Prej gati 3 vitesh qeveria ka deklaruar se po punon për skemën e re të pensioneve, në mënyrë që të ulet deficiti, të rriten pensionet dhe që skema aktuale të jetë më e ‘shëndetshme’.
Mes shumë propozimesh të bëra edhe nga Banka Botërore për të prekur disa elemente të skemës (https://shqiptarja.com/lajm/propozimet-per-skemen-e-re-preket-formula-e-llogaritjes-se-pensionit-rriten-vitet-e-punes-dhe-hiqen-perfitimet-suplementare) qeveria njofton për një formulë të re.
Kryeministri ka deklaruar këto ditë se po punohet për “krijimin e një fondi të veçantë për pensionet për ata që duan ta kenë pensionin më të lartë”.
Report TV mëson se bëhet fjalë për të ndërhyrë në skemën aktuale, e konkretisht për të fuqizuar kolonën e tretë, ku janë të përfshira pensionet private vullnetare. Pra përveç skemës shtetërore të pensioneve që mbahet me sigurimet që paguajmë në bazë të pagës që marrim dhe kolonës së dytë të pensioneve plotësisht private, synohet të fuqizohet kolona e tretë ku do të përfshihet shteti si bashkëfinancues, ku një pjesë e fondit e paguan punëmarrësi dhe një pjesë punëdhënësi.
Qeveria parashikon të hedhë para në fondin e pensioneve vetëm për punonjësit e shtetit, që aktualisht janë 184 mijë persona, ndërsa për kategorinë më të madhe të të punësuarve që janë në privat, nuk ka lehtësi, pasi duhet që bizneset të jetë bashkëfinancues për punonjësit e tij
Ekspertët sqarojnë në ‘Portofol’ në Report Tv, që formula që po diskuton qeveria synon të krijojë një skemë paralele me pensione private, në mënyrë që të rritet përfitimi i qytetarit kur del në pension.
“Qëllimi në këtë situatë është të mund të nxiten individët të kursejnë, që të mund të vendosin një pjesë të pagës së tyre në fondin e pensionit, që do të jetë një fond pensioni privat me bashkëfinancim nga shteti, ose jo nga shteti por nga punëdhënësi. Në rastin kur ti punon në kompani private, duhet të jetë punëdhënësit privat që do të kontribuojnë për punonjësit e tyre”, thotë eksperti i tregjeve financiare Artur Ribaj.
Eksperti Artur Ribaj thotë se kjo formulë do të nxisë qytetarët të hedhin para edhe në fondin privat të pensioneve, por nuk është e drejtë të lihet privati pa mbështetje.
“Kjo do ta nxisë, por nuk është korrekt, për faktin, sepse edhe punonjësit që punojnë privat kanë nevojë të mbështeten dhe të motivohen dhe të incentivohen. Nuk mund të ngelet vetëm për ata që punojnë në shtet dhe të stimulojnë që njerëzit të vazhdojnë të kërkojnë të punësojnë në shtet. Ndërkohë që ata të shtetit do të paguhen përsëri me buxhetin e shtetit me taksat tona. Pra dhe kur flitet për një fond pensioni është për të gjithë popullsinë duhet incentivuar të gjithë”, thotë Ribaj.
Ndërsa eksperti Fatos Çoçoli, gjykon se duhet të lehtësohet barra tatimore për bizneset nëse qeveria kërkon që të fuqizohet kjo kolonë e sigurimit vullnetar privat.
“Sigurisht që nuk mund ta vësh me ligj që do shtojë 1 euro punonjësi në privat edhe punëdhënësi privat është i detyruar ta shtojë 1 euro. Nuk ka as logjike edhe asnjë vend të botës kjo nuk aplikohet. Por ama ti çfarë mund të bësh për atë sipërmarrës privat që e shton ai euron, dje ti ulësh ngarkesën fiskale, pra mund t'i ulësh një taksë me një përqindje”, thotë Çoçoli.
Sot pensioni mesatar është sa 22% e pagës mesatare të vendit, ose sa 38% e pagës minimale. Pensioni mesatar përllogaritet në 20 mijë e 192 lekë, ndërsa e ndarë në kategori, ai urban është 20 mijë lekë, ai rural është 12 mijë lekë.
Ndërkohë, emigrimi dhe ulja e lindshmërisë po sfidon pensionet thotë Banka e Shqipërisë ndaj duhet ndërhyrë. Nga ana tjetër vetë qeveria parashikon që deri në 2030-ën, popullsia të ulet me rreth 86 mijë persona, në kushtet kur skema e pensioneve ka nevojë për më shumë kontribuues.
Për të paguar 100 pensione, sot punojnë 117 të punësuar, ky raport sipas programit buxhetor afatmesëm do të zbresë në 113 të punësuar, duke shtuar kështu presionin në buxhetin e shtetit, i cili duhet të mbulojë deficitin e skemës së pensioneve.
Inflacioni në muajin mars arriti nivelin më të lartë në dy vite. I udhëhequr tërësisht nga ‘transporti’, pasi çmimi i karburantit sipas INSTAT u rrit me 9.5%, shifra më e lartë prej dhjetorit 2022, (lufta në Ukrainë), duke faktuar se edhe pse larg nesh, lufta në Lindjen e Mesme është kërcënim edhe për ekonominë tonë.
“Ne në këtë rast importojmë 100% të naftës. Meqenëse nafta në tregjet ndërkombëtare edhe tani që flasim është në nivel të lartë, u shtrenjtua në nivele gati 30-40%. Kuptohet që kjo do të na godiste dhe ekonominë tonë. Kjo është arsyeja kryesore pse ne kemi inflacion më të lartë”, tha Çoçoli.
Në kushtet kur i gjithë debati është përqendruar tek ‘ulja e taksave’, eksperti Çoçoli thotë se tavani i çmimit të naftës, për uljen e akcizës duhet të ishte më i ulët.
“Asnjëherë nuk mund të bëhet mjaftueshëm. Së pari ndoshta nuk do të isha vetëm për 20% të akcizës. Unë do të isha që tavani real ku dëmtohet qytetari jonë është tek 200 lekëshi. Pra tavani duhet të ishte shumë më i ulët”, tha Çoçoli.
Shifrat e vëna në dispozicion nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave tregojnë që përgjatë 2020-2026 janë mbledhur në total 2.6 miliard euro nga akciza e karburanteve, por specifikisht nga akciza e naftës që është edhe produkti më i përdorur në vendin tonë, janë mbledhur 1 miliard euro.
“Unë nuk do të isha për përgjysmimin e akcizës në këtë situatë, por ama tavani po mund të ulej 190-195 lekë litri i naftës”, thotë Çoçoli.
Ndërkohë qeveria tha edhe këtë të premte se nëse shtrenjtohen më shumë ushqimet do të ketë paketë ndihme.
“Një paketë ndihme tani duhet të shkojnë urgjentisht që tani për ata që preken më shumë nga kjo krizë. Topi i kalon qeverisë sepse është qeveria që menaxhon paratë shtesë dhe ne këtë po presim nga qeveria”, tha ai.
Aktualisht në Shqipëri është e detyrueshme vetëm skema shtetërore e pensioneve, por ekspertët gjykojnë se është koha për bërë me detyrim edhe pensionet private, në mënyrë që të ndihmohet skema aktuale që prej një dekade është në deficit.
“Mendoj që qeveria duhet të mendonte për zhvillimin e shtyllës së dytë, pra detyrim pension privat. Kjo skemë bëhet fjalë për ata që janë të regjistruar, kanë një paktë të deklaruar, paguajnë detyrimet për sigurimet shoqërore dhe pjesë të e tyre të shtohet gjithashtu edhe detyrimi për të paguar për një pension privat njëkohësisht të mbështetur nga shteti, sepse aktualisht në qoftë se shteti e ka premtuar këtë për punonjësit e vetë, ka edhe disa biznese që e bëjnë por shumë pak”, thotë Ribaj.
Aktualisht në vend janë rreth 49 mijë pensione private të lidhura, por që ky numër të rritet, për të ulur kështu presionin edhe mbi skemën aktuale shteti duhet të jetë më mbështetës.
“Tani të jemi realist ka varfëri, ka paga të ulëta, shpenzime të shtuara dhe është bërë tepër e vështirë që njerëzit të mund të kursejnë. Largimi i fuqisë punëtore i cili normalisht është pjesa aktive dhe që gjeneron të ardhura të larta dhe ngelet shumë pak. Edhe këta 50.000 që janë në fondin e pensioneve private janë me shifra të ulëta të kontributit të tyre”, thotë Ribaj.
Komente









