Qemal Draçini/ Fletë të shpërndame… fati tragjik i Antonietës

Qemal Draçini/ Fletë të shpërndame… fati tragjik i Antonietës

Qemal Draçini (6 mars 1922 - 10tetor 1947) ishte poet, prozator, përkthyes, hartues tekstesh mësimore e mbi të gjitha  si analist e kritik letrar, duke u çmuar për interesat e tij të gjëra intelektuale, ndjeshmërinë e tij të lartë ndaj së bukurës në jetë e në art, shoqëruar me një sens të thellë kritik ndaj  asaj që e rrethonte. Ai ishte po ashtu  një lexues “i pangopur, që nuk lexonte por gëlltiste libra”, sipas një përcaktimi nga i vëllai, Enveri, biografi i parë i tij.

Lista e autorëve të preferuar  vendas e të huaj është e gjatë, por autori për të cilin kishte një “adhurim mistik” ishte shkrimtari i madh freng, Romen Roland. Si lexues i apasionuar i romaneve të të madhit Roland, arti i tij e magjepsi aq shumë, sa përktheu nga vepra e tij  pasazhin kushtuar mrekullisë së muzikës. Njëheri ai u prek shumë nga fati i Antonietës, njëra nga personazhet femra më të dashura e më mallëngjyese të romanit shumëvëllimesh “Zhan Kristof” të Rolandit. Tablloja e vdekjes së saj është shumë mbresëlënëse, çfarë Qemali e përjetoi me shumë dhimbje. Ndjeshmërinë e lartë dhe talentin e tij, gjimnazisti ynë letrar do të na e përcjellë mjeshtërisht përmes prozës poetike të mëposhtme, të çiltërt e spontane.

Këto “Fletë të shkëputuna” u zbuluan rastësisht, gjatë një pune dyvjeçare për  të redaktuar “Ditarët” e autorit si dhe për skedimin e shkrimeve të tij të pabotuara.

Nexhmi Bushati

………………………………

Nga Qemal Draçini

“Tue lexue “Antoinette” të R.Roland”

(Muzgu i 17 Prillit 1940 – Në kopësht )

“Të përpjeta të çastit që për një t’imtë të dhanë mashtrín e një vegimi të madhnuem, teposhtina të hatashme që të përpín në gjí të një llahtari të panjohtun: mbas përkdheljes s’ambël të të mirave të rinís sate, mbas puthjeve të dashtuna që të fali dashnija prindore, mbas dhelave e andrrimeve që në zemër të ré të ringjalli puthja e afshët e dashnís, - dy buzë të tjera, rrezikzezë, të shpupluene në ballin e njomë ; - por, oh, jo mâ, jo mâ ambëlsí që derdhë afekti prinduer,, jo mâ përshpëritje uzdatuese e shpresatare: dy buzë t’ashpra, një shiqim i mugtë, një kërcnim gërmushës: lufta për bukë.

Luftë e gjatë, lodhëse, e papushueme, e pambarim: luftë e dëshprueme, mundimtare, shtypëse: rrximi, ramja, mbarimi!..

Ditë e vrântë, plot shí: dhomë e vogël, e errtë, pa ajr as dritë. Shtrat i ultë, mbi të cilin pushon trupi i molisun e gjymtyrët e kputuna të një luftëtarjeje të mundun: viktimë e  luftës së jetës!

Oh, ç’heroizëm fatlume! Ç’therore e pa shoqe! Ç’sakrificë sublime!...

Heshtín!

Zemrave të plagueme u flet heshtija lugubre që parandiell mbarimin tragjik:

Qán vllau, në váj të shutitun të zemrës, pshtetjen e vetme të jetës, qán shpirti zhdukjen  e shpresës, qán vehtja vehtjen e shkëputun: - E vaji i tij âsht vaji i jetës  mbi viktimën e vet. – Fatzezë! Jetove e jeta yte gjason me një lule që ngrohtsija tradhtuese e pak ditve të Frorit bân gabimisht me çilë. – Por, ehu, shpejt ká me u venitë e thá, pse dimni ká me ngrî gjithshka e koçani ká me qitë poshtë për dhé lulet e këputuna, lulet pa kohë të bulueme…Njashtu, edhe ti!

- Çile e lule erandse nisne me i kunorzue ditët e jetës sate të qetë e të lumtun; e trilla bylbylash i kënduene shpirtit tand uzdajët e një ardhmënije së lumtun; e cicrrime dallandyshash deshtne me derdhë kokrriza xhevahirash, diktimet e mystershme të dashnís që lmnon: në shqim tand feksonte mâ të bukurat riflekse uzdatja frymëzuese; - por ehu!...dorë e padukëshme, e egër si egërsí e gëzimit të fitimtarit mbî skllavin e nënshtruem, e vrazhdë si i vrazhdë grushti i sundimtarit mbî turî të robit të shtypun, qe se rrenoi e shpartalloi e shkimi e bâni copë-copë kështjellin e vogël kartash që ti, më duer të njoma e të hajthme, deshte me bâmë çerdhe ku do të flejshin gjumin e fminís së lumnueme zânat e paemna të argëtimeve të tua hyjnore: e, kur rá kalaja e lumnueme e rinís sate të prarueme, me vegime të andrrave të tua , të doli para, o, e shkretë,  vegimi i hatashëm i një së vërteteje që ti ende, oh, ende, nuk e kishe njohtë: ishte një e vërtetë e idhtë me pamje të shëmtueta të vuejtjeve të një lufteje që ti ende nuk kishe njoftë: - e lufta, oh, lufta të humbi: kot gjymtyrët e tua të molisuna deshtën me i çá valët e turrshme të lumit kapërdcís; për një ças, po, ti i a dole me i u qindrue sipër valve, e për atë të imtë ti i a dole edhe një herë me thithë një ajrí, që të rikujtoi mëngjezet e kohës së shkueme, orët e çaset e kalesës që…gadi shqim ishte zhdukë e shue e shkimë në largësi të kohës së kapërdime pa i a dá.

Po që vetëm një ças… erdhi vala e fuqishme e të  kapërdiu: - Rae !...

E rá bashkë me ty edhe mundi e lodhja e orvatja e përpjekja e një lufte të pambarim e mundëse: -  Rae, shpirt i njomë, pse shpirti i yt s’ishte pregaditë për kujdese o për travajë dermushëse; oh, jo, ay shpirt i hajthëm  kishte nevojë për ledhe, për puthje, për përkdhelje e për dashní; ende lypte qetít e shkujdesuna të provincës, nën heshtít e pambarim të netve qiellore.

E edhe trupi e gjymtyrët e tua: e ku, ku janë ledhatimet e ambla që ato duer të njoma i falen tastierës së lëmuet të pianofortes? E ku janë lmimet që u falne faqeve të zbehta të vllaut dhe duerve të dridhëshme të babës së dëshpruem?

Oh, zhdukë e ikë larg…fort larg ke trândja s’ i a përfshin mâ e shiqimi i mendjes hupë me kujtue: Gjithshka mbaroi! - E shpresa e uzdajë, e vuejtje e travajë -…

Një dhomë e vorfën, një ajrí e mbyllun, një qiellë e vrântë – një fytyrë e dashtun prânë – e fjalët e mbrame të lamtumirës finale – e kurgjâ mâ !

Qáu vllau e u gerbul mbî nënkrejcë tande; qáu ty, rinín tande të prendueme para kohe, ty, o rrezikzezë, e qáu edhe vedin e uzdajët e veta. E qáu bashkë me te edhe natyra e vrântë e metropolis.”

* *  *

(Mesnatë e kalueme – tue lexue “Jean Cristophe – R.Roland”)

“Antoniettë, Antoniettë, un po qaj me lot dhimbe të mallëshme mbarimin tand tragjik: mesnata ka kalue, por s’dij me u da prej leximit të historisë sate përmalluese: - Antoniettë e vorfën, sa shoqe të tjera ke ti mbi rruzull? Sa s’njehen, rrezikzezë. Unë po derdhi lot për të gjitha; bashkë me vllan tand e me Kristoforin që në ty e në shiqim të syve të tu të trishtueshëm, por t’ambël, gjet një ças ngushullimi…Antoniettë e shkretë!”:

---  *  * * --- 

Romen Roland

/////////////////////////////////////////////////

 “ Zhan Kristof” – Dita e re – Vol.X

“…ti,…muzikë e pavdekëshme…”

 “…Jeta kalon, trupi e shpirti rrshqasin si lumi; vjetët shkruhen në palcën e pemës që mplaket. E tanë këjo botë  trajtash vdes e ringjallet. Vetëm ti mbetë, muzikë e pavdekëshme. Ti je deti i përmbrendshëm. Ti je shpirti i thellë. Në dritën e kulluet të syve të tu, nuk feksohet fytyra e vrantë e jetës. Si shllunga resh që davariten , q’ashtu shqimet larg teje vargu i ditëve  të ndezta, t’akullta, t’ ethshme që shtyn ankthi e që zhduken vrikthi. Vetëm ti mbetë. Ti je jashta megjeve të botës. Je botë në vetvedi. Ke diellin tand, ligjet e tua, batit e zbatit e tua. Ti ke pagjen e hyjzive që në fushë të lamijeve natore shenojnë hullín e tyne të ndritshme – parmenda të argjanta që udhëheqë dora e sigurtë e bujkut të papashëm.

Muzikë, muzikë e kthjelltë, sa e ambël asht drita e jote hanore për syt e lodhun prei dritës verbuese të diellit të këtu-poshtë! Shpirti që ka jetue e asht tërhjekë nga lugu i përbashkët ku gjindja për t’u  sh’edsuem, turbullojnë fundrrit e shtratit me kambët e tyne, i mbshtetet gjiut  tand e pin nga cicat e tua ujët e freskët të kronit t’ andrrës. Muzikë, o nanë virgjine, që  ban në prehnin tand të papërlyem të gjitha pasjonet, që në liqenin e syve të tu ngjyrë zunkthi, ban të mirën e të keqen, të syve të tu ngjyre  s’ujit të gjelbrimtë që zbret nga akullnajet,, ti je përtej së mirës e përtej së keqes: kush strehohet tu ti jeton jashta shekujve; e vargu i ditëve të reja ka me qenë një ditë e vetme; e dekës, që gjithshka bren, aty kanë me i u thy dhambët.

Muzikë, ti që përkunde ambël shpirtin tim të pezmatuem, muzikë, ti që ma bane të qetë e të galduem – dashni e jeme, zemër e jeme,  - unë puthi gojën tande të pastër, mshehi fytyrën teme ndër flokët e tu të mjaltë, e mbështes qepallat e mija që lëvizin mbi shpaken e ambël të duerve të tua. Na rrijmë në heshtje, me sy të mbyllun, e unë daj dritën e patregueshm të syve të tu e nga goj’e jote e heshtun pij buzëqeshjen; e, mbledhë për zemër tande, prigjoj rektimin e jetës s’amshueme.”

Përktheu:  Qemal Draçini

/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Historia e pabesueshme/ Nga aeroporti që priste 250 milionë njerëz në vit deri më 2010-ën, në një fantazmë!

Historia e pabesueshme/ Nga aeroporti që priste 250 milionë njerëz në vit deri më 2010-ën, në një fantazmë!