Qeveria, emërime dhe lirime nga
detyra, ndërrohen  2 zv/ministra

Qeveria, emërime dhe lirime nga<br />detyra, ndërrohen  2 zv/ministra
Në mbledhjen e sotme të Këshillit të Ministrave, përpos vendimeve të tjera janë bërë edhe ndryshme në disa ministri ku bie në sy largimi si zv/ministrit të Financave,  Ervin Mete dhe zëvendësimi i tij me Irena Beqirajn.

Gjithashtu Këshilli i Ministrave ka liruar nga detyra zëvendësministri i Punëve të Jashtme, Alqi Puli dhe ka emëruar në këtë detyrë Odeta Barbullushin.

Vendimet e plota të Këshillit të Ministrave në mbledhjen e sotme të Këshillit të Ministrave, 29 dhjetor 2014
 
V E N D I M PËR PERSONELIN E ADMINISTRATËS DOGANORE
 
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 7, pika 3, e 15, pika 3, shkronja “dh”, pika 4, shkronja “ç”, pika 5, shkronja “dh”, pika 6, shkronja “d”, pika 7, shkronja “dh”, pikat 9, 11 e 12, të ligjit nr.102/2014, datë 31.7.2014, “Kodi Doganor i Republikës së Shqipërisë”, dhe të nenit 4, të ligjit nr.7961, datë 12.7.1995, “Kodi i Punës i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave
 
V E N D O S I:
 
I. Pranimi në administratën doganore
 
1. Personeli pranohet në administratën doganore për pozicionet e punës, që përfshihen në shërbimin civil nëpërmjet një konkurrimi të hapur, kur këto vende nuk janë plotësuar dhe kanë mbetur të lira edhe pas përmbushjes së procedurave të posaçme, që përshkruhen në këtë vendim, e konkretisht me rend zbritës:
 
- lëvizjes paralele brenda sistemit doganor;
- ngritjes në detyrë brenda sistemit doganor;
- lëvizjes paralele në shërbimin civil;
- ngritjes në detyrë në shërbimin civil.
 
2. Konkurrimi zhvillohet jo vetëm për pozicionet ekzekutive, por dhe për pozicione të tjera, të cilat mbeten të paplotësuara.
 
3. Drejtoria e Përgjithshme e Doganave përgatit kriteret e veçanta për pozicionet e lira dhe ia referon për shpallje Departamentit të Administratës Publike. DAP-i, brenda 2 (dy) ditëve kalendarike nga mbërritja e kësaj kërkese, i shpall ato në portal dhe në faqen e vet zyrtare. Shpallja e procedurës së pranimit bëhet të paktën 30 (tridhjetë) ditë kalendarike para datës së konkurrimit. Dokumentacioni duhet të dorëzohet jo më vonë se 10 (dhjetë) ditë kalendarike nga e nesërmja e ditës së shpalljes në portalin “Shërbimi Kombëtar i Punësimit”.
 
4. Komiteti i përhershëm i pranimit kryesohet nga një prej nëpunësve të kategorisë së mesme drejtuese të Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave, të caktuar nga drejtori i Përgjithshëm i Doganave dhe ka në përbërje:
 
a) një përfaqësues nga Ministria e Financave;
b) një ekspert të fushës, të përzgjedhur nga drejtori i Përgjithshëm i Doganave;
c) një përfaqësues nga DAP-i;
ç)  një ekspert të fushës, të përzgjedhur nga drejtori i DAP-it.
 
5. Për pjesën e papërshkruar të procedurës së pranimit të nëpunësve civilë, për sa nuk bien ndesh me parashikimet e këtij vendimi, e më konkretisht me çështjet, si: të dhënat që përfshihen në shpalljen në portal, listën e dokumenteve që duhet të plotësojë kandidati, mënyrën e funksionimit të komitetit të përhershëm të pranimit, konkurrimin dhe periudhën e provës, zbatohen krerët II-V, të vendimit nr.143, datë 12.3.2014, të Këshillit të Ministrave, “Për procedurat e rekrutimit, të përzgjedhjes, të periudhës së provës, të lëvizjes paralele e të ngritjes në detyrë për nëpunësit civilë të kategorisë ekzekutive, të ulët dhe të mesme drejtuese”.
 
6. Punonjësit administrativë, të cilët nuk përshihen në shërbimin civil, përzgjidhen po ashtu me konkurrim të hapur, sipas rregullores së konkursit të hartuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave dhe të miratuar nga ministri i Financave. Komiteti i përhershëm i pranimit për një konkurrim të tillë kryesohet nga një prej nëpunësve të kategorisë së mesme drejtuese të Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave, të caktuar nga drejtori i Përgjithshëm i Doganave dhe ka në përbërje:
 
a) një përfaqësues nga Ministria e Financave;
b) drejtorin e Drejtorisë së Menaxhimit të Burimeve Njerëzore të DPD-së. 
 
Fituesve u lidhet kontratë pune, në fillim me periudhë prove 3-mujore dhe, më pas, me afat të pacaktuar.
 
II. Lëvizja paralele brenda administratës doganore
 
7. Kur një pozicion në administratën doganore mbetet i lirë, Drejtoria e Përgjithshme e Doganave fillon plotësimin e tij me lëvizjen paralele të punonjësve të administratës doganore të së njëjtës kategori/klasë.
 
8. Kushtet minimale që duhet të plotësojë kandidati për këtë procedurë janë:
 
a) Të ketë një vlerësim pozitiv apo një certifikatë/vërtetim për një kualifikim të posaçëm profesional, që i përshtatet vendit të ri të punës;  
b) Të mos ketë masë disiplinore në fuqi;
c) Të përmbushë kriteret e veçanta në shpalljen për konkurrim;
ç) Të jetë nëpunës civil i konfirmuar.
 
9. Afati për dorëzimin e dokumenteve është 10 (dhjetë) ditë kalendarike nga dita e nesërme e shpalljes së njoftimit në faqen e internetit të Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave.
 
10. Drejtori i Përgjithshëm i Doganave krijon komisionin e brendshëm të lëvizjes paralele dhe të ngritjes në detyrë, që kryesohet nga një prej nëpunësve të kategorisë së mesme drejtuese të Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave dhe ka në përbërje:
 
a) drejtorin e Drejtorisë së Menaxhimit të Burimeve Njerëzore, në  Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave;
b) një përfaqësues nga Departamenti i Administratës Publike.
 
11. Pjesa tjetër e procedurës së lëvizjes paralele, por pa u kufizuar në, si: të dhënat që duhet të përmbajë shpallja në portal, procedura e lëvizjes paralele, lista paraprake e verifikimit, e drejta e ankimit, procedura që ndjek komisioni i brendshëm, është sipas kreut VI, të vendimit nr.143, datë 12.3.2014, të Këshillit të Ministrave, “Për procedurat e rekrutimit, të përzgjedhjes, të periudhës së provës, të lëvizjes paralele e të ngritjes në detyrë për nëpunësit civilë të kategorisë ekzekutive, të ulët dhe të mesme drejtuese”, për sa nuk bien ndesh me parashikimet e këtij vendimi. 
 
III. Ngritja në detyrë brenda administratës doganore
 
12. Kur pozicioni i lirë nuk plotësohet me procedurën e lëvizjes paralele, atëherë Drejtoria e Përgjithshme e Doganave fillon plotësimin e tij me procedurën e ngritjes në detyrë, vetëm për nëpunësit civilë të administratës doganore të një kategorie paraardhëse.
 
13. I njëjti komision i parashikuar në pikën 10, të këtij vendimi, zhvillon këtë procedurë. Afati për dorëzimin e dokumenteve është 10 (dhjetë) ditë kalendarike nga dita e nesërme e shpalljes së njoftimit në faqen e internetit të Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave.
 
14. Kushtet minimale që duhet të plotësojë kandidati për këtë procedurë janë:
 
a) Të ketë një vlerësim pozitiv apo një certifikatë/vërtetim për një kualifikim të posaçëm profesional, që i përshtatet vendit të ri të punës;  
b) Të mos ketë masë disiplinore në fuqi;
c) Të përmbushë kriteret e veçanta në shpalljen për konkurrim;
ç)   Të jetë nëpunës civil i konfirmuar.
 
15. Pjesa tjetër e procedurës së ngritjes në detyrë, si dhe pa u kufizuar në: mënyrën e funksionimit të komisionit, strukturën e ndarjes së pikëve të vlerësimit, renditjen e kandidatëve, është sipas kreut VII, të vendimit nr.143, datë 12.3.2014, të Këshillit të Ministrave, “Për procedurat e rekrutimit, të përzgjedhjes, të periudhës së provës, të lëvizjes paralele e të ngritjes në detyrë për nëpunësit civilë të kategorisë ekzekutive, të ulët dhe të mesme drejtuese”, për sa nuk bien ndesh me parashikimet e posaçme në këtë vendim.
 
IV. Lëvizja paralele dhe ngritja në detyrë për nëpunësit civilë jashtë administratës doganore
 
16. Nëse pozicioni nuk plotësohet as me procedurën e ngritjes në detyrë me nëpunës civilë brenda administratës doganore, atëherë rihapet procedura e lëvizjes paralele për nëpunës civilë jashtë administratës doganore dhe vijon në rast nevoje me procedurën e ngritjes në detyrë me nëpunës civilë jashtë administratës doganore me afatet, komisionet dhe procedurat e lartpërshkruara. 
 
V. Transferimi i përkohshëm
 
17. Drejtori i Përgjithshëm i Doganave bën transferimin e përkohshëm të punonjësit doganor për shkaqet, që parashikohen në Kodin Doganor. Në rastin e punonjësve doganorë, që gëzojnë statusin e nëpunësit civil, një kopje e aktit të transferimit i dërgohet për dijeni Departamentit të Administratës Publike.
 
18. Procedura e transferimit të përkohshëm fillon me kërkesën e drejtorit të Drejtorisë së Menaxhimit të Burimeve Njerëzore ose të eprorit direkt për pozicionin e vartësit që është bosh e, në raste të tjera, kryesisht nga drejtori i Përgjithshëm i Doganave. Punonjësi doganor që transferohet ka të drejtë të ankohet brenda 5 (pesë) ditëve kalendarike nga data e njoftimit të aktit pranë drejtorit të Përgjithshëm të Doganave, nëse ka shkaqe objektive, që e bëjnë të pamundur përmbushjen e detyrës së re. Drejtori i Përgjithshëm i Doganave i kthen përgjigje punonjësit doganor brenda 5 (pesë) ditëve kalendarike nga data e paraqitjes së ankimit. 
 
VI. Procedura disiplinore dhe Komisioni Disiplinor
 
19. Komisioni Disiplinor në Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave kryesohet nga një prej nëpunësve civilë të kategorisë së mesme drejtuese dhe ka në përbërje:
 
a) drejtorin e Drejtorisë së Menaxhimit të Burimeve Njerëzore;
b) nëpunësin civil më të vjetër në detyrë, në institucion, sipas fushës që shqyrtohet në komision. 
 
Caktimi nominal i këtyre personave në komision bëhet me urdhër të drejtorit të Përgjithshëm të Doganave. 
 
20. Komisioni Disiplinor vihet në lëvizje nga subjektet e parashikuara në pikën 4, të nenit 59, të ligjit nr.152/2013, “Për nëpunësin civil”, dhe vepron për nëpunësit civilë dhe për punonjësit administrativë, në lidhje me hetimin administrativ, llojin dhe formën e vendimit, në përputhje me përcaktimin e bërë në vendimin nr.115, datë 5.3.2014, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e procedurës disiplinore dhe të rregullave për krijimin, përbërjen e vendimmarrjen në komisionin disiplinor në shërbimin civil”, për sa nuk bien ndesh me parashikimet e këtij vendimi.
 
21. Komisioni Disiplinor e fton nëpunësin civil apo punonjësin administrativ të japë shpjegimet me shkrim brenda 10 (dhjetë) ditëve kalendarike nga e nesërmja e njoftimit të tij për aktet e ecurisë disiplinore. 
 
22. Nëpunësi civil apo punonjësi administrativ gjatë afatit dhjetëditor ka këto të drejta:
 
a) Të njihet me aktet e dosjes; 
b) Të paraqesë argumentet e tij me shkrim për shkeljen e pretenduar;
c) Të kërkojë mbajtjen e seancës dëgjimore të hapur për t’u shprehur ai vetë ose nëpërmjet përfaqësuesit të tij ligjor. 
 
23. Nëse punonjësi doganor nuk shpreh dëshirën për t’u dëgjuar në një seancë të hapur, procedimi disiplinor përmbyllet me shkëmbimin e akteve dhe Komisioni Disiplinor merr vendim bazuar në aktet e administruara, edhe nëse nëpunësi civil apo punonjësi administrativ nuk paraqet shpjegimet e tij me shkrim brenda afatit të caktuar.
 
24. Seancë dëgjimore mbahet vetëm nëse kërkohet me shkrim nga nëpunësi civil. Një kopje e gjithë korrespondencës me nëpunësin civil i përcillet për dijeni DAP-it, bashkë me vendimin e marrë nga Komisioni Disiplinor. 
 
VII. Zbatimi i organizimit të ri, mbylljes apo ristrukturimit të plotë a të pjesshëm të institucionit 
 
25. Me miratimin e një strukuture të re, Drejtori i Përgjithshëm i Doganave ngre komisionin e ristrukturimit për punonjësit administrativë.  Drejtoria e Menaxhimit të Burimeve Njerëzore përcakton kriteret e veçanta që duhet të plotësojnë punonjësit për çdo vend të ri pune të krijuar rishtazi apo të rikonceptuar. 
 
26. Kriteret e veçanta për pozicionet që janë në shërbimin civil i përcillen DAP-it, për të vazhduar me procedurat e transferimit për shkak të mbylljes apo ristrukturimit të institucionit.
 
27. Komisioni i ngritur në DPD bën verifikimet për punonjësit administrativë, nëse janë në përputhje me kriteret e vendit të ri të punës. Nëse konstaton se punonjësi nuk plotëson kriteret e veçanta për vendin e ri të punës, si dhe nëse nuk gjendet në strukturë një vend tjetër pune, për të cilin ai plotëson kriteret, komisioni njofton Drejtorin e Përgjithshëm të Doganave dhe fillon procedurat përkatëse të parashikuara në Kodin e Punës. Punonjësi administrativ, në një rast të tillë, përfiton dëmshpërblimet, sipas parashikimeve të neneve 141, 143 dhe 144, të Kodit të Punës, si dhe kompensimet e tjera eventuale nëse i ka lindur e drejta për to. 
 
28. Drejtori i Përgjithshëm i Doganave, në rast nevoje dhe urgjence, për t’i shërbyer sa më mirë dhe shpejt biznesit, dërgon punonjës doganorë për të kryer shërbimet doganore atje ku çmohet se ka më shumë efikasitet.
 
29. Për punonjësit doganorë që gëzojnë statusin e nëpunësit civil për çdo çështje tjetër të parregulluar shprehimisht nga ky vendim zbatohet legjislacioni i shërbimit civil.
 
VIII. Pagesat për orët jashtë orarit dhe kompensimet për punën larg vendbanimit
 
30. Punonjësi, i cili, për nevoja të institucionit, detyrohet të kryejë orë pune jashtë kohës normale të punës, kompensohet si rregull me pushim dhe, në rast pamundësie, me pagesë shtesë për orët jashtë orarit. 
 
31. Punonjësit, që emërohet apo transferohet larg vendbanimit a vendqëndrimit të tij të zakonshëm, i sigurohet banesë ose një pagesë si kompensim për strehimin sipas legjislacionit në fuqi.
 
IX. Dispozita tranzitore
 
32. Punonjësit administrativë, që nuk përfshihen në shërbimin civil dhe që janë të punësuar para hyrjes në fuqi të Kodit të ri Doganor, pa procedurë konkurruese apo me procedurë konkurruese të vitit 2013, konsiderohen në periudhë prove për 3 (tre) muaj duke filluar nga e nesërmja e hyrjes në fuqi të këtij vendimi. 
 
X. Shfuqizime
 
33. Nenet 11 - 13 dhe nenet 16 - 19, të vendimit nr.205, datë 13.4.1999, të Këshillit të Ministrave, “Për dispozitat zbatuese të Kodit Doganor”, të ndryshuar, shfuqizohen.
 
 Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
 
K R Y E M I N I S T R I
 
EDI RAMA
 
***
V E N D I M
 
PËR
 
NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.929, DATË 17.11.2010, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR KRIJIMIN DHE PËRDORIMIN E FONDIT TË VEÇANTË”, TË NDRYSHUAR
 
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 4, të ligjit nr.10405, datë 23.4.2011, “Për kompetencat për përcaktimin e pagave dhe të shpërblimeve”, dhe të nenit 11, të ligjit nr.185/2013, “Për buxhetin e vitit 2014”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave  
 
V E N D O S I:
 
1. Në fund të pikës 9, të vendimit nr.929, datë 17.11.2010, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, shtohet nënndarja me këtë përmbajtje:
 
   “ Punonjësve me rezultate të mira në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve.”.
2. Ngarkohen Ministria e Financave dhe Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve për zbatimin e këtij vendimi. 
 
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
 
K R Y E M I N I S T R I
 
EDI RAMA
 
***
 
V E N D I M
 
PËR
 
NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.783, DATË 10.11.2011,  TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PROCEDURAT E NDARJES TË TË ARDHURAVE TË TAKSËS VJETORE TË MJETEVE TË PËRDORURA ME NJËSITË E QEVERISJES VENDORE”, TË NDRYSHUAR
 
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 4, të ligjit nr.9975, datë 28.7.2008, “Për taksat kombëtare”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave dhe të ministrit të Transportit dhe Infrastrukturës, Këshilli i Ministrave
 
V E N D O S I:
 
Pika 1, e vendimit nr.783, datë 10.11.2011, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, ndryshohet, si më poshtë vijon:
 
“1. Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor së bashku me drejtoritë rajonale të shërbimit të transportit rrugor në varësi të saj, të caktuara me ligj si agjent tatimor të mbledhjes së taksës vjetore të mjeteve të përdorura, deklarojnë dhe paguajnë taksën brenda datës 15 të muajit pasardhës, për llogari të organeve tatimore të administratës qendrore dhe njësive të qeverisjes vendore, sipas përcaktimeve të bëra në udhëzimin e ministrit të Financave. 
Për periudhën tatimore dhjetor 2014, deklarimi dhe pagesa e kësaj takse për llogari të organeve tatimore të administratës qendrore dhe njësive të qeverisjes vendore bëhet brenda datës 15 janar 2015.”.
 
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
 
 
K R Y E M I N I S T R I
 
EDI RAMA
 
***
V E N D I M
 
PËR
 
MIRATIMIN E FONDIT TË SHPENZIMEVE, PËR VITIN 2015, PËR AUTORITETIN E KOMUNIKIMEVE ELEKTRONIKE E POSTARE
 
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 117, të ligjit nr.9918,  datë 19.5.2008, “Për komunikimet elektronike në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave
 
V E N D O S I:
 
1. Miratimin e fondit të shpenzimeve, për vitin 2015, për Autoritetin e Komunikimeve Elektronike e Postare, në shumën 306 400 000 (treqind e gjashtë milionë e katërqind mijë) lekë, sipas lidhjes 1 që i bashkëlidhet këtij vendimi.
 
2. Ngarkohet Autoriteti i Komunikimeve Elektronike e Postare (AKEP) për zbatimin e këtij vendimi.
 
          Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
 
 
K R Y E M I N I S T R I
 
EDI RAM
 
***
V E N D I M
 
PËR
 
DISA SHTESA NË VENDIMIN NR.634, DATË 1.10.2014, Të KëSHILLIT Të MINISTRAVE, “Për miratimin e rregullave për vlerësimin dhe dhënien me konçesion /PARTNERITET PUBLIK PRIVAT të punëve publike dhe shërbimeve për ndërtimin, operimin, mirëmbajtjen dhe rehabilitimin e Rrugëve Nacionale”
 
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 5, pikat 1, shkronja “j’ e 2, dhe 49, të ligjit nr.125/2013, “Për koncesionet dhe partneritetin publik privat”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Transportit dhe Infrastrukturës, Këshilli i Ministrave
 
V E N D O S I: 
 
1. Në tekstin “Rregullat për vlerësimin dhe dhënien me koncesion/partneritet publik privat të punëve publike dhe shërbimeve për ndërtimin, operimin, mirëmbajtjen dhe rehabilitimin e rrugëve nacionale”, bashkëlidhur vendimit nr.634, datë 1.10.2014, të Këshillit të Ministrave, bëhen këto shtesa: 
 
a) pas paragrafit të parë, të nenit 24, shtohet një paragraf me këtë përmbajtje:
 
“Seti i dokumenteve standarde të procedurës konkurruese dhe kontrata tip janë pjesë integrale e këtyre rregullave dhe i bashkëlidhen si Aneksi 1.”. 
 
 
b) Në fund të tekstit të rregullave bashkëlidhet Aneksi 1, “Dokumentet standarde të koncesionit/partneritetit publik privat të punëve publike dhe shërbimeve, për ndërtimin, operimin, mirëmbajtjen dhe rehabilitimin e rrugëve nacionale”, si pjesë e këtyre rregullave, që i bashkëlidhet këtij vendimi.   
 
2. Ngarkohen Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës dhe Agjencia e Prokurimit Publik për ndjekjen dhe zbatimin e këtij vendimi.
 
        Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletore zyrtare”.
 
K R Y E M I N I ST R I
 
EDI RAMA
 
***
V E N D I M
 
PËR
 
KRITERET E VLERËSIMIT TË PRONËS SHTETËRORE, QË PRIVATIZOHET APO TRANSFORMOHET, DHE PROCEDURËN E SHITJES
 
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 2, të aktit normativ nr.4, datë 9.7.2008, “Për privatizimin dhe dhënien në përdorim shoqërive tregtare dhe institucioneve shtetërore të ndërmarrjeve apo objekteve të veçanta, mjeteve kryesore dhe mjeteve të xhiros së këtyre ndërmarrjeve”, miratuar me ligjin nr.9967, datë 24.7.2008, me propozimin e ministrit të Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes dhe ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave
 
V E N D O S I:
 
Miratimin e kritereve të vlerësimit të pronës shtetërore, që privatizohet apo transformohet, dhe procedurën e shitjes, si më poshtë vijon:
 
I. PROCEDURAT E PRIVATIZIMIT TË PASURISË SHTETËRORE
 
1. Këtij vendimi i nënshtrohen të gjitha ndërmarrjet apo objektet e veçuara, mjetet kryesore dhe mjetet e xhiros së ndërmarrjeve, shoqërive tregtare dhe institucioneve me kapital tërësisht shtetëror, për të cilat është dhënë miratimi i ministrit përgjegjës për ekonominë, për fillimin e procedurave të privatizimit apo të transformimit në shoqëri tregtare. 
 
2. Institucionet qendrore dhe organet e njësive të qeverisjes vendore dërgojnë kërkesën e tyre për privatizimin e ndërmarrjeve apo institucioneve që kanë në varësi administrative ose në pronësi, në ministrinë përgjegjëse për ekonominë. Ministri përgjegjës për ekonominë nxjerr urdhrin e miratimit për privatizim, sipas kërkesës së përmendur më sipër. Në rast se ministria përgjegjëse për ekonominë u kërkon institucioneve qendrore apo organeve të njësive të qeverisjes vendore kërkesën për prononcim privatizimi për pasuritë e ndërmarrjeve apo institucioneve që kanë në varësi administrative, këto institucione janë të detyruara që, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e marrjes së kërkesës, të dërgojnë mendimin e tyre për privatizimin e këtyre pasurive. Në rast se ky afat tejkalohet, atëherë ministria përgjegjëse për ekonominë ngre një komision, të përbërë nga 3 (tre) anëtarë, i cili verifikon faktikisht objektin. Nëse pas këtij verifikimi rezulton se objekti është i braktisur dhe nuk përdoret nga institucioni që e ka në administrim apo në pronësi, atëherë ministri përgjegjës për ekonominë jep miratimin për privatizimin e objektit, duke e konsideruar të dhënë pëlqimin nga institucioni administrues, dhe i kërkon atij caktimin e një përfaqësuesi në komisionin e vlerësimit të pronës. 
 
Nëse institucionet qendrore dhe/apo organet e njësive të qeverisjes vendore shprehen për mosprivatizimin e pasurive të ndërmarrjeve, apo institucioneve që kanë në varësi administrative, atëherë ato duhet ta argumentojnë qartë këtë fakt. 
Në rastet kur për objektet që janë në pronësi të organeve të pushtetit vendor është marrë vendimi i këshillit të njësive të qeverisjes vendore për privatizimin/tjetërsimin e tyre dhe këto objekte janë miratuar për t’u përfshirë në procedurë privatizimi, por organi i pushtetit vendor përkatës nuk dërgon përfaqësuesin e tij si anëtar të komisionit të vlerësimit, institucioni përgjegjës për privatizimin e pronës shtetërore i kërkon institucionit të prefektit përkatës të dërgojë përfaqësuesin që do të marrë pjesë në komisionin e vlerësimit.
Përfaqësuesi i prefekturës do të kryejë të gjitha procedurat për privatizimin e objektit, bashkë me truallin, sipas këtij vendimi.
 
3. Komisioni i vlerësimit të pronës shtetërore, në zbatim të këtij vendimi, ngrihet nga ministri përgjegjës për ekonominë. Ky komision ka në përbërje të tij 3 (tre) anëtarë: kryetarin e degës së shoqërive publike, në prefekturën ku ndodhet objekti, një ekspert vlerësues të licencuar dhe një përfaqësues të ndërmarrjes apo institucionit në administrim të të cilit ndodhet objekti. Komisioni kryesohet nga kryetari i degës së shoqërive publike.
 
Sipas nevojave të procesit të vlerësimit të objektit, ministri përgjegjës për ekonominë urdhëron që në komisionin e vlerësimit të marrë pjesë edhe një ekspert kontabël apo ekspertë të tjerë të fushës përkatëse. 
 
4. Ekspertët vlerësues, në përbërje të komisionit të vlerësimit të pronës shtetërore përzgjidhen nga ministri përgjegjës për ekonominë. Shpenzimet për përgatitjen e dokumentacionit të vlerësimit (pagesa e ekspertëve etj.) përballohen nga ministria përgjegjëse për ekonominë, përveç rasteve kur ministri përgjegjës për ekonominë urdhëron pagesën nga institucione, ndërmarrje dhe/ose shoqëri të varësisë. Kjo pagesë do të jetë 2 (dy) për qind e vlerës së objektit apo të grup-objekteve të vlerësuara, por jo më pak se 60 000 (gjashtëdhjetë mijë) lekë dhe jo më shumë se 300 000 (treqind mijë) lekë, me TVSH.  
 
5. Miratimi për përfshirjen në procesin e privatizimit të pasurisë së luajtshme, si element i veçantë, bëhet nga institucioni përkatës i varësisë administrative. Pas nxjerrjes së miratimit për privatizim, ky institucion ngre komisionin e vlerësimit të pasurisë.
 
Komisioni kryesohet nga përfaqësuesi përkatës i strukturës administrative dhe në përbërje të tij ka 3 (tre) anëtarë, nga të cilët njëri duhet të jetë ekspert vlerësues i fushës përkatëse. Shpenzimet për përgatitjen e dokumentacionit të vlerësimit (pagesa e ekspertëve etj.), në këtë rast, mbulohen nga institucioni ose ndërmarrja në administrim të të cilit ndodhet pasuria. 
 
6. Ngritja e komisionit të vlerësimit për objekte ndërtimore, të cilat kanë qenë në administrim të një subjekti që nuk ekziston më bëhet me urdhër të ministrit përgjegjës për ekonominë. Komisioni i vlerësimit, në këtë rast, kryesohet nga kryetari i degës së shoqërive publike në prefekturën ku ndodhet objekti dhe përbëhet nga ekspertë vlerësues të licencuar, sipas nevojave të procesit të vlerësimit.
 
II. VLERËSIMI I ELEMENTEVE TË PASURISË SHTETËRORE
 
1. Procedurat për vlerësimin e pasurisë shtetërore fillojnë me daljen e urdhrit të ministrit përgjegjës për ekonominë. 
 
2. Vlerësimi i objekteve bëhet nga komisioni i vlerësimit, në përputhje me vlerën reale të tregut, duke përdorur metodat e vlerësimit të tregut, në zbatim të legjislacionit në fuqi. Komisioni i vlerësimit mban përgjegjësi për vlerësimin e kryer dhe për dokumentet e hartuara e të nënshkruara prej tij (genplane, situacione, aktvlerësime etj.). 
3. Me daljen e urdhrit të ministrit përgjegjës për ekonominë për ngritjen e komisionit të vlerësimit të objektit që do të privatizohet apo që do të përfshihet në fondin e kompensimit, komisioni i vlerësimit inspekton dhe verifikon gjendjen reale të objektit dhe, më pas, ekspertët vlerësues të këtij komisioni, brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve, përgatitin në 5 (pesë) kopje origjinale genplanin e ndërmarrjes apo të objekteve që do të privatizohen, ku përcaktohen qartë sipërfaqet nën objekt dhe trualli funksional. Dega e shoqërive publike përkatëse vendos një njoftim në objekt si dhe në mjediset e organit të qeverisjes vendore në territorin e të cilit ndodhet objekti, për efekt të ish-pronarëve të truallit, nëse ka. 
 
4. Eksperti vlerësues, brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve nga dalja e urdhrit për privatizimin e objektit, përgatit në 5 (pesë) kopje origjinale genplanin përkatës, ku përcaktohen qartë sipërfaqja nën objekt, sipërfaqja funksionale dhe ajo e përgjithshme. Eksperti vlerësues mban përgjegjësi për hartimin e saktë të këtij genplani. 
 
5. Komisioni i vlerësimit, pas marrjes së genplanit të përgatitur nga ekspertët, i drejton institucionit të prefektit, në territorin e të cilit ndodhet objekti, kërkesën për konfirmimin e këtij genplani. 
 
6. Prefekti autorizon një përfaqësues, i cili nënshkruan genplanet e objekteve të kërkuara nga dega e shoqërive publike. Institucioni i prefektit konfirmon genplanin e objektit, duke nënshkruar dhe vulosur në 5 (pesë) kopje origjinale, brenda 10 (dhjetë) ditëve nga data e marrjes së kërkesës së degës së shoqërive publike përkatëse, dhe i përcjell kësaj dege dokumentacionin, të nënshkruar e të vulosur. Tejkalimi i këtij afati ngarkon me përgjegjësi këtë institucion. 
 
7. Pas marrjes së genplanit të objektit, të konfirmuar nga prefektura, dega e shoqërive publike i kërkon zyrës vendore të regjistrimit të pasurive të paluajtshme të dhëna për pronësinë e objektit dhe truallit që privatizohet, hartën treguese, vërtetimin hipotekor apo certifikatën e pronësisë, nëse ka. Kërkesën e mësipërme dega e shoqërive publike e shoqëron me një kopje të genplanit, të konfirmuar nga prefektura e qarkut përkatës. Zyra vendore e regjistrimit të pasurive të paluajtshme, brenda 10 (dhjetë) ditëve nga data e marrjes së kërkesës, i dërgon degës së shoqërive publike të dhënat që disponon për pronën që privatizohet, hartën treguese, vërtetimin hipotekor apo certifikatën e pronësisë, nëse ka të tillë. Zyra vendore e regjistrimit të pasurive të paluajtshme mban përgjegjësi ligjore për të dhënat e konfirmuara si dhe për tejkalimin e afatit ligjor, të përcaktuar në këtë vendim. 
 
8. Dega e shoqërive publike, pas marrjes nga zyra vendore e regjistrimit të pasurive të paluajtshme të hartës treguese, me të dhënat përkatëse të objektit, i kërkon Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave konfirmimin nëse trualli ku ndodhet objekti ka pronarë, të njohur me vendim të Komisionit të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, si dhe çmimin përkatës të truallit ku ndodhet objekti, në bazë të çmimit të përcaktuar në hartën e çmimeve nga kjo agjenci, dhe të miratuar me vendim të Këshillit të Ministrave. Në rastet kur ky çmim nuk ekziston në hartën e çmimeve, atëherë ekspertët vlerësues përcaktojnë çmimin e shitjes së truallit të objektit që do të privatizohet. 
 
9. Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, brenda 10 (dhjetë) ditëve nga data e marrjes së kërkesës, i dërgon degës së shoqërive publike konfirmimin për çmimin e truallit të objektit si dhe vendimet përkatëse të kthimit dhe kompensimit të pronave, të shoqëruar me planvendosjen e pronës, ku të jetë përcaktuar qartë kufiri i pronës si dhe çdo informacion shtesë, nëse ka, që lidhet me vendimin përkatës të kthimit dhe kompensimit të pronave. 
 
10. Eksperti vlerësues përcakton çmimin e truallit ku ndodhet objekti përkatës, në bazë të çmimit të përcaktuar në hartën e çmimeve, të hartuar nga Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave dhe të miratuar me vendim të Këshillit të Ministrave. Në rastet kur ky çmim nuk ekziston në hartën e çmimeve, atëherë ekspertët vlerësues përcaktojnë çmimin e shitjes së truallit të objektit që do të privatizohet sipas çmimit të tregut. Eksperti vlerësues mban përgjegjësi për vlerësimin e truallit të bërë prej tij. Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave mban përgjegjësi për çmimin e truallit, të konfirmuar me shkresën përkatëse si dhe për tejkalimin e afatit ligjor, të përcaktuar në këtë vendim. 
 
Kryetari i komisionit të vlerësimit i dorëzon ekspertit vlerësues gjithë dokumentacionin e mësipërm dhe eksperti vlerësues harton raportin e vlerësimit për objektin përkatës. Eksperti vlerësues zgjedh metodën përkatëse të vlerësimit të objektit dhe mban përgjegjësi për vlerësimin e bërë dhe vlerën e përcaktuar prej tij. 
 
11. Afati i plotësimit të dokumentacionit të vlerësimit për ndërtesat, ndërtimet dhe linjat e prodhimit/shërbimit duhet të jetë jo më shumë se 50 (pesëdhjetë) ditë, nga data e daljes së urdhrit për ngritjen e komisionit të vlerësimit nga titullari. Për makineritë, pajisjet, mjetet e transportit etj. ky afat duhet të jetë jo më shumë se 20 (njëzet) ditë, nga data e daljes së urdhrit. Komisioni i vlerësimit mban përgjegjësi për respektimin e këtij afati. 
 
12. Dokumentacioni i përgatitur nga komisioni i vlerësimit i dërgohet:
 
a)  ministrisë përgjegjëse për ekonominë, për objektet ndërtimore dhe linjat e prodhimit/shërbimit, me shkresë përcjellëse, të nënshkruar e të vulosur nga dega e shoqërive publike përkatëse, ku përcaktohen vlera e objektit, sipërfaqja e përgjithshme, ajo nën objekt dhe ajo funksionale. Ministria përgjegjëse për ekonominë, pasi kontrollon nëse ky dokumentacion ka kaluar në strukturat përkatëse, ia përcjell atë Drejtorisë së Drejtimit të Pronës Publike, në Ministrinë e Financave. 
b) Drejtorisë së Drejtimit të Pronës Publike, në Ministrinë e Financave, për makineritë, pajisjet, mjetet e transportit, inventarin ekonomik, mjetet e xhiros etj., me shkresë përcjellëse, të nënshkruar dhe të vulosur nga dega e shoqërive publike përkatëse, kur asetet do të shiten të veçanta.
 
13. Vlerësimi i pasurisë së ndërmarrjeve shtetërore që transformohen, në zbatim të urdhrit të ministrit përgjegjës për ekonominë, bëhet në  përputhje me këtë vendim. 
 
14. Eksperti vlerësues i pasurive të paluajtshme harton genplanin përkatës të shoqërive aksionare dhe të shoqërive me kapital të përbashkët, të cilat janë në proces vlerësimi për privatizim, kur del i nevojshëm hartimi i një genplani të ri, të ndryshëm nga ai i përgatitur në çastin e themelimit të shoqërisë. 
 
15. Shoqëria, kërkesën për konfirmimin e genplanit, të hartuar nga eksperti vlerësues përkatës, ia dërgon institucionit të prefektit, ku ajo ka vendndodhjen. Institucioni i prefektit, brenda 10 (dhjetë) ditëve nga data e marrjes së kërkesës, konfirmon genplanin e shoqërisë, duke e nënshkruar dhe vulosur atë në 5 (pesë) kopje origjinale, dhe më pas ia përcjell shoqërisë. 
 
16. Detyrimet debitore dhe kreditore të ndërmarrjeve shtetërore që privatizohen mbyllen në çastin e ndryshimit të pronësisë. Drejtori i ndërmarrjes shtetërore mban përgjegjësi për rritjen e debi-kredive, nga data e shpalljes së ndryshimit të pronës shtetërore. 
 
17. Për detyrimet debitore dhe kreditore veprohet, si më poshtë vijon:
 
a) Kur bëhet privatizimi i të gjithë ndërmarrjes shtetërore detyrimet debitore dhe kreditore i kalojnë shtetit. Institucioni qendror ose organet e pushtetit vendor, sipas varësisë administrative të ndërmarrjes, ngarkojnë një punonjës të sistemit financiar ose një profesionist të lirë me një kontratë të posaçme, për ndjekjen e arkëtimit, deri në 30 (tridhjetë) ditë nga data e dorëzimit të objektit. Këta punonjës kanë të drejtën e shpërblimit nga 5 (pesë) deri në 10 (dhjetë) për qind të shumave të arkëtuara, por jo më shumë se 12 (dymbëdhjetë) paga bazë të përgjegjësit të financës në këshillin e qarkut ose këshillin bashkiak. Ky shpërblim reduktohet deri në zero nëse nuk zbatohet kontrata. Kjo kontratë duhet të jetë e vlefshme deri në 3 (tre) muaj dhe, pas kësaj kohe, veprohet në bazë të ligjit nr.8901, datë 23.5.2002, “Për falimentimin”.
b) Kur bëhet privatizim i pjesshëm i ndërmarrjes shtetërore detyrimet debitore dhe kreditore të saj i kalojnë, për ndjekje, administratës që mbetet për pjesën shtetërore.
 
18. Në rastet kur në përbërje të pronës që privatizohet nuk ka objekte ndërtimore sipërfaqësore, por vetëm objekte ndërtimore nëntokësore, atëherë privatizimi do të bëhet vetëm për objektin (strukturën ndërtimore)  dhe sipërfaqen e zënë prej tij, sipas inventarit të miratuar me aktin ligjor përkatës të institucionit administrues/pronar. Në rastet kur për truallin ku ndodhet objekti nëntokësor në proces privatizimi ka pronarë trualli, të njohur me vendim të Komisionit të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, atëherë ata gëzojnë të drejtën e parablerjes, sipas përcaktimeve të këtij vendimi.
 
III.    PROCEDURA E SHITJES SË PRONËS SHTETËRORE
 
1. Drejtoria e Drejtimit të Pronës Publike, në Ministrinë e Financave, e pranon dosjen e vlerësimit për objektin që do të privatizohet, nëse për këtë objekt ka dokumentacion të rregullt, i cili u ka kaluar strukturave përkatëse, të përcaktuara në këtë vendim. Në rast të kundërt, Drejtoria e Drejtimit të Pronës Publike, në Ministrinë e Financave, kërkon plotësimin e dokumentacionit. 
 
2. Shitja e objektit bëhet si më poshtë vijon:
 
a) Për rastet kur konfirmohet se objekti ndodhet në truallin e subjekteve të shpronësuara, shitja bëhet pa ankand dhe subjektet e shpronësuara të truallit, në zbatim të ligjit nr.9235, datë 29.7.2004, “Për kthimin dhe kompensimin e pronës”, të ndryshuar, kanë të drejtën e parablerjes së objektit me vlerën fillestare.  
Në këtë rast, Drejtoria e Drejtimit të Pronës Publike, në Ministrinë e Financave, afishon një njoftim në mjediset e saj, për një afat  njëzetditor, vetëm për pronarët e truallit, ndërsa dega e shoqërive publike e afishon këtë njoftim në mjediset e veta dhe në objekt.
Dokumentacioni për dhënien e së drejtës së parablerjes, për objektin që privatizohet, në çdo rast, shqyrtohet e konfirmohet me procesverbal të veçantë dhe miratohet nga komisioni i ngritur nga drejtori i Drejtorisë së Drejtimit të Pronës Publike, në Ministrinë e Financave. 
b) Për rastet kur komisioni i ngritur nga drejtori i Drejtorisë së Drejtimit të Pronës Publike, në Ministrinë e Financave, ka vështirësi në përditësimin e dokumentacionit hartografik (planvendosja e pronës së ish-pronarëve, genplani i objektit në proces privatizimi dhe harta treguese e lëshuar nga zyra vendore përkatëse e regjistrimit të pasurive të paluajtshme) për truallin, sipërfaqen nën objekt dhe sipërfaqen funksionale të objektit, apo ndërmarrjes në proces privatizimi, sipas pikës 12, të këtij kreu, atëherë Drejtoria e Drejtimit të Pronës Publike, në Ministrinë e Financave, do të angazhojë ekspertë të licencuar të fushës së hartografisë. Në përfundim të verifikimit, eksperti i licencuar do të dorëzojë dokumentacionin hartografik, me shënimet përkatëse, për rezultatin e verifikimit. Eksperti mban përgjegjësi ligjore për përfundimet që do të paraqesë në Drejtorinë e Drejtimit të Pronës Publike, në Ministrinë e Financave. Shpenzimet për kryerjen e këtyre verifikimeve do të mbulohen nga vetë pala e interesuar për blerjen e objektit apo ndërmarrjes. 
c)  ë rastet kur ish-pronarët e truallit, pas afishimit të njoftimit, sipas shkronjës “a”, të kësaj pike, nga Drejtoria e Drejtimit të Pronës Publike, në Ministrinë e Financave, dhe degët e shoqërive publike në prefekturën përkatëse, nuk kanë paraqitur dokumentacionin, sipas pikës 11, të këtij kreu, bëhet një njoftim, nga një herë në dy gazeta me qarkullim kombëtar, duke i përcaktuar ish-pronarit të truallit një afat të ri tridhjetëditor për dorëzimin e dokumentacionit ligjor. Nëse edhe në këtë afat të dytë ish-pronari nuk paraqitet, atëherë objekti kalon në publikim për shitje me ankand, sipas procedurave të përcaktuara në këtë vendim. Në rast të realizimit të shitjes së objektit, bashkë me truallin, me ankand, vlera e truallit, e përcaktuar sipas hartës së vlerës, i shkon drejtpërdrejt ish-pronarit të truallit.
ç)  Në rastet kur konfirmohet se objekti që privatizohet nuk ndodhet në truallin e subjekteve të shpronësuara, si dhe për rastet kur Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave nuk është në gjendje të konfirmojë pronësinë e truallit, për objektin që privatizohet, ai i nënshtrohet ankandit, sipas procedurave të këtij vendimi. Kur, në datën e zhvillimit të ankandit, paraqitet ish-pronari i truallit, me dokumentacionin sipas pikës 11, të kreut III, të këtij vendimi, atëherë ky e gëzon të drejtën e parablerjes me vlerën fillestare të objektit. Edhe në këtë rast do të veprohet sipas shkronjës “a”, të pikës 2, të kreut III, të këtij vendimi, por vetëm pasi të jetë konfirmuar dokumentacioni i pronësisë, i depozituar nga ish-pronari i truallit pranë Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, organeve të pushtetit vendor, zyrës vendore të regjistrimit të pasurive të paluajtshme apo çdo institucioni tjetër shtetëror.
     
Në rastet kur, gjatë periudhës së publikimit të objektit, para datës së zhvillimit të ankandit, depozitohet në Drejtorinë e Drejtimit të Pronës Publike, në Ministrinë e Financave, kërkesa e ish-pronarit të truallit, shoqëruar me dokumentacionin përkatës të pronësisë së truallit, atëherë do të veprohet sipas shkronjës “a”, të pikës 2, të kreut III, të këtij vendimi, por vetëm pasi të jetë konfirmuar dokumentacioni i pronësisë, i depozituar nga ish-pronari i truallit, pranë Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, organeve të pushtetit vendor, zyrës vendore të regjistrimit të pasurive të paluajtshme apo çdo institucioni tjetër shtetëror. 
 
3. Në ankandet për shitjen e pasurive të shoqërive në likuidim e sipër, të cilat janë të përfshira në kapitalin e tyre, nuk zbatohet e drejta e parablerjes për ish-pronarët e truallit. Ata marrin pjesë në ankand si të gjithë të tjerët. Në rastet e shpalljes fitues, ish-pronarëve u zbritet vlera e truallit, e njohur me vendim të Komisionit të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, e vlerësuar me çmimet e hartës së vlerës së truallit, miratuar nga Këshilli i Ministrave. 
 
4. Procedurat e publikimit fillojnë pasi të jenë dorëzuar, në Drejtorinë e Drejtimit të Pronës Publike, në Ministrinë e Financave, dokumentet e vlerësimit të objektit. 
 
5. Vlera e fillimit të ankandit është VAM-i (vlera e amortizimt të mbetur), i përcaktuar sipas kreut II, të këtij vendimi, (mjete kryesore + mjete xhiroje + vlera e truallit). Ankandi zhvillohet vetëm për vlerën e mjeteve kryesore + vlerën e truallit, ndërsa vlera e mjeteve të xhiros i shtohet vlerës së arritur në ankand. Shitja e pasurisë së luajtshme bëhet vetëm me ankand, sipas procedurave të këtij vendimi. 
 
6. Drejtoria e Drejtimit të Pronës Publike, në Ministrinë e Financave, pasi ka pranuar dokumentacionin për shitjen e objektit, ndërmerr hapat përkatës për publikimin e privatizimit të tij, si më poshtë vijon:
 
a) Periudha e botimit zgjat 21 (njëzet e një) ditë, nga data e botimit të parë, dhe bëhet në çdo botim të Buletinit të Njoftimeve Publike, brenda këtij afati. Dita e parë e botimit është data e përcaktuar në njoftimin që Drejtoria e Drejtimit të Pronës Publike, në Ministrinë e Financave, dërgon për botim. Brenda këtij afati, ky njoftim botohet një herë edhe në një gazetë me qarkullim kombëtar.
b)  Boton listën e objekteve që do të privatizohen dhe e shpall atë në faqen e internetit të Ministrisë së Financave, me të dhënat për çdo objekt.
c)  Afishon, fillimisht, njoftimin për zhvillimin e ankandit në mjediset e saj, ndërsa dega e shoqërive publike, në prefekturë, e afishon njoftimin në mjediset e veta, në ndërmarrjen në administrim të së cilës është objekti, në objekt si dhe në mjediset e organit të qeverisjes vendore, në territorin e të cilit ndodhet objekti që privatizohet, sipas të dhënave të dërguara nga Drejtoria e Drejtimit të Pronës Publike. Dega e shoqërive publike, në prefekturë, dërgon, zyrtarisht, procesverbalin për vendosjen e afisheve, brenda afatit të botimit, në Drejtorinë e Drejtimit të Pronës Publike, në Ministrinë e Financave.
 
7.  Njoftimi për botim përmban të dhënat, si më poshtë vijon: 
 
a) Vendin, datën dhe orën e zhvillimit të ankandit;
b) Emërtimin dhe vendndodhjen e objektit që privatizohet;
c) Vlerën fillestare të ankandit;
ç) Sipërfaqen e përgjithshme dhe atë nën objekt;
d) Emrin dhe mbiemrin e pronarit të truallit, nëse ka etj.
 
8. Pjesëmarrësit në ankand, pas regjistrimit të kërkesës në Ministrinë e Financave, për Drejtorinë e Drejtimit të Pronës Publike, kanë të drejtë të studiojnë dokumentacionin e vlerësimit, që ndodhet i depozituar në këtë drejtori, si dhe të njihen me gjendjen fizike të objektit.
 
9.  Drejtoria e Drejtimit të Pronës Publike, në Ministrinë e Financave, harton dhe arkivon një procesverbal, i cili përmban:
 
a) kopjen e buletinit;
b) kopjen e afishimit në gazetë;
c) datat e botimit të njoftimeve;
ç) kopjen e njoftimit me afishe.
 
10. Pjesëmarrësit në ankand duhet t’i paraqesin komisionit të ankandit, në vendin, datën dhe orën e njoftuar, këto dokumente:
 
a) kërkesën me shkrim për blerjen e objektit të regjistruar në protokollin e Ministrisë së Financave;
b) mandatpagesën, apo garancinë bankare, që vërteton derdhjen, apo  ngurtësimin e 20 (njëzet) për qind të vlerës së fillimit të ankandit, në lekë, për llogari të Ministrisë së Financave.
 
11. Ish-pronari i truallit, për blerjen e ndërmarrjes ose të objektit që shtrihet mbi të, duhet të paraqesë në Drejtorinë e Drejtimit të Pronës Publike, në Ministrinë e Financave, dokumentacionin e mëposhtëm:
 
a) kërkesë me shkrim për blerjen e objektit, të regjistruar në  
protokollin e Ministrisë së Financave;
b)  mandatpagesën apo garancinë bankare, që vërteton derdhjen, ose ngurtësimin e 20 (njëzet) për qind të vlerës fillestare të ankandit, në lekë, vetëm për objektin, për llogari të Ministrisë së Financave, në Drejtorinë e Drejtimit të Pronës Publike, detyrimisht, brenda afatit të pranimit të kërkesave; 
c)  vendimin përkatës të Komisionit të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, të shoqëruar me planvendosjen e pronës, ku përcaktohet se ai është subjekti pronar i tokës;
ç)  dëshminë e trashëgimisë, prokurë përfaqësimi etj., nëse ka të tilla;
d)  deklaratën noteriale, në të cilën trashëgimtarët e subjektit të shpronësuar, që kërkojnë të ushtrojnë të drejtën e parablerjes për objektin në proces privatizimi, të deklarojnë se, që nga momenti që janë pajisur me vendimin e Komisionit të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, nuk kanë përfituar kompensim në asnjë nga format e parashikuara në ligj. Gjithashtu, të deklarojnë se vendimi i ish-Komisionit të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave ose i Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave nuk ka ndryshuar, ose është shfuqizuar me ndonjë akt administrativ apo vendim gjykate të formës së prerë.
 
12. Kur sipërfaqja e tokës e njohur apo e kthyer ish-pronarit të truallit, shtrihet në mbi 70 (shtatëdhjetë) për qind të sipërfaqes së truallit nën objektin që privatizohet, e drejta e parablerjes shtrihet në të gjithë objektin, nëse pjesa tjetër nuk ka pronarë. Në të kundërt, pavarësisht se njëri nga ish-pronarët apo bashkëpronarët e plotëson kushtin e përcaktuar në paragrafin e parë, të kësaj pike, dhe pjesa tjetër ka pronarë trualli të identifikuar, objekti privatizohet në bashkëpronësi, me marrëveshje të dokumentuar.
Nëse nuk arrihet marrëveshje e dokumentuar ndërmjet bashkëpronarëve, objekti u nënshtrohet procedurave të ankandit dhe ish-pronarët kompensohen financiarisht, sipas vlerës së truallit, të vlerësuar sipas hartës së vlerës.
         
Në rastet e shpalljes fitues të ankandit që zhvillohet për shitjen e objektit të njërit prej ish-pronarëve të truallit (trashëgimtarëve të tij), në pagesën e vlerës së fitimit të ankandit zbritet vlera e truallit që i përket pjesës së tij, e njohur me vendim të Komisionit të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, e vlerësuar me çmimet e hartës së vlerës së truallit. Në këtë rast, për përcaktimin e sipërfaqes së truallit për pronarin do të veprohet sipas shkronjës “b”, të pikës 2, të këtij kreu.
          
Në rastet kur për objektin që privatizohet ka një pronar apo disa bashkëpronarë, të cilët kanë një marrëveshje të dokumentuar dhe gëzojnë të drejtën e parablerjes, por një pjesë e truallit, sipas genplanit të privatizimit, nuk bie në pronën e ish-pronarëve të konfirmuar shtetërorë, veprohet, si më poshtë vijon:
 
- Drejtoria e Drejtimit të Pronës Publike, në Ministrinë e Financave, ua ofron për blerje bashkëpronarëve që gëzojnë të drejtën e parablerjes së objekteve. Në rast se ish-pronarët shprehen me shkrim se nuk janë dakord ta blejnë këtë sipërfaqe trualli, Drejtoria e Drejtimit të Pronës Publike, në Ministrinë e Financave, i dërgon një shkresë, të shoqëruar me kopje të genplanit, Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave për përdorimin e kësaj sipërfaqeje për fond kompensimi për ish-pronarët, duke vënë në dijeni edhe ministrinë përgjegjëse për ekonominë.
 
13. Në rastet kur objektit i është ulur vlera e fillimit të ankandit, ish-pronari i truallit, për të ushtruar të drejtën e parablerjes, duhet të bëjë pagesën e plotë, sipas vlerës fillestare dhe jo sipas vlerës së ulur.
 
14. Kur për objektet e shpallura për shitje me VAM fillestar, sipas procedurave të këtij vendimi, nuk paraqitet asnjë kërkesë për blerje, Drejtoria e Drejtimit të Pronës Publike, në Ministrinë e Financave, cakton një VAM tjetër, më të ulët se VAM-i fillestar, për privatizimin e objektit, duke filluar procedurat e publikimit, sipas pikës 6, të këtij kreu.
 
15. Ulja e VAM-it të objekteve bëhet sipas këtij kategorizimi:
 
a)  për ndërmarrjet ose objektet, deri në 30 (tridhjetë) për qind; 
b) për makineritë, pajisjet, inventarin ekonomik, mjetet e transportit, mjetet e xhiros, deri 50 (pesëdhetë) për qind. Në këto raste, objekti u nënshtrohet edhe një herë të gjitha procedurave të shitjes, të parashikuara në këtë vendim.
 
16. Në rastet kur mbetet vetëm një blerës, si në publikimin me vlerë fillestare, ashtu edhe në rastin kur objekti është i publikuar me ulje VAM-i, vendoset një njoftim, me afishe, pranë mjediseve ku do të kryhen procedurat e zhvillimit të ankandit, për një periudhë dhjetëditore, dhe brenda këtij afati bëhet një njoftim, vetëm 1 (një) herë në një gazetë me qarkullim kombëtar. Pas këtij publikimi, Drejtoria e Drejtimit të Pronës Publike, në Ministrinë e Financave, realizon shitjen e objektit blerësit të vetëm, nëse nuk ka kërkesa të tjera për blerje pas këtij publikimi.
 
17. Procedurat, për rastet e parashikuara në pikat 2, 6, 12 e 16, të këtij vendimi, fillojnë me miratimin e drejtorit të Drejtorisë së Drejtimit të Pronës Publike, në Ministrinë e Financave. Çdo element shtesë është pjesë e botimit. 
 
18. Për rastet kur nuk është realizuar shitja, veprohet, si më poshtë vijon:
 
a) Për objektet ndërtimore, të cilat kanë kaluar të gjitha fazat e shitjes dhe nuk janë shitur, dokumentacioni i vlerësimit të objektit kthehet nga Ministria e Financave, Drejtoria e Drejtimit të Pronës Publike, në ministrinë përgjegjëse për ekonominë, pas 8 (tetë) muajve nga zhvillimi i fazës së fundit të shitjes. Në rast se gjatë kësaj periudhe ka kërkesa me shkrim për blerje të objektit, atëherë përsëritet procedura e fazës së fundit të shitjes. 
     Ministria përgjegjëse për ekonominë e dërgon dokumentacionin e kthyer në Agjencinë e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave për t’u përdorur si fond i kompesimit fizik. 
     
Në rast se për objektin, dokumentacioni i të cilit është kthyer për t’u përdorur si fond kompensimi fizik, ka kërkesa me shkrim nga ish-pronarët e truallit, ministria përgjegjëse për ekonominë i kërkon Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave kthimin e dokumentacionit të vlerësimit, pasi kjo e fundit të ketë bërë verifikimin e vlefshmërisë së vendimit që njeh pronësinë.
 
b)  Makineritë, pajisjet, mjetet e xhiros, inventari ekonomik etj., të cilat nuk janë shitur, pasi janë zbatuar fazat e shitjes, sipas VAM-it fillestar dhe VAM-it të ulur, kthehen nga Drejtoria e Drejtimit të Pronës Publike, në Ministrinë e Financave, në degën e shoqërive publike përkatëse, për të cilat veprohet sipas ligjit nr.10296, datë 8.7.2010, “Për menaxhimin financiar dhe kontrollin”, dhe udhëzimit nr.30, datë 27.12.2011, të Këshillit të Ministrave, “Për menaxhimin e aktiveve të njësive të sektorit publik”, në zbatim të tij.
 
19. Komisioni i ankandit kryesohet nga përfaqësuesi i Drejtorisë së Drejtimit të Pronës Publike, në Ministrinë e Financave, dhe në përbërje ka këta anëtarë:
 
- përfaqësuesin e ministrisë përgjegjëse për ekonominë;
- përfaqësuesin e organit që ka në pronësi, ruajtje, apo në varësi administrative objektin. 
 
Anëtarët e komisionit të ankandit duhet të pajisen me autorizimin përkatës dhe pjesëmarrja e tyre, në datën dhe orën e caktuar për ankand, është e detyrueshme. 
 
Në rast se në ditën e njoftuar për zhvillimin e ankandit nuk paraqitet njëri nga anëtarët e komisionit, anëtari tjetër i pranishëm i komisionit administron kërkesat e paraqitura për blerje dhe komisioni njofton një ditë tjetër për zhvillimin e ankandit, por jo më vonë se 10 (dhjetë) ditë nga data e parë e njoftuar për ankand. Nëse edhe në njoftimin e dytë nuk paraqitet njëri nga anëtarët e komisionit të ankandit, atëherë Drejtoria e Drejtimit të Pronës Publike, në Ministrinë e Financave, plotëson komisionin e ankandit me një anëtar, brenda strukturës së drejtorisë, dhe urdhëron zhvillimin e ankandit.
 
20. Komisioni i ankandit ka këto detyra:
 
a) regjistron, vërteton dhe legjitimon pjesëmarrësit në ankand, në bazë të dokumentacionit të kërkuar (publikuar) paraprakisht;
b) prezanton anëtarët e komisionit të ankandit;
c) deklaron vlerën fillestare të ankandit;
ç) deklaron hapin e dhënieve të ofertave për vlerën fillestare, për pjesëmarrësit në ankand;
d) drejton marrjen e ofertave;
dh) siguron që dhënia e ofertave të vazhdojë deri sa të ketë oferta të tjera, përpara shpalljes së fituesit;
e) shpall personin e fundit, që deklaron çmimin më të lartë, si fitues të ankandit. 
 
21. Komisioni i ankandit harton një procesverbal, i cili duhet të përmbajë:
 
a) regjistrimin e identitetit të pjesëmarrësve në ankand, sipas letërnjoftimit, certifikatës së gjendjes civile ose prokurës së përfaqësimit;
b) emrat e anëtarëve të komisionit të ankandit;
c) deklarimin e vlerës fillestare të ankandit;
ç) deklarimin e hapit të dhënies së ofertave për vlerën fillestare, për pjesëmarrësit në ankand;
d) shpalljen e personit të fundit, i cili deklaron çmimin më të lartë, si fitues të ankandit.
 
          Komisioni i ankandit duhet të sigurojë që dhënia e ofertave të vazhdojë deri sa të ketë oferta të tjera, përpara shpalljes së fituesit.
          Procesverbali i ankandit duhet të nënshkruhet nga anëtarët e komisionit dhe pjesëmarrësit në ankand.
 
22. Pjesëmarrësve të tjerë në ankand, përveç fituesit, u kthehet 20 (njëzet) për qind e vlerës fillestare, ngurtësuar paraprakisht. Pjesëmarrësit në ankand, i cili tërhiqet nga ankandi pa dhënë asnjë ofertë për vlerën e objektit të shpallur për shitje, nuk i kthehet 20 (njëzet) për qind e vlerës fillestare, ngurtësuar për pjesëmarrje në ankand.
 
23. Personi që ka fituar të drejtën e blerjes së objektit, nëpërmjet ankandit, ose të drejtën e parablerjes, pajiset nga Drejtoria e Drejtimit të Pronës Publike, në Ministrinë e Financave, me autorizim për kalim pronësie, ku përcaktohen qartë detyrimet e blerësit.
 
24. Blerësi, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e zhvillimit të ankandit, është i detyruar të bëjë pagesën, vetëm me lekë, për pjesën e mbetur, sipas çmimit të arritur në ankand, për objektin dhe truallin.
       
Ish-pronarët e truallit, të cilët janë shpallur fitues me të drejtën e parablerjes për objektin apo ndërmarrjen që privatizohet, brenda 30 (tridhjetë) ditëve, nga data e lëshimit të autorizimit për kalim pronësie, nga Drejtoria e Drejtimit të Pronës Publike, në Ministrinë e Financave, janë të detyruar të bëjnë pagesën e vlerës së mbetur të objekteve dhe të mjeteve kryesore, me letra me vlerë dhe bono privatizimi. 
 
25. Të ardhurat e realizuara nga shitja ndahen, si më poshtë vijon:
 
a)  Për shitjen e objektit (mjete kryesore, mjete xhiroje etj.): 
 
i. 5 (pesë) për qind e vlerës së shitjes i kalon Ministrisë së Financave;
ii. 30 (tridhjetë) për qind e vlerës së shitjes i kalon ministrisë përgjegjëse për ekonominë;
iii. 65 (gjashtëdhjetë e pesë) për qind e vlerës së shitjes i kalon buxhetit të shtetit. 
 
b)  Për shitjen e truallit, 100 (njëqind) për qind  e vlerës së shitjes kalon në buxhetin e shtetit, përveç rasteve kur është i identifikuar ish-pronari i truallit. Në këto raste do të veprohet sipas shkronjës “c”, pika 2, të kreut III, të këtij vendimi.
 
          26. Nëse personi që ka fituar të drejtën e blerjes së objektit nuk paguan brenda 30 (tridhjetë) ditëve pjesën e mbetur të çmimit të arritur në ankand, si fitues ankandi, ai humbet të drejtën e blerjes si dhe të marrjes pjesë në ankandin që do të zhvillohet për rishitjen e këtij objekti. Pagesa e ngurtësuar prej 20 (njëzet) për qindësh, për pjesëmarrje në ankand, nuk i kthehet. Objekti rishpallet për shitje, duke zbatuar procedurat e publikimit nga e para, sipas këtij vendimi.
                  
 Nëse ish-pronari i truallit që ka fituar të drejtën e blerjes së objektit nuk paguan pjesën e mbetur të çmimit brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e lëshimit të autorizimit, atëherë pagesa e ngurtësuar prej 20 (njëzet) për qindësh, për pjesëmarrje në blerje, nuk i kthehet. Objekti rishpallet për shitje, duke zbatuar procedurat e publikimit nga e para, sipas pikës 2, të kreut III, të këtij vendimi. 
 
 27. Pas pagesës së vlerës së plotë të objektit (objekti bashkë me truallin për shitjet me ankand), Drejtoria e Drejtimit të Pronës Publike, në Ministrinë e Financave, dhe drejtori i ndërmarrjes (apo përfaqësues të autorizuar të tyre dhe të organit që e ka në pronësi, ruajtje, apo në varësi administrative objektin), janë të detyruar të nënshkruajnë kontratën e shitjes me blerësit privatë. Dorëzimi i objektit bëhet, në mënyrë të detyrueshme, nga drejtori i ndërmarrjes, përfaqësuesi i tij apo përfaqësuesi i organit që e ka në pronësi, ruajtje apo në varësi administrative objektin dhe nga përfaqësuesi i Drejtorisë së Drejtimit të Pronës Publike, në Ministrinë e Financave, në prani të blerësit. Procesverbali i dorëzimit do të jetë pjesë përbërëse e kontratës së shitjes.
 
28. Kontratat e nënshkruara nga përfaqësuesi i ish-Agjencisë Kombëtare të Privatizimit dhe degëve të saj në rrethe, për objektet apo ndërmarrjet e privatizuara në vite, me përfaqësuesin e ndërmarrjes dhe blerësit e parë të objektit apo ndërmarrjes, por jo sipas mënyrës së kërkuar nga ligji (para noterit), për rastet kur aktualisht ndërmarrja nuk ekziston, bëhen nga Drejtoria e Drejtimit të Pronës Publike, në Ministrinë e Financave, dhe blerësit,  me kushtin që për këto objekte apo ndërmarrje të mos jenë bërë transkriptime me palë të treta pranë zyrave vendore të regjistrimit të pasurive të paluajtshme, konfirmuar nga kjo e fundit, dhe kur dokumentacioni, që ndodhet në arkivat e kësaj drejtorie, është i rregullt.
                  Kur ndërmarrja ekziston, kontrata bëhet nga drejtori i ndërmarrjes dhe blerësi, para noterit.
 
                 Gjithashtu, Drejtoria e Drejtimit të Pronave Publike, në Ministrinë e Financave, kryen të njëjtën procedurë edhe për kontratat e shitjes së trojeve të privatizuara nga ish-Agjencia Kombëtare e Privatizimit dhe degët e saj në rrethe. 
 
 29. Në rastet kur nga ish-Agjencia Kombëtare e Privatizimit dhe degët e saj në rrethe janë kryer të gjitha procedurat ligjore për privatizimin e objekteve apo të ndërmarrjeve shtetërore, sipas dokumentacionit të plotë që ndodhet në arkivin e Drejtorisë së Drejtimit të Pronës Publike (dosja e vlerësimit, ankandi, apo e drejta e parablerjes, autorizimi për kalim pronësie, pagesa e plotë etj.), por që, për arsye të ndryshme, nuk ka qenë e mundur të lidhet kontrata e shitjes dhe kur, aktualisht, nuk ekziston ndërmarrja që e ka pasur në administrim objektin, Drejtoria e Drejtimit të Pronës Publike, në Ministrinë e Financave, kryetari i degës së shoqërive publike, në prefekturën përkatëse, dhe blerësi nënshkruajnë kontratën e shitjes, sipas legjislacionit në fuqi.
 
 30. Nuk lejohen dhënia me qira dhe kalimi kapital i objekteve që janë  publikuar për shitje.
 
      31. Për shitjet e bëra nga Drejtoria e Drejtimit të Pronës Publike, në Ministrinë e Financave, njoftohet, me një evidencë statistikore, në  datën 20, të çdo muaji, ministria përgjegjëse për ekonominë. 
 
     32. Pasuritë shtetërore, të dhëna me kontratë qiraje ose enfiteoze, me sipërfaqe mbi 500 (pesëqind) m2, i shiten, në mënyrë të drejtpërdrejtë, nga Drejtoria e Drejtimit të Pronës Publike, në Ministrinë e Financave, kontraktuesit, në rast se vlera e investimit të kryer prej tij është mbi 150 (njëqind e pesëdhjetë) për qind e vlerës së truallit, si dhe kur subjekti nuk ka detyrime ndaj shtetit, sipas kontratës së qirasë. Me plotësimin e këtij kushti, ministri përgjegjës për ekonominë urdhëron vazhdimin e procedurave për privatizimin e objektit, sipas përcaktimeve të këtij vendimi. 

  • Sondazhi i ditës:

    A justifikohen aktet e dhunes gjatë një proteste politike?



×

Lajmi i fundit

'Lëre detyrën e bëj si themi ne!' Polici bashkiak i Vlorës dhunohet se gjobiti furgonin e linjës! Zbardhet dëshmia, tregon dhunuesit (EMRAT)

'Lëre detyrën e bëj si themi ne!' Polici bashkiak i Vlorës dhunohet se gjobiti furgonin e linjës! Zbardhet dëshmia, tregon dhunuesit (EMRAT)