Tiranë, 19 Janar /ATSH / - QKK së fundmi në formën e një ftese për bashkepunim, ka apeluar për pranimin e projekteve të prodhimeve artistike e kulturore, të cilat duhen dorëzuar pranë Sektorit te Projekteve te Prodhimeve Artistike (SPPA) në Digitalb për vitin 2015.
Digitalb, në dinamiken e zhvillimit të tij me hapin e kohës, ka hyrë tashmë në dekadën e dytë të aktivitetit të tij. Arritjet e shënuara, sukseset e konfirmuara, roli dhe ndikimi i pakrahasueshëm i ofertave të tij në informimin, edukimin dhe zbavitjen e audiencave, shtrirja dhe unifikimi kulturor i territoreve dhe popullsisë shqipfolëse, shtimi progresiv, novator e përmbajtjesor i prodhimeve artistike e kulturore origjinale ne shqip, përbejnë një bazë të sigurt për garantimin e kalimit të suksesshëm në një fazë të re, drejt zhvillimit dhe përmirësimit të cilësisë së realizimit të misionit, orientuar nga direktivat e mëposhtme:
1. Zgjerimi dhe thellimi përmbajtjesor e cilësor i komunikimit me popullsinë shqipfolëse në gjithë hapësirën ku ata jetojnë e punojnë;forcimi i ndjenjave dhe lidhjeve të tyre me vendet amë, kulturën, trashëgiminë dhe të ardhmen e shqiptarëve;
2. Vendosja dhe ruajtja e ekuilibrave midis funksioneve tregtare të Digitalb dhe misionit të tij informues, edukues e zbavitës, midis grupmoshave, kategorive programore e gjinive të ndryshme artistike;
3. Rritja e pandërprerë e standardeve të cilësisë përmbajtjesore dhe estetike të prodhimeve artistike e kulturore në Digitalb;
4. Afrimi, mbështetja dhe financimi i projekteve artistike e kulturore të forcave më të spikatura krijuese të hapësirës mbarë shqiptare, me fokus dhe vëmendje të posaçme prurjet e gjeneratave më të reja në moshë e në formim profesional;
Dimensioni i gjerë i aktivitetit dhe audiencave të Digitalb, imponon pranimin dhe trajtimin e hapur të propozimeve, ideve e projekteve për prodhim artistik e kulturor në të gjitha kategoritë programore dhe gjinitë artistike. Gjithsesi, në funksion të plotësimit të misionit të saj, dhe në përputhje me direktivat e cilësuara për vitin 2015.
Digitalb shpall si kategori me prioritet:
1. Projekte kombëtare gjithëpërfshirëse, në tematike, në përmbajtje, në forca krijuese e audiencë;
2. Projekte për programe për fëmijë të moshave parashkollore e parauniversitare;
3. Projekte të filmit dokumentar;
4. Projekte të filmit televiziv;
5. Projekte që mundësojnë ritransmetimin e prodhimit në një numër të lartë e shtrirje të gjatë kohore;
Përputhur me sa më sipër, Digitalb shpall ftesën dhe fillimin e pranimit të projekteve artistike e kulturore për financimin dhe prodhimin e tyre me destinacion transmetimin në programacionin e tij.
Të gjithë të interesuarit do të gjejnë informacionin e plotë, rregulloren, formularët dhe metodologjinë e paraqitjes së projekteve, seleksionimit, përpunimit, miratimit, financimit dhe monitorimit të realizimit të tyre, në faqen tonë të internetit www.digitalb.al (SPPA)
/k.m//a.ke/










