e bën vetë kur preket nga kanceri, ashtu edhe çdo shoqëri dhe çdo qeveri, ka në dorë ta shkruajë vetë fjalinë lidhur me këtë kancer. Një nga gratë që e ka fituar betejën me kancerin e gjirit thotë: “Nuk dua të mendoj fare sa e sëmurë kam qenë, dua vetëm të mund të jetoj për t’u thënë të tjerave sesa shumë ia vlen ta parandalosh duke u kontrolluar”.

Pra, mund të jetë kanceri i gjirit një “fjalë” e evitueshme dhe “fjalia” e panevojshme, në rast se secili bën diçka që çdo vajzë dhe grua të ndërgjegjësohet për rrezikun që e kërcënon dhe të mos presë që kërcënimi t’i vijë nga brenda trupit të vet.

Më shumë fjalë këtu do të ishin të tepërta të thuheshin besoj, sepse kjo nuk është një çështje dhe ky nuk është një vend për të bërë premtime, por me siguri, kjo është një çështje dhe ky është një vend, për të thënë se kanceri i gjirit është një “fjalë” që kërcënon çdo ditë t’u kërkojë një “fjali” shumë vajzave dhe grave që sot mund ta parandalojnë atë duke u kontrolluar dhe që nesër, mund ta evitojnë betejën thjesht dhe vetëm sepse nga kontrolli mund ta kenë zbuluar  përpara se të jetë bërë shumë i madh, për të mbetur një “fjalë” e vetme.

Faleminderit!

Redaksia online
(sg/shqiptarja.com)
 

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë