Të shtëna me armë zjarri në drejtim të një dyqani në Kukës. Policia thotë se ka qenë vetë pronari që ka telefonuar në komisariat për dëmtimet që ka konstatuar në fasadën prej xhami të dyqanit, dhe pas konstatimeve, ka rezultuar se dëmtimet janë shkaktuar me armë zjarri gjatë natës.
Nga pamjet që sjell Report TV, shihen shenjat e plumbave në xham dhe në mur. Ndërkohë, Policia thekson se po punohet për të sqaruar rrethanat e ngjarjes.
“Sot, më datë 28.11.2025, rreth orës 09:30, shtetasi L. O., ka njoftuar sallën operative të Drejtorisë Vendore të Policisë Kukës se ka konstatuar të dëmtuar fasadën me xham të dyqanit të tij. Menjëherë në vendngjarje kanë shkuar shërbimet e Policisë dhe grupi hetimor.
Nga këqyrja e vendit të ngjarjes rezulton se fasada është dëmtuar me armë zjarri gjatë natës. Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po vijon punën për sqarimin e rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorit/ve.”, njofton policia.
Komente








